Si t’i ndihmoni fëmijët të largojnë frikën nga të folurit në publik
Të folurit në publik është një aftësi e rëndësishme për t’u zhvilluar te fëmijët. Kjo u mundëson atyre të shprehin mendimet e tyre me qartësi dhe ndihmon në avancimin e tyre akademik dhe personal.
Në vazhdim po sjellim disa këshilla për mësuesit se si të ndikojnë te fëmijët, në mënyrë që ata të fitojnë vetëbesimin për të folur në publik dhe të bëhen më të artikuluar:
Nxitni nxënësit të tregojnë historitë ose përrallat e veta
Kjo gjë i ndihmon ata të përmirësojnë shqiptimin e tyre dhe të jenë të sigurt gjatë komunikimit.
Përfshini kukulla argëtuese në tregimet ose prezantimet tuaja
Këto mjete vizuale i ndihmojnë nxënësit të ndihen më të qetë dhe të interesuar kur flasin. Ata mund të zhvendosin një pjesë të fokusit të tyre larg ankthit të tyre.
Të kënduarit dhe të rimuarit
Nxitini fëmijët të këndojnë apo të recitojnë vjersha. Kjo jo vetëm që përmirëson aftësitë e tyre gjuhësore, por gjithashtu inkurajon një fëmijë të komunikojë në mënyrë ritmike dhe shprehëse.
Prezantimet dhe debatet
Nxitja e prezantimeve të rregullta në klasë dhe organizimi i debateve ose diskutimeve në grup për tema të përshtatshme për moshën e tyre, i ndihmon ata të praktikojnë aftësitë bindëse dhe të mendojnë në mënyrë kritike.
Një shembull i kësaj është "A janë librat më të mirë se filmat?". Kjo i lejon studentët të shprehen, të mendojnë në mënyrë kritike dhe të praktikojnë aftësi bindëse të të folurit.
Gjuha e trupit
Mësojini fëmijëve vlerën e mbajtjes së kontaktit me sy, përdorimit të gjesteve të duhura të duarve dhe qëndrimit të vendosur.
Prezantime me foto/video
Kjo është një mënyrë e mirë që fëmijët të praktikojnë të folurit para kamerës. Kjo i bën ata të ndihen më rehat me të folurit në publik në një sërë mjedisesh.
Përfshini lojëra tërheqëse që rrisin aftësitë e të folurit në publik
Një shembull është loja "Përfundimi alternativ". Një mësues zgjedh një film/shfaqje që fëmijët e njohin, pastaj ata ndahen në grupe më të vogla dhe mundohen të gjejnë një përfundim alternativ.
Praktikoni të folurit me nxënësit
Sa më shumë ata praktikojnë, aq më mirë do të ndihen duke folur para publikut. Kjo i ndihmon ata të përballen me frikën dhe të ndihen më të sigurt.
Flisni qartë dhe ngadalë
Përkujdesuni që nxënësit të flasin qartë dhe me një ritëm të ngadaltë për t’u siguruar që audienca e kupton dhe e përjeton mesazhin. Inkurajojini ata të marrin frymë thellë dhe të flasin më ngadalë për të forcuar aftësinë e tyre në komunikim.
Përdorimi i teknologjisë
Teknologjia është një mjet i rëndësishëm për të përmirësuar aftësitë e të folurit në publik te fëmijët, duke përfshirë elemente multimediale, si: foto, video dhe veçori interaktive, të cilat ndihmojnë në bërjen e prezantimeve të tyre më tërheqëse dhe të bindshme.
Këto strategji inkurajojnë nxënësit të jenë më të sigurt në paraqitjen e tyre publike, të mënjanojnë frikën dhe të flasin lirshëm.
Burimi: Kliko këtu
Përgatiti: Arlinda Hajdaraj, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur, miqve apo kolegëve për Vitin e Ri
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?