SMIP: Si të dhënat e organizuara ndihmojnë mësuesit dhe drejtuesit në vendimmarrje

Të dhënat e papërpunuara janë si lodra të shpërndara pa kuptim. SMIP në Shqipëri grumbullon informacione arsimore, por vlera reale vjen kur ato organizohen, vizualizohen dhe lidhen me histori, duke ndihmuar mësuesit, drejtuesit dhe administratën për vendimmarrje të mençur.

Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi 


Në botën e sotme, të dhënat janë kudo rreth nesh. Por, a mjafton vetëm të kemi shumë të dhëna? Të dhënat e mbledhura ngjajnë si një grumbull lodrash të shumta, të shpërndara, por pa kuptim. Të dhënat e papërpunuara janë të dobishme vetëm kur i japim rend, organizim dhe kuptim.

Ndaj, dikush duhet ti rendit sipas ngjyrës dhe formës, duke i bërë më të lehta për t’u parë.  Më tej, i organizon në grupe të qarta, secila me vendin e vet.  E kur ato paraqiten në grafik, raporte modele, të gjithë mund të kuptojnë ndryshimet dhe të vlerësojnë ato për vendimmarrje.  

Vizualizimi ndihmon për të parë më qartë, i bën të dhënat të paharrueshme dhe të vlefshme për të gjithë. Pra vetëm kur dikush tregon për to i lidh në një histori, mund të kuptojmë vlerën dhe mesazhin që fshihet brenda tyre. Të dhënat e përpunuara mirë mund të shndërrojë numrat në njohuri që frymëzojnë, motivojnë dhe udhëheqin. Pra nuk duhet të mjaftohemi vetëm me të dhëna, por duhet të tregojmë historinë që ato mbartin!


Në sistemin arsimor prej disa vitesh Sistemi i Informacionit Arsimor në Shqipëri (SMIP) është një realitet. Po cilat janë të dhënat e nevojshme dhe raportet që duhet të gjenerojë? SMIP nuk duhet të mjaftohet vetëm me popullimin e sistemit me të dhëna por duhet të gjenerojë raporte të ndryshme për aktorët kryesorë të arsimit parauniversitar. Këto të dhëna, të përpunuara në mënyrë tabelore i shërbejnë mësuesit kujdestar, mësuesit të lëndës, drejtimit të shkollës dhe administratën arsimore në të gjitha nivelet. Ato duhet të jenë të orientuara drejt monitorimit të procesit mësimor, menaxhimit të klasës, zhvillimit profesional, komunikimit me prindërit dhe cilësisë së shërbimit arsimor. Të dhënat dhe raportet që duhet të përfshijë SMIP për secilin aktor i kam grupuar në katër blloqe si më poshtë:


Mësuesi kujdestar:

  • Orët e kujdestarisë të planifikuara dhe të zhvilluara gjatë vitit shkollor, me fokus në trajtimin e temave sociale dhe edukative (p.sh. bullizmi, të drejtat e nxënësve, klima pozitive në klasë).
  • Raporte mbi bashkëpunimin me prindërit dhe komunitetin shkollor.
  • Regjistrimi i veprimtarive të kujdestarisë dhe planifikimi ditor i orëve të kujdestarisë.
  • Informacione për trajtimin e çështjeve individuale të nxënësve dhe ndihma për nxënësit me nevoja të veçanta.


Mësuesi i lëndës:

  • Të dhëna mbi orarin mësimor dhe zhvillimin e procesit mësimor sipas standardeve profesionale.
  • Raporte mbi progresin e nxënësve në lëndën përkatëse dhe vlerësimin e tyre.
  • Informacione për nevojat e zhvillimit profesional dhe pjesëmarrjen në trajnime.


Drejtimi i shkollës:

  • Raporte për menaxhimin e klasave, përfshirë shpërndarjen e nxënësve dhe emërimin e mësuesve dhe caktimin e mësuesve kujdestarë për klasat.
  • Monitorim i zbatimit të planeve vjetore të orëve të kujdestarisë dhe bashkëpunimit me mësuesit.
  • Analiza të performancës së shkollës dhe cilësisë së shërbimit arsimor.
  • Raporte për bashkëpunimin me komunitetin dhe prindërit.


Administrata arsimore:

  • Të dhëna të përgjithshme mbi shkollat, mësuesit dhe nxënësit në nivel rajonal dhe kombëtar.
  • Raporte për nevojat e zhvillimit profesional të mësuesve dhe drejtuesve.
  • Monitorim i zbatimit të politikave arsimore dhe standardeve të arsimit parauniversitar.


Çfarë kanë sot të mundur të bëjnë mësuesit me SMIP?


Mësuesi kujdestar gjeneron pasqyrën e notave për secilin nxënës ose për klasën, por nuk mund të printojë apo shkarkohet. Gjeneron notën mesatare të secilit nxënës në të gjitha lëndët. Gjeneron notën mesatare te secilës lëndë për të gjithë nxënësit por dhe njoftimin e prindërve për mbledhje. Ka mundësi për dërgimin e rezultateve të nxënësve për çdo periudhë. Dëftesa është gjithashtu një risi, jo vetëm shkarkohet në sistem por mund të printohet nga prindi sa herë të dëshirojë. Drejtori gjithashtu mund të ndjekë performancën e klasës në secilën lëndë. Risi është edhe portofoli digjital i mësuesit.


