Mësimdhënie

Teknikat dhe strategjitë në shkollë me fëmijët e spektrit të autizmit

“Mos prisni që nxënësi me Autizëm ta zbatojë një komandë shabllon. Duhet parë dhe analizuar gjendja emocionale. Strategjitë dhe teknikat mund të jenë të përgjithshme por mënyra se si do të trajtohen për secilin nxënës është e ndryshme”, shkrim nga Lorena Boçi, mësuese në shkollën Speciale Zëra Jete, Elbasan.

Shkolla është dhe do të mbetet institucioni i vlerave arsimore dhe të edukimit. Mësuesi nëpërmjet klimës së ngrohtë që krijon dhe që duhet të krijojë në raportin nxënës-mësues, arrin të ketë rezultate, përsa i përket mësimdhënies-mësimnxënies, respektit dhe dashurisë. Roli i mësuesit kthehet në një sfidë nëse do ta kthejmë shikimin në shkollat speciale. 


Mësimdhënