“MULTI-LANGUAGES CAFE”

Si të praktikosh gjuhën e huaj… falas?

"Rinia shqiptare ankohet gjithmonë që s’ka aktivitete. Mendova të jetë diçka sociale, e kombinuar me atë që na pëlqen të bëjmë më shumë, të rrimë në kafene, por edhe të bëjmë diçka ndryshe nga ajo kafja tradicionale..."

Kjo që do ju tregojmë sot nuk është një praktikë shqiptare, por prej tre vitesh funksionon edhe në vendin tonë. Jemi një shoqëri që kohën e lirë, dhe jo vetëm, e kalojmë në kafene, por Andi Bregu, një djalë që ka studiuar dhe jetuar në Suedi, ka sjellë një formë interesante për të kaluar dy orë duke folur një gjuhë të huaj dhe duke u socializuar. Gjithçka ndodh të hënave në orën 17:00 me 19:00, në ambientet e Qendrës Kulturore Tiranë. Aktiviteti quhet “Multi-Languages Cafe”.


“Rinia shqiptare ankohet gjithmonë që s’ka aktivitete. Mendova të jetë diçka sociale, e kombinuar me atë që na pëlqen të bëjmë më shumë, të rrimë në kafene, por edhe të bëjmë diçka ndryshe nga ajo kafja tradicionale. Prandaj e quajtëm edhe “Multi-Languages Cafe”, që në një farë mënyre nënkupton një kafe në shumë gjuhë”, shprehet Andi.

Ideatori i këtij aktiviteti kryesisht rinor, ka qenë i angazhuar për rreth një vit në Suedi, ku u bë pjesë e një programi që zhvillohej nga universitetet e gjuhëve të huaja, sa i përket aspektit të integrimit të studentëve ndërkombëtarë, të cilin e frekuentonte gjatë kohës së lirë. Kur u kthye në Shqipëri, mendoi që të bënte diçka alternative, që sipas tij, realiteti shqiptar nuk e ofron.

“Aktiviteti zhvillohet një herë në javë dhe zgjat kryesisht dy orë. Si orar zyrtar është nga ora 17:00 deri në orën 19:00, çdo ditë të hënë. Bisedat që zhvillohen variojnë me tema nga më të ndryshmet, për shembull diskutohet për letërsinë, për shoqërinë, për kinematografinë etj., pra është vetë grupi që propozon se çfarë i interesojnë atyre të diskutojnë në javën në vijim. Dhe në mënyrë të përbashkët vendoset tema. Lideri përgatit materiale lidhur me temën, informacione, pyetje dhe i ndan me pjesëtarët e tjerë të grupit. Pjesa më e madhe e liderëve janë të huaj. Për shembull, lideri i grupit të gjuhës angleze është një amerikan, për gjuhën spanjolle po ashtu është amerikan, por që ka jetuar prej vitesh në vendet latine, për frëngjishten kemi një lider zviceran, nga pjesa frankofone e Zvicrës, për gjermanishten është një djalë shqiptar që ka lindur në Gjermani dhe ka ardhur vitet e fundit në Shqipëri etj. Kështu funksionon me të gjitha grupet”- sqaron Andi.


Surprizojnë fansat e Koresë

Bashkë me të është edhe Marsida Karaj, me profesion ekonomiste, por që prej kohësh angazhohet në këtë aktivitet si vullnetare. Ajo na sqaron më tepër mbi grupet e gjuhëve që zhvillohen në “Multi-Languages Cafe”.


“Aktualisht janë rreth 8 grupe. Grupi i anglishtes, gjermanishtes, spanjishtes, italishtes, frëngjishtes, greqishtes, turqishtes dhe një grup shumë i veçantë, grupi i gjuhës koreane. Janë dy vajza që sapo kanë ardhur nga Koreja e Jugut në Shqipëri dhe në mënyrë vullnetare ato kanë shprehur dëshirën që të bëhen pjesë për të mësuar gjuhën koreane. Ne nuk kemi shumë njerëz që dinë gjuhën koreane, ndaj për ata që kanë dëshirë ofrohet kjo mundësi. Në një moment të caktuar ka qenë edhe gjuha kineze, por që zgjati pak, sepse nuk pati shumë interes. Pra mund të ngrihen edhe grupe me gjuhë të tjera, nëse ka interes”- shprehet Marsida për Dita-n.


