PUSHIMET E VERËS

Si t’i kaloni pushimet verore së bashku me fëmijët në mënyrën më të mirë të mundshme

Ja disa këshilla se si duhet të organizoni pushimet pranë shtëpisë për fëmijët tuaj, që të jenë sa më të këndshme dhe jo të mërzitshme. Nga Blerina Teta, punonjëse sociale në shkollën “Sulë Harri”, Elbasan.

Pushimet verore sa të rëndësishme janë për fëmijët! 

Mezi presin të mbyllin vitin shkollor, sidomos këtë vit shkollor 2020-2021i cili ka qenë i vështirë për të gjithë plot kufizime, pa gjërat që fëmijët janë mësuar t’i bëjnë zakonisht, pa prezencën e të gjithë shokëve dhe shoqeve të klasës për shkak të mësimit të alternuar, pa përqafime midis njëri-tjetrit. Por edhe këtë situatë ata e superuan më së miri duke mësuar se edhe në distancë mund të shprehësh shoqërisë afeksion dhe dëshirën për të qëndruar së bashku. 


Pushimet verore disa familje i kalojnë pranë detit, në zona malore, duke eksploruar natyrën apo duke bërë udhëtime të ndryshme. Ka dhe nga ato familje që i kalojnë pushimet në shtëpi. Kjo gjë na nxit të mendojmë më shumë për t’u ardhur në ndihmë se si prindërit duhet të menaxhojnë  kohën e pushimeve të fëmijëve të tyre që të jenë sa më argëtuese dhe të bukura edhe pse kanë zgjedhur t’i kalojnë në shtëpi, për shumë arsye.


Ja disa këshilla se si duhet të organizoni pushimet pranë shtëpisë për fëmijët tuaj, që të jenë sa më të këndshme dhe jo të mërzitshme:


1. Frekuentoni kampe verore që organizohen në komunitetin tuaj. Kjo gjë do t’i bënte mirë fëmijës tuaj në socializmin e tyre, për krijimin e lidhjeve të reja shoqërore.


2. Organizoni lojëra në natyrë së bashku familjarisht ose me bashkëmoshatarët e tyre. Ky argëtim iu siguron fëmijëve tuaj shkëputjen nga TV, kompjuteri, lojërat virtuale kompjuterike dhe rrjetet sociale.


3. Kaloni kohë duke lexuar libra jashtë shkollor të autorëve të ndryshëm që janë tërheqës për grup-moshën e tyre ose duke i sugjeruar nga librat që keni lexuar ju prindër kur keni qenë në moshën e fëmijëve tuaj. Kjo gjë do t’i shërbej fëmijëve tuaj në zgjerimin e njohurive dhe në pasurimin e botës shpirtërore.


4. Në një moment të ditës kur vini re se fëmija juaj duket sikur nuk di se çfarë të bëj, mund të mblidheni së bashku për të ndjekur një emision i cili është shumë i dashur për të ose mund të shikoni filmin e preferuar duke diskutuar dhe shpjeguar mbi situatat interesante që filmi mund të ketë. Kështu ndihmoni në zhvillimin dhe shprehjen e mendimit kritik personal të fëmijës.  


5. Është mirë që herë pas here të thyeni rutinën ditore që kaplon fëmijët duke kaluar kohë cilësore me ta si p.sh: të bëni shëtitje në park, të frekuentoni kënde lojërash, të bëni piknik në natyrë larg zonave urbane gjithë zhurmë etj.


6. Frekuentimi i pishinave është një mundësi tjetër. Fëmijëve u pëlqen shumë të luajnë në ujë në ditët e nxehta të stinës së verës, të mësojnë notin, të luajnë me top, të bëjnë gara notimi me bashkëmoshatarët, të luajnë kukafshehthi në ujë etj. 


7. Qëndrimi në shtëpi ndonjëherë është i mërzitshëm, por edhe brenda shtëpisë mund të organizohen lojëra të ndryshme argëtuese së bashku me fëmijët, si p.sh ju mund të luani lojën “Mos u nxeh”, shah, tavëll, lojën me letra UNO, ndërtimi me kuba etj.


Këto këshilla mund të ndiqen edhe në ditë të zakonshme, pasi do të ishin shumë të nevojshme në kohën e lirë që mund të kaloni me fëmijët tuaj. Fëmijët kanë nevojë për vëmendjen dhe përkushtimin e një kohe cilësore vetëm për ta. Nuk duhet të lejojmë që të na rrëmbejë rutina e punëve të përditshme, qofshin të rëndësishme apo jo. Koha cilësore për fëmijët është shumë e rëndësishme në krijimin e lidhjeve të ngushta familjare.


Nga Blerina Teta 

Punonjëse Sociale në shkollën “Sulë Harri”, Elbasan



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.   

3,015 Lexime
2 vjet më parë