1 QERSHORI

Sot është dita ime!...

Mësuesi Evans Drishti këtë shkrim të radhës ja dedikon festës së sotme, 1 Qershorit, por me qasje krejt të tjera... Çdo buzëqeshje e fëmijëve tanë është një burim jete apo jo! Por padyshim çdo buzëqeshje e tyre kërkon shumë mund, si nga prindërit ashtu edhe nga shoqëria ku jetojmë...

Ishte një zgjim i ndryshëm atë mëngjes, krahasuar me zgjimet e zakonshme, i pikënisjes verore, që në fakt duhet thënë se fundpranvera vijonte të mos na lëshonte, teksa e tërë nata kishte kaluar me ëndërrime dhe përfytyrime për lajtmotivin që do të shpaloste ajo e nesërme e ndritur, që padyshim do merrte ngjyrime të shumta edhe pse zymtësia e shpirtrave s’reshte së shfaquri në atë kohë. 

Orët e para të mëngjesit preokupoheshin me stolisjen fizike me veshjet më magjepsëse që shpalosnin edhe rrezatimet e asaj dite të veçantë. Rruga atë kohë ishte e gjatë, e megjithatë emocionet s’lejonin mërzitjen të lëshonte folezë në shpirtrat e tyre engjëllorë. Mbërritja në destinacion shënoi një orë aty afër mesditës, e pavarësisht lodhjes figurative atmosfera mikpritëse me grumbullin e madh të vogëlushëve të ardhur nga të katër anët e vendit, të veshur e të stolisur sa s’kishte ku të vente më, shoqëroheshin në çdo moment me buzëqeshjet e tyre plot energji diellore, pasi në fund të fundit ishte dita e tyre… Ambienti mu në qendër të qytetit ishte përgatitur enkas për atë ditë, ku ngado binin dukshëm në sy zbukurime aq rrezatuese dhe flakëruese sa në momente të ndryshme të krijonin përshtypjen edhe të një marramendjeje… 

Lojëra dhe lodra të pafundme shoqëronin vogëlushët si dhurata me shumë vlerë për ditën e tyre shpresëdhënëse, e natyrshëm edukatorët e tyre që u qëndronin pranë për çdo çast, si një mbështetje e hekurt dhe e sigurtë e lodrimeve fëmijërore. Muzika për fëmijë dhe hareja ishin emëruesi i përbashkët i asaj bote engjëllore, që as donte t’ia dinte se ç’kuptim mbarte e nesërmja e një dite të zakonshme, pasi shpirtdëlirësia e tyre ishte përherë mbizotëruese… 


*** 


Vitet e kaluara nxitimthi e kishin shtyrë në përhumbje të thellë idenë e “teatrit të kukullave” që për shumë kohë më parë kishte funksionuar në mënyrën më perfekte. Në atë kohë godina e teatrit të kukullave ishte përherë e tejmbushur dhe padyshim që “kukullat” ishin përherë personazhet më të shtrenjta për vogëlushët, pa të cilët as jeta s’kishte domethënie. 


Rikthimi pas shumë vitesh në një shfaqje teatrale me kukulla, e pikërisht në ditën e gëzueshme të fëmijëve përbënte më shumë se një event jetik. Të shumtë ishin edhe në këtë kohë vogëlushët pjesëmarrës që natyrshëm shoqëroheshin me prindërit e tyre. Skena teatrore dhuronte kënaqësi të pafundme dhe menjëherë të shtinte në atmosferën gjigante të “pyllit” dhe natyrshëm në botën e kafshëve, aq e dashur dhe e preferuar për vogëlushët. Një vëmendje e madhe e fëmijëve shoqërohej padyshim edhe me buzëqeshje shumëngjyrëshe që sa vinin e bëheshin edhe më shpërthyese nga skenat gazmore të kukullave të tyre të preferuara. Passhfaqja sillte edhe momentet më inkurajuese për vetë faktin e fotove që tashmë nuk mungojnë tek asnjë njeri nëpërmjet celularëve përkatës. Çdo shkrepje përjetësohet dhe si e tillë skalitet bukur në kujtesën fëmijërore… 


1 Qershori tashmë nuk shënon thjesht vetëm një pikënisje të një sezoni veror aq të dëshiruar për çdokënd, përkundrazi sjell edhe magjepsjen e vogëlushëve që në këtë ditë vihen në qendër të vëmendjes, veçanërisht prej familjarëve. 