Sipas saj, ka disa gjuhë që janë në modë momentalisht, njëra prej tyre, që ka surprizuar edhe organizatorët është ajo koreane. Megjithatë, tavolina më e madhe është ajo e anglishtes.

“Gjuha kryesore faktikisht si traditë që nga fillimi deri tani ka qenë kryesisht anglishtja, sepse është një gjuhë që jo vetëm i shërben në aspektin akademik, për shembull ka gjimnazistë që do e japin provim ose ka studentë që do e mbrojnë për diplomën ose gjëra të tilla. Dhe ka pasur goxha interes, plus është dhe ky fakti që anglishtja tashmë është bërë gjuhë globale dhe frekuentimi me anglishten është pothuajse kudo dhe i jep më tepër shtysë për të pasur më shumë frekuencë. Pastaj ajo që ka qenë surprizë siç e thashë dhe më përpara ka qenë gjuha koreane që vijnë 45 veta brenda ditës, domethënë që duan të mësojnë gjuhën koreane. Është paksa surprizë se ti mendon që në Shqipëri është diçka e panjohur, e paditur fare. Kjo për disa arsye. Të rinjtë ndjekin shumë muzikën koreane dhe ka disa grupe që praktikojnë kërcimet e tyre, ndoshta edhe për këtë aspekt. Pastaj, Koreja ka një ekonomi të zhvilluar në fushën e teknologjisë dhe biznesit. Në një të ardhme, gjuha e tyre mund të shërbejë fare mirë”- pohon Marsida.


Andi na sqaron edhe mbi programin dhe metodikën. “Programi pak a shumë është i bazuar në metodat informale, nuk është se është në formatin akademik që ti duhet të regjistrohesh, të ndjekësh klasën patjetër etj. Pra ti vjen gjatë dy orëve që ne kemi, mund të ndjekësh për shembull sipas interesit tënd, mund t’i ndash dy orët në dy grupe, pra mund të rrish një orë te gjuha angleze, dhe një orë tjetër te gjuha spanjolle (ose çdo gjuhë tjetër) që ty të intereson, pra në të njëjtën ditë mund të praktikosh dy gjuhë, ose mund të rrish një javë në një tavolinë, një javë mund të shkosh në një tavolinë tjetër, pra çdo gjë meqenëse është në bazë të asaj që ne e quajmë metoda e të bërit vet bisedë, çdo gjë e bazuar te shpengueshmëria, e kalon të themi topin e interesit te vet individi që të ndjek çdo gjë që ai është i interesuar”.


Grupmoshat më e interesuar mbeten të rinjtë, kjo edhe për faktin se duke parë që këta janë më shumë, grupet e tjera e përjashtojnë veten automatikisht dhe largohen.

Nga eksperienca e deritanishme, Marsida pohon se “Përgjithësisht grupmoshat kanë qenë studentët ose pak a shumë gjimnazistët, kryesisht maturantët, por që vitin e fundit pak a shumë është shtrirë edhe numri i grupmoshave, është zgjeruar paksa. Ka gjimnazistë të hershëm ose që mund të jenë në 9-vjeçare akoma, kanë shfaqur më tepër interes ose ka edhe mosha të mesme që interesohen, që të praktikojnë diçka ose të ndjekin bisedat, e kanë mësuar një gjuhë, për shembull gjuhën ruse, gjatë periudhës së komunizmit ndërkohë që kjo gjuhë nuk bëhet më, dhe ata thjeshtë dinë diçka dhe atë çfarë dinë duan ta praktikojnë në atë pjesë që e di këtë gjuhë dhe e rrit interesin pothuajse në të gjitha grupmoshat”.


