Si të punoni me fëmijët që nuk dëgjojnë? Orientime praktike nga Mariglena Muci
Humbja e rëndë e dëgjimit zakonisht identifikohet para se fëmijët të hyjë në shkollë, por ajo e lehtë dhe mesatare mund të identifikohet më vonë. Për këtë arsye mësuesit duhet të jenë të njohur me këto vështirësi, që të mund të identifikojnë dhe ndihmojnë nxënësit e tyre të përballojnë këto sfida.
Të mësuarit në shkollë është një proces, që paraqet një sërë sfidash të ndryshme. Ky proces bëhet edhe më i vështirë, kur bëhet fjalë për një fëmijë me humbje të dëgjimit. Humbja e dëgjimit mund të jetë nga më e lehta deri në humbje të plotë të dëgjimit. Sipas studimeve rreth 15 % e fëmijëve të moshës shkollore kanë humbje të dëgjimit në të paktën një vesh. Humbja e rëndë e dëgjimit zakonisht identifikohet para se fëmijët të hyjë në shkollë, por ajo e lehtë dhe mesatare mund të identifikohet më vonë. Për këtë arsye mësuesit duhet të jenë të njohur me këto vështirësi, që të mund të identifikojnë dhe ndihmojnë nxënësit e tyre të përballojnë këto sfida dhe të arrijnë sukses.
1. Njihuni me shenjat e humbjes së mundshme të dëgjimit tek fëmijët
Fëmijët shpesh hezitojnë të flasin kur nuk dëgjojnë mirë, prandaj mësuesit duhet të tregojnë kujdes për modelet e sjelljeve të tyre. Nëse një nxënës rregullisht ju kërkon të përsërisni atë që thoni, udhëzimet, keqkupton pyetjet tuaja, shkruan plot gabime ose nuk përgjigjet kur ju e thërrisni në emër, bëni mirë të bisedoni me atë privatisht si dhe me prindërit e tij. E nëse ata nuk e konfirmojnë atë që ju dyshoni, vazhdoni të shikoni shenja dhe sjellje të tjera të fëmijës dhe t’i diskutoni ato me prindërit.
2. Gjeni mënyra për të komunikuar në mënyrë efektive me fëmijën
Nëse ju njihni vështirësitë e fëmijës me dëgjimin, mundohuni të mos flisni kur jeni larg tij, kur lëvizni nëpër klasë ose shkruani në dërrasë. Nxënësi do të kuptojë shumë më tepër nga ato, që iu thoni nëse ai mund të shohë fytyrën tuaj, ndërsa ju jeni duke folur. Kështu, ju duhet të mbani fytyrën jostatike, duke përdorur shprehje faciale të gjalla dhe natyrale.
- Flisni qartë dhe në mënyrë të njëtrajtshme duke vështruar drejt fëmijën, në vend që të lëvizni, ndërsa flisni. Gjithashtu përdorni edhe gjuhën e trupit për të theksuar gjëra të rëndësishme.
- Mbani fytyrën e lirë dhe mos vendosni duart përpara gojës.
- Ndaloni së foluri kur ktheheni mbrapsht.
- Mbani një ritëm dhe intonacion normal të të folurit, ose përsërisni dhe ndryshoni fjalorin nëse ai nuk u ka kuptuar.
- Evitoni ndërrimin e menjëhershëm të subjektit.
- Jepini nxënësit tuaj një fletëpalosje të ndonjë shënimi, në mënyrë që ai të mos përqëndrohet në shkrim, ndërsa përpiqet të dëgjojë. Ose ju mund të përdorni çiftimin si metodë, ku caktoni një nxënës tjetër që të mbajë shënime ose të dëgjojë me kujdes, në mënyrë që nxënësi të marrë çdo shënim që ka humbur ose ta ketë si një mënyrë udhëzuese për të përsëritur.
- Gjithashtu sigurohuni që nëse përdorni projektorin në klasë përë të zhvilluar një orë mësimi, videot, filmat ose materialet e ndryshme të jenë të shkruara ose me titra. Po kështu, zhvilloni një sinjal sekret me nxënësin për të treguar, kur ai ka problem me të dëgjuarin. Një sinjal mund të jetë një fjalë psh “bravo”, ose diçka tjetër që mund të jetë diskrete, por efektive.
- Flisni me një ton zëri normal dhe shpejtësia e zërit duhet adoptuar: as shumë shpejt, as shumë ngadalë.
- Përdorni fraza të shkurtra.