Ndër kërkesat  imediate është shtimi i printimit të fletës informuese nga mësuesi, proces që as drejtori nuk mund ta bëjë, përveç nxënësve qe vijnë nga jashtë.  Mësuesit që punojnë me SMIP theksojnë se ky sistem është shumë i mirë, por ka nevojë për përmirësime. Do ishte e mira që çdo drejtues nëse jo administratori të kishte akses të plotë në sistem duke qenë se çdo gjë ruhet aty. Këto komente lidhen me sistemin, jo me infrastrukturën fizike në çdo shkollë e për çdo mësues apo për trajnimet që janë jashtëzakonisht të domosdoshme.


Mësuesi tashmë me programin Excel, bën llogaritje të mrekullueshme, pse jo dhe SMIP të bënte çdo gjë të kësaj natyre. Analizë për nxënësit, raporte për mësuesit, për drejtorin, pse jo edhe për institucionet e tjera mbikëqyrëse. Gjithashtu një problem që haset shpesh lidhet me transferimet. Nxënësit nuk i bashkëngjiten historiku, nëse vjen nga një shkolle tjetër me dy periudha, por shkolla pritëse duhet t’i vendosë vlerësimet apo të dhëna të tjera në mënyrë manuale. E njëjta problematikë reflektohet edhe me kurrikul, e cila në disa raste nuk përputhet midis shkollave të ndryshme.


Nuk kam informacion nëse të dhënat e mësuesve mund të komunikohen midis institucioneve që nga emërimi deri tek largimi i tyre nga puna, për dalje në pension, për transferim, largim me dorëheqje, etj.,

Ka mundësi që edhe shumë elementë të kartës se performancës së shkollës, të mund të gjenerohen direkt nga SMIP.


Në vendet e OECD, përfshirë Italinë, sistemet e informacionit arsimor janë më të integruara dhe të fokusuar në përdorimin e të dhënave për vendimmarrje strategjike dhe përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë. Sistemet italiane si shembull, përfshijnë:


  • Mbledhje të dhënash të detajuara për performancën e nxënësve, mësuesve dhe shkollave.
  • Raporte të personalizuara për mësuesin kujdestar dhe mësuesin e lëndës, që ndihmojnë në monitorimin e progresit individual të nxënësve dhe menaxhimin e klasës.
  • Sisteme të avancuara për vlerësimin e performancës së mësuesve dhe drejtuesve shkollorë, me fokus në zhvillimin profesional dhe trajnimin e vazhdueshëm.
  • Përdorim të të dhënave për të përmirësuar bashkëpunimin me komunitetin dhe për të adresuar nevojat sociale të nxënësve.


Ndryshe nga Shqipëria, ku sistemi SMIP është në zhvillim e sipër dhe fokusohet kryesisht në mbledhjen e të dhënave bazë dhe raportimin administrativ, sistemi italian është më i avancuar në përdorimin e të dhënave për menaxhim strategjik dhe përmirësim cilësor. Sistemi italian përbëhet kryesisht nga dy platforma kryesore:


1. SIDI (Sistema Informativo Dell'Istruzione)


  • Është një sistem i dedikuar për sekretariatet shkollore dhe administratën qendrore dhe rajonale të arsimit.  
  • Menaxhon të dhëna të shumta si: rrjeti shkollor (institucionet shtetërore dhe private), organizimi dhe funksionimi i ofertës arsimore (programet, nxënësit, stafi mësimor dhe administrativ), të dhëna financiare dhe kontabël, si dhe rilevime të ndryshme statistikore.  
  • Lejon verifikimin, përpunimin dhe menaxhimin e të dhënave nga përdorues të autorizuar (sekretari shkollor, drejtorë, administratë).  
  • Ofron manuale dhe udhëzime operative për përdoruesit.  
  • Përdorimi i tij është i rregulluar dhe kufizohet për qëllime pune, me monitorim të aktivitetit të përdoruesve.

2. Argo Software


  • Një suitë softuerësh që mbulon të gjitha fushat e menaxhimit shkollor: procesin mësimor, komunikimin shkollë-prindër, menaxhimin e personelit, financat, dokumentacionin dhe aktivitetet e përditshme.  
  • Ka një teknologji të avancuar dhe përdorim të thjeshtë, duke përmbushur kërkesat e përdoruesve (posta elektronike e certifikuar, firma digjitale, pagesa elektronike, etj.).  
  • Ofron një ndërveprim të fortë midis aplikacioneve të ndryshme për të optimizuar kohën dhe performancën e operatorëve shkollorë.


Gjithashtu, në Itali ekziston portali "Scuola in Chiaro", i cili është një mjet publik për familjet dhe përdoruesit që duan të gjejnë dhe krahasojnë shkolla bazuar në informacionet e përditësuara nga SIDI dhe vetë institucionet shkollore. Ky portal siguron transparencë dhe akses në të dhëna të rëndësishme për shkollat, ofertën arsimore, shërbimet dhe strukturat.


Krahasimet mund t’i bëni vetë. Këto sisteme duhet të jenë të integruara dhe të sigurojnë një menaxhim efikas dhe transparent të arsimit parauniversitar në Shqipëri. Nëse mbledhim të dhëna që në fund kulmojnë vetëm me dëftesën nuk besoj se është ndonjë arritje e madhe. Duhen krahasuar modele, për të pasur një sistem mjaftueshëm të mirë. Sot teknologjia të jep mundësi të kapësh kohën e të mos dallohesh ndër të tjerë.



© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,159 Lexime
8 orë më parë