Strategji

Ta dashurosh prapë mësimdhënien

Zbehja e dashurisë ndaj ushtrimit të punës së dëshiruar, ka dalje dhe rikuperim. Kujtohuni se lumturia është në dorën tuaj. Ekspertët propozojnë disa metoda lehtësuese për t’ju ardhur në ndihmë.

Sfidat vetjake të një njeriu nisin kur gjendet mes ushtrimit të punës së dëshiruar dhe zbehjes së këtij pëlqimi në vite për arsye nga më të ndryshmet. Para pandemisë, si dhe tani që po flasim, mësuesit janë sprovuar me oraret e pambarimta të punës, reduktimin e lirisë personale, ankthin, stresin, sëmundjen. Lumturia është në dorën e secilit individ, ndërkaq zbehja e lumturisë vjen nga të mospasurit kontroll mbi faktorët e jashtëm. Pakënaqësitë mund të vijnë nga: financimi, organizimi në klasa, burokracitë e arsimit, ndryshimet klasore, përgjegjësitë personale, detyrat e pambarimta, trysnia e hierarkisë. Zbehja e dashurisë ndaj ushtrimit të punës së dëshiruar, ka dalje dhe rikuperim. Kujtohuni se lumturia është në dorën tuaj. Ekspertët propozojnë disa metoda lehtësuese për t’ju ardhur në ndihmë. 


1- Pyeteni veten “pse”


Çdo kërkim ndaj vetes dhe tjetrit nis duke pyetur mbi të vërtetën. Niseni me pyetje të thjeshta. Kur nisi zbehja e dashurisë ndaj profesionit? Çfarë ju bënte më parë të ndiheshit të lumtur? Sa optimistë jeni për të besuar një dalje jashtë kësaj gjendjeje të padëshiruar? Mësuesit shpesh i motivojnë nxënësit, duke u rikujtuar arsyen përse zgjedhin të studiojnë për profesione të caktuara, e shpesh këto argumente harrojnë t’ia propozojnë vetes. Të tilla pyetje janë të shëndetshme të aplikohen sa herë që mësuesit ndihen të trazuar së brendshmi.


2- Mos ndaloni kurrë së studiuari


“Unë akoma po mësoj”… u shpreh Mikelanxhelo ne shtratin e tij të vdekjes, si kumtesë se si qenie njerëzore ne jemi çdoherë duke mësuar dhe përvetësuar gjëra të reja. Pandemia i detyroi mësuesit të krijonin fleksibilitet me punën online, në një kohë rrufe dhe pa trajnimet e duhura në këtë mënyrë delikate mësimdhënieje. Trajnimet për mësuesit janë të domosdoshme për të mësuar strategji të reja në fushën e edukimit, të cilat vlejnë për lehtësim në punën mësues-nxënës. Nëse në të shkuarën ju si mësues keni rënë në dashuri me studimet dhe metodikat, mos u demoralizoni, gjithnjë ka diçka për të mësuar dhe përvetësuar. Tregohuni kreativë mbi menaxhimin mësimor, kështu do të jeni një hap para me rikuperimin e pasionit tuaj.


3- Pushimi është domosdoshmëri


E vetmja hallkë e mënjanuar në dy vite pandemi është pushimi afatgjatë. Mësimet dhe kurset e gjata online kanë shkrirë punën me jetën personale të mësuesve. Mos hezitoni të kërkoni pushim për të rimarrë veten dhe për t’u rikthyer në punë të mbushur me dëshirën për të edukuar. Produktiviteti ka ulje dhe ngritje në faza të ndryshme. Konsultohu me një psikolog, qoftë edhe brenda ambienteve shkollore, për të shprehur problematikat dhe vështirësitë që ju shqetësojnë. 


4- Lidhja bashkëpunuese me studentët


Shqetësimet më të forta të një mësuesi nisin kur nuk ndiqet me interes nga nxënësit. Në këtë fazë mësuesi, i cili ka investuar shumë vite duke mësuar dhe shijuar pasionin mbi mësimdhënien, papritur gjendet përballë nxënësve të painteresuar. Si të ndikojë mësuesi në ndryshimin e frymës bashkëpunuese në klasë? Kreativiteti luan rol kryesor, sikurse metodat e reja të mësimdhënies, ku mësimi nuk vjen mekanik, por me frymë bashkëpunuese.


5- Lidhja bashkëpunuese me kolegët


Kur shqetësimet me nxënësit vihen re dhe nuk zgjidhen nga mësuesi, do të ishte e udhës bisedimi me kolegët e punës. Ura e komunikimit ndihmon për të kuptuar dhe zgjidhur morinë e problematikave shkollore. Si mësues ti nuk mund të jesh kurrë i vetëm në kauzën për arsim më cilësor. Një tjetër mësues mund të jetë përballur me të njëjtat shqetësime dhe mund të gëzojë metoda që mund t’ju vijnë në ndihmë. Një edukim i mirë vjen nga fryma bashkëpunuese e një ekipi të madh profesionistësh. Bashkëpuno për të kuptuar më mirë.


6- Rimodeloni klasat tuaja


Nxënësit shquhen për humbje të interesit, kur bien në përsëritje. Mësimi mekanik është i dëmshëm si për mësuesin, ashtu edhe për nxënësin. Për t’i dhënë klasave tradicionale një shkëndijë argëtuese, atëherë mësuesit duhet të mendojnë metoda kreative, ku mund të përfshini lojërat, kuicet, konkurset, ose duke dalë në natyrë në një ditë të ngrohtë me diell, për ta bërë mësimin më tërheqës dhe interesant. 


Përgatiti: Xhoana Jaku 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,482 Lexime
2 vjet më parë