BOTA E FËMIJËVE

Të hysh në botën e fëmijëve, pa trokitur...

Fjala e fëmijëve është më e natyrshmja, më e çiltra. Dhe sa herë hyn në këtë magji fjalësh, kupton se mirësia e tyre është më e pastër se gjithçka që frymon. EMOCION.

Të merresh me redaktimin e librave, sidomos me materiale që i përkasin letërsisë për fëmijë, është si të hysh në parajsën shumëngjyrëshe të pastërtisë dhe dëlirësisë së tyre. Është si të bashkëbisedosh me ta, të ndalosh e të veprosh me ta, t’i dëgjosh dhe të pranosh përgjigjet e tyre, të qash e të qeshësh me ta, të trishtohesh dhe të gëzohesh me ta, të mësosh prej tyre. 


Ata janë simboli i mirësisë, i dashurisë për njerëzit më të afërt të familjes, por jo vetëm për ta. Gojëmbël, çamarrokë, të padjallëzuar në pastërtinë e tyre, admirues të kafshëve, të luleve, të të gjitha qenieve frymuese, pasqyrë e bukurisë natyrore dhe njerëzore. 


A ia dalin ata që me dëlirësinë dhe mirësinë e tyre t’i ndryshojnë njerëzit me të cilët udha i ndesh? A triumfon mirësia e tyre në një botë ku ligësia, thashethemet, varfëria, djallëzia bashkëjetojnë? A mundin ata t’u thonë të gjithë fëmijëve, se jeta është më e shëndetshme, më e bukur, më kuptimplotë nëse e do me gjithë shpirt gjithçka që të rrethon? 


Po, ata munden! Dhe jo vetëm si personazhe në librat për fëmijë, por edhe në jetën e vërtetë. Historia dhe magjia që ata përcjellin, zbulojnë fëmijën brenda të rriturit. U japin përgjigje pyetjeve dhe paqartësive që vetë të rriturit (prindërit, gjyshërit, të afërmit e tyre) kanë. Fëmijët bëjnë ndryshimin. Na tregojnë se në këtë botë ka edhe MIRËSI.


Të dashur prindër e mësues, mësojuni fëmijëve të lexojnë! Ushqejini me dashurinë e fjalës së bukur. Tregojuni se bota është plot ngjyra dhe se gjithçka ka zgjidhje. Zbuloni ëndrrat që flenë në mendjen e tyre të bukur. 


Për ty prind që për shumë arsye s’mundesh t’i qëndrosh aq pranë, bliji një libër një laps e një fletë. Dhe ai do ta gjejë vetë rrugën për t’i përdorur dhe për të shprehur gjithë magjinë e fantazisë dhe të çiltërsisë së tij. Dhe ai do të bëhet më i mirë. 


Fjala e fëmijëve është më e natyrshmja, më e çiltra. Dhe sa herë hyn në këtë magji fjalësh, kupton se mirësia e tyre është më e pastër se gjithçka që frymon. EMOCION.



Artemisa Bushi

Redaktore në Shtëpinë Botuese ALBAS

2,320 Lexime
5 vjet më parë