Si të rifitoni energjinë mendore pas një viti të lodhshëm shkollor

Psikologë nga Responsive Classroom, Sleep Foundation, Talkspace e Integrated Care Clinic japin 9 këshilla për mësuesit si të rifitojnë energjinë mendore gjatë verës: nga gjumi e reflektimi, te rutina, hobet dhe shkëputja digjitale. Lexoni artikullin!

Pas një viti të gjatë dhe emocionalisht të ngarkuar, shumica e mësuesve hyjnë në verë me më shumë nevojë për rikuperim sesa për argëtim. Çlodhja e vërtetë nuk është vetëm fizike, por mendore, emocionale, shpirtërore. Dhe pikërisht këtë synojmë me këto këshilla të mbështetura nga ekspertë ndërkombëtarë të shëndetit mendor dhe arsimit.


1. “Pushoni trurin”, jo vetëm trupin

Pushimi mendërisht kërkon më shumë sesa thjesht të mos shkosh në shkollë. Psikologët sugjerojnë aktivitete që nuk kërkojnë produktivitet apo “rezultat”: lexime argëtuese, pikturë, kopshtari, punë dore, dëgjim muzike, etj. Ato ndihmojnë trurin të kalojë nga “modaliteti i veprimit” në “modalitetin e qetësisë”.


2. Një rutinë e lehtë 

Nëse gjatë vitit çdo minutë ishte i planifikuar, vera mund të sjellë ndjesinë e kaosit. Një rutinë e thjeshtë, një orar i qëndrueshëm gjumi, ushqimi, lëvizjeje apo aktivitetesh të lehta; ndihmon trurin të ruajë ndjenjën e kontrollit dhe balancës.


3. Gjumi 

Gjumi cilësor është baza e gjithë rikuperimit. Vera është momenti ideal për të rregulluar ciklin e gjumit:

  • Fikni pajisjet elektronike të paktën një orë para se të flini;
  • Përdorni rituale relaksuese mbrëmjeje si leximi, çaji bimor apo meditimi;
  • Shkoni në shtrat në të njëjtën orë çdo natë.

Gjumi përmirëson humorin, memorien, durimin dhe energjinë. Një mësues që pushon mirë është një mësues më kreativ dhe më i qëndrueshëm.


4. “Unplug” digjital 

Një nga gabimet më të zakonshme është mbajtja e lidhjes me grupet e punës gjatë verës. Vendosni kufij të qartë: fikni njoftimet, shmangni grupet profesionale për disa javë, qëndroni në prani të aktiviteteve reale, jo vetëm digjitale.


5. Mikro-pushime çdo ditë

Përfshini disa minuta çdo ditë për të marrë frymë thellë, për të dalë në natyrë apo për të qëndruar në heshtje. Këto mikro-momente ndihmojnë në uljen e kortizolit dhe rrisin ndjesinë e qetësisë mendore.


6. Lëvizni sipas ritmit tuaj

Nuk ka nevojë për palestër. Një ecje në natyrë, joga në mëngjes, biçikletë apo kërcim në shtëpi janë të mjaftueshme për të ndihmuar trupin të prodhojë hormone të mirëqenies (serotoninë dhe endorfinë).


7. Riktheni hobit që ju bëjnë të ndiheni vetja

Një pasion i vjetër, një hobi i harruar, një kurs online argëtues, e gjithë kjo është terapi e pastër. Ngrini vetveten jashtë rolit të “mësuesit” dhe jetoni si “qenie krijuese” që meriton kohë cilësore.


8. Reflektoni për vitin që shkoi

Mbani një ditar veror. Pyesni veten:

  • Cilat ishin sukseset e mia?
  • Çfarë do të ndryshoja?
  • Cilat janë disa gjëra që dua të mbaj edhe në shtator?


Reflektimi sjell vetëdije dhe mundësi rritjeje personale.


9. Kërkoni mbështetje 

Shpesh ndjehemi fajtorë kur kërkojmë ndihmë. Në fakt, ndarja e ndjesive me një koleg të besuar, një mik, apo edhe një psikolog është një akt i shëndetshëm dhe i guximshëm.



Mësuesit nuk janë robotë që ndizen sërish në shtator. Janë qenie njerëzore që japin shumë gjatë vitit shkollor dhe vera është jo luks, por nevojë për të rigjeneruar trupin dhe mendjen. Një verë e mirëmenaxhuar nuk është një verë e mbushur me detyra, por një verë me qëllim, qetësi dhe kujdes për veten.



Burimet:

Kristin Vincent, Responsive Classroom: “Resting Your Brain During Summer Break” – responsiveclassroom.org

Sleep Foundation: “Healthy Sleep Tips” – sleepfoundation.org

Aequor: “Summer Reset: How Teachers Can Recharge and Recenter Over Break” – aequor.com

Integrated Care Clinic: “Mental Health Tips for a Restful Summer” – integratedcareclinic.com

Talkspace: “Coping Strategies for Academic Stress” – talkspace.com

UChicago Medicine: “Why structure is important even during summer” – uchicagomedicine.org




© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

117 Lexime
19 orë më parë