Kush e ka mundësinë ekonomike, kuptohet për prindërit, padyshim që kjo festë dhe festimet marrin përmasa të dukshme, duke kapërcyer pse jo edhe ekstremet, ku nuk mungojnë veshjet më të spikatura, lodrat më të shtrenjta, e natyrshëm nisur edhe në rrethanat e sotme vjen edhe armata më e dëshiruar për fëmijët siç mund të jetë edhe “Celulari” me të cilin fëmijës i fal “një botë” të tërë, duke vijuar më pas me gatimet më të veçanta, festimet e larmishme me shoqërinë e fëmijës, madje për dikë - dikë edhe shëtitje që s’mbeten thjesht mbresëlënëse… 


Po ja që ka edhe nga ata që s’e kanë mundësinë “ekonomike” të realizimit të ëndrrave të tyre fëmijërore. Në të tilla raste vogëlushët mjaftohen ose me një lodër simbolike që prindi ka gjetur mundësinë t’ia dhurojë ose një ëmbëlsirë apo një gatim i këndshëm ose  një veshje e këndshme apo një vizitë në parkun e lodrave… 


E ndërkohë ekziston edhe një grup tjetër i vogëlushëve që për fatin e tyre të keq s’i përkasin asnjërit prej grupeve të lartpërmendura. Të tillët janë: jetimët e ndryshëm qoftë ato të institucionit të jetimores nëpër rrethe apo edhe jetimë që fëmijët i kanë në lagjet e tyre, fëmijë që jetojnë në varfëri të skajshme që mund të jenë nëpër periferitë e zonave urbane apo edhe në ato rurale, fëmijë e luftës që jetojnë në shtete të ndryshme jo vetëm në varfëri të dukshme, por edhe në kushte aspak të hijshme për rritjen dhe edukimin e tyre… 


Gëzojeni veten dhe bashkëmoshatarët tuaj 


• Zgjohuni herët në mëngjes dhe përqafoni prindërit tuaj, motrat dhe vëllezërit dhe u shprehni atyre respektin dhe dashurinë që keni për ta. 

Kujdesuni për rrobat tuaja që të jenë sa më të pastra dhe bëjini një surprizë bashkëmoshatarit tuaj duke i dhuruar edhe një rrobë nga gardëroba juaj e vyer. 

• Tregohuni i vëmendshëm për gatimet që u jep nëna dhe mos hezitoni të ndani me bashkëmoshatarin tuaj edhe një gatim që ju e pëlqeni së tepërmi. 

Merrni një libër nga biblioteka juaj, lexojeni bashkë me shokun apo shoqen që keni aty pranë, më pas dhurojani si dhuratën simbolike të ditës. 

Lodroni në parkun e lodrave dhe buzëqeshni bashkë me bashkëmoshatarët e juaj, mos lëndoni askënd gjatë lojës, përkundrazi jepni ndihmesën tuaj që edhe loja së bashku të bëhet akoma më interesante. 

Ndani me bashkëmoshatarët tuaj momente të gëzueshme të asaj dite, uluni së bashku të shihni televizor, shëtisni së bashku me biçikleta, ndërtoni së bashku lagjen apo qytetin tuaj të preferuar, shihni së bashku kafshët e juaja të preferuara të kopshtit zoologjik… 


Të nderuar prindër! 

Gëzojini fëmijët tuaj në këtë ditë të veçantë për ta. Natyrisht që çdo ditë e juaja bashkë me fëmijët që sollët në jetë mbetet përherë një ditë e veçantë që sjell lumturinë dhe harmoninë, por ka ditë dhe momente ku përjetimi i emocioneve është më i dukshëm, ashtu siç është edhe kjo ditë dhe kjo datë e 1 Qershorit. 