- Përdorni materiale vizuale sepse përforcojnë mësimdhënien dhe e ndihmojnë fëmijën të kuptojë më mirë.
- Përdorni përgatitjen dëgjimore si një metodë, që i ndihmon fëmijët të përdorin sa më mirë atë pjesë të dëgjimit të mbetur, duke marrë pjesë në aktivitete që i ndihmojnë të përmirësojnë aftësitë dëgjimore, duke njohur tingujt e gjuhës. Në këtë mënyrë vihet theksi tek vetëdijshmëria e tingujve, lokalizimi i tyre ose diskriminimi i tingujve ku dallohen diferencat mes tingujve si: zëri i një mashkulli dhe femre, ndërmjet një kënge të shpejtë dhe të ngadaltë etj.
3. Planifikimi i mjedisit në klasë
- Organizoni mjedisin në klasë në mënyrë të tillë, që të ndihmojë fëmijën me dëgjim të dobësuar për të dëgjuar sa më mirë. Vendosja ose vendi ku ulen është shumë e rëndësishme.
- Prandaj vendosini bankat në radhë të lakuara, që fëmija t’i shohë të gjithë dhe sigurohuni që është ulur larg nga zona të zhurmshme si: korridori, dyert etj. Kjo e lehtëson fëmijën, që të bëjë leximin e buzëve dhe të ndjekë atë që është duke folur, duke siguruar mbajtjen e ulët të nivelit të buzëve.
- Gjithashtu ndriçimi pa shkëlqim të tepruar është i rëndësishëm. Nëse fëmija nuk dëgjon qartë, shikimi i mirë ka dyfishin e rëndësisë. Kështu përdorni grilat për t’u mbrojtur nga shkëlqimi i fortë i diellit, si dhe evitimin para dritareve ku fytyra ngelet në hije.
- Mbyllni mirë derën e klasës, në mënyrë që të mos futen zhurma nga korridori ose klasat e tjera.
- Vendosni mbajtëse nën këmbët e bankave ose karrigeve në mënyrë që të mos krijohet zhurmë, kur nxënësit lëvizin ose ulen dhe ngrihen.
- Nëse klasa ka dysheme me pllaka është mirë të vendoset një tapet në mënyrë, që të mos dëgjohet zhurma e këmbëve mbi dysheme. Kjo mënyrë ndihmon për akustikën e klasës dhe thith tingujt rastësorë.
4. Ndihmoni nxënësin të angazhohet me pjesën tjetër të klasës
Flisni me nxënësit e tjerë të klasës, duke i njohur ata me vështirësinë e shokut/shoqes së tyre dhe duke rritur bashkëpunimin mes tyre. Për këtë arsye është mirë që dhe bankat të vendosen në formë rrethi, në mënyrë që nxënësi të shohë dhe tu përgjigjet të tjerëve në klasë. Kjo do ta ndihmojë atë të ndihet i angazhuar dhe i përfshirë, edhe nëse nuk mund të dëgjojë gjithmonë ato që thuhen. Sa herë që ju i drejtoheni nxënësve, flitini në emër, sepse kjo e ndihmon fëmijën në drejtimin e vëmendjes nga folësi në folës dhe zvogëlon gjasat që ai ose ajo të humbasë diçka që u tha. Gjithashtu nëse nxënësi përdor gjuhën shenjave, mësoji edhe nxënësve të tjerë disa fjalë në gjuhën e shenjave, që ata të komunikojnë së bashku. Kështu ata mësojnë se vështirësitë e dëgjimit nuk janë të pakapërcyeshme dhe se komunikimi efikas është i mundur.
5. Përdorni metoda speciale
Nëse jeni mësues të edukimit special është shumë mirë që të përdorni dhe ato metoda me fëmijën. Përqasja orale ku përfshihet programi auditor-verbal dhe programi auditor- oral, gjuha e shenjave, gjestet, shpjegimi me gishta etj janë një rrugë natyrale ku fëmijët të shprehin veten e tyre dhe të kuptojnë të tjerët. Për këtë arsye është mirë të ndiqni trajnime të vazhdueshme dhe të praktikoheni sa më shumë në punën tuaj.
Nëse përkushtoheni maksimalisht dhe zbatoni orientimet e mësipërme, ju do të arrini sukses me nxënësit tuaj!
Nga Mariglena Muci, pedagogji speciale
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tetori rozë, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit
Rëndësia e bashkëpunimit shkollë-familje
Mbrojtja e fëmijëve në internet, udhëzues për prindërit