Kur dëgjon se gjithçka bëhet në mënyrë vullnetare, të përshkon një ndjenjë habie dhe besoj kjo i ndodh të gjithëve. Pasi jemi mësuar të shohim më shumë njerëz që rrinë kot se sa të punojnë pa pagesë. Por Andi ka një përgjigje të argumentuar për të gjitha këto dyshime: “Faktikisht, unë duke qenë se kam mbaruar për shkenca sociale dhe interesi im gjithmonë ka qenë te programet e inovacionit social, ka qenë diçka që në njëfarë mënyre gjithmonë kam dashur të testoj veten me gjëra të reja. Kjo ishte ndoshta një nga ato gjëra alternative që mund ta provoja se sa mund të shkonim me aftësitë personale, duke ndërtuar një program nga fillimi vet dhe qëllimi kryesor ishte që të arrija t’i vija sa më shumë në ndihmë të gjithë të rinjve që donin të kishin një jetë sociale paksa ndryshe nga realiteti i përditshëm dhe duke u bazuar pastaj te eksperienca personale që kam qenë në një universitet në Suedi, aty vazhdimisht merrja pjesë ose më saktë isha asistent programi te qendra inovacionit. Është një lloj testimi i ideve të reja në Shqipëri. Për sa i përket aspektit që çdo gjë është vullnetare, është e vërtetë që çdo gjë është vullnetare dhe funksionon në bazat e vullnetarizmit, sepse në momentin që e hapëm në fillim fare kjo u mendua thjeshtë si nismë shoqërore ndërmjet grupit fillestar. Gjithmonë jemi ndier komodë me këtë që kemi bërë dhe prandaj ka vazhduar, dhe nuk është bërë të themi si nismë zyrtare ose si projekt zyrtar, thjeshtë është komoditeti ose dëshira dhe vullneti i të gjithë atyre që marrin pjesë dhe kjo ka bërë që të vazhdojë nisma për kaq sa po vazhdon”.

Çfarë fiton?

Andi Bregu tregon se, ideja e këtyre aktiviteteve ka lindur duke u bazuar edhe te pjesa e përfitimeve. Përfitime jo nga personat që e zhvillojnë këtë aktivitet apo organizim, por për ata që bëhen pjesë e tij. Më poshtë, ai shpjegon në mënyrë të argumentuar se për çfarë përfitimesh bëhet fjalë. “Kjo nismë sociale bazohet shumë jo vetëm në aspektin gjuhësor, në kuptimin që ti shkon, flet, komunikon një gjuhë të huaj dhe këtu mbaron. Pra ideja është më e gjerë se sa kaq, sepse vetë nisma tenton që të shërbejë si një aspekt social, pra unë si individ vi, takoj njerëz që mund të jenë shqiptarë ose mund të jenë të huaj, shkëmbej idetë, shkëmbej informacione, shkëmbej mesazhe të ndryshme, në njëfarë mënyre më rrit shumë në njohuri qoftë në aspektin sasior, qoftë në aspektin cilësor. Gjithashtu edhe për sa i përket përfitimeve, kjo si nismë, duke qenë se ne shpesh në vendin tonë bazohemi shumë te paragjykimi gjuhësor dhe dialektor e gjëra të kësaj natyre, duke tentuar që të ulesh në një tavolinë ku pak a shumë gjuha është e njëjtë për të gjithë dhe niveli është i ndryshëm, atëherë tenton që të zbusë shumë nivelin e stigmës dhe paragjykimit që ekziston në shoqërinë shqiptare, pra pak a shumë ka një nocion psikologjik në vetvete për këtë aspekt. Gjithashtu në aspektin prapë të përfitimeve mund të përmend edhe faktin e aspektit pozitiv për mundësi të reja që të ofrohen, për shembull, ti do takohesh me një person siç përmenda më lart djalin që kishte lindur në Gjermani. Ai di një program vullnetar ose një program me pagesë, ose një stazh ose diçka tjetër që të intereson ty si individ dhe këto të ndihmojnë jashtëzakonisht shumë për t’u lidhur dhe për të krijuar rrethin tënd të interesit. Këto janë pak a shumë më kryesoret që mund të shtoja në aspektin e përfitimeve, por gjithsecili që vjen të mësojë apo të praktikojë një gjuhë nëpërmjet diskutimeve ka qëllimet dhe synimet e tij, sigurisht pozitive.”


(Marrë nga gazeta “Dita”)

2,558 Lexime
8 vjet më parë