Lini pas preokupimet e juaja dhe kushtojuni vëmendje e sa më shumë dashuri vogëlushëve pasi, sikurse edhe e dini, çdo buzëqeshje e tyre është një burim jete për ju. 


Përpiquni të krijoni situata sa më komode për ta, brenda kushteve dhe hapësirave që zotëroni. Bëni gatimet që atyre u pëlqejnë, mblidhni edhe fëmijët e tjerë qofshin komshinj apo edhe të lagjes, serviruni nga ëmbëlsirat e juaja dhe do shihni se një tjetër kënaqësi do përjetohet atë ditë për ta dhe për ju. Argëtohuni sa më shumë me ta pasi mos harroni se fëmija është pjesë e qenies suaj, e shpirtit tuaj dhe detyrimisht kërkon të depërtojë në thellësitë e zemrës dhe mendjes suaj. Dëshmojini fëmijëve që jeni aty me ta dhe vetëm për ta… 


Mos hezitoni të vizitoni bashkë me fëmijën tuaj librarinë e qytetit dhe t’u dhuroni një apo disa libra të moshës së tij apo të saj. Mos harroni! Sa më pranë leximit të vihet fëmija aq më shumë zgjerohet diapazoni i tij dhe për rrjedhojë edhe ju e keni më të lehtë të bashkëpunoni në ndërtimin e botës së tij. 

Bashkëbisedoni me fëmijën tuaj për fjalët apo shprehjet më të bukura që duhet të dijë për moshën e tij dhe më tutje. 


Vizitoni me fëmijën vendet më të spikatura kulturore dhe historike të zonës. Le të kuptojë fëmija se prej nga e ka origjinën, kush janë të parët e tij, cila është tradita dhe kultura e tij… 


Grumbulloni në oborrin e shtëpisë të gjithë bashkëmoshatarët e fëmijës (veçanërisht të rrethit farefisnor) në mënyrë që fëmija jo vetëm t’i njohë më nga afër njerëzit e tij të dashur, por edhe të kuptojë natyrat njerëzore dhe mënyrat e sjelljes dhe veprimeve. 


Shkëpusni fëmijët qoftë edhe për pak orë nga lojërat e shumta të celularit, merrni pranë dhe dilni në ambiente të hapura qofshin ato parqe apo edhe buzë ujit të lumit, liqenit apo detit, shpjegojani fëmijës bukuritë dhe specifikat e natyrës që vogëlushi të kuptojë se gjelbërimi është një burim jete për të dhe për çdo qenie njerëzore. 


Ndërtoni bashkë me fëmijën tuaj “kalanë e jetës” qoftë e bërë prej balte, dheu, dërrase apo edhe material të tjera. Jepini mundësinë fëmijës të kuptojë se sa e rëndësishme është ndërtimi i një fortese të tillë dhe ç’mund të mbartë ajo brenda përbrenda… 


Mos harrojmë të nderuar prindër që për fatin e keq, duke vijuar të jemi në kushtet e një pandemie të padëshiruar ka shumë vogëlushë që s’mund të përjetojnë qoftë edhe një emocion të vetëm të bukurisë fëmijërore dhe madhështisë që duhet të zotërojë një fëmijë. Për rrjedhojë kontribuoni duke pasur pranë fëmijën tuaj që t’u dhuroni buzëqeshje edhe të tjerë vogëlushëve të shtresave të ndryshme. Kjo edhe për një arsye akoma më të volitshme, që fëmija juaj të kuptojë vlerën e pakontestueshme të asaj që zotëron, 

  • pikësëpari të shëndetit të plotë, 
  • të një foleze familjare të admirueshme, të cilën jo të gjithë mund ta kenë,
  • të lodrave që posedon, 
  • të rrobave aq të preferuara, 
  • të librave të ëndërrimeve të veta, 
  • të mjeteve të larmishme të rrugëtimit të fëmijërisë, 
  • të botës së tij… 

Jepni mundësinë fëmijës ta pohojë me gojën plot “Kjo është dita ime!...” 


Nga Evans Drishti 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.   

581 Lexime
4 muaj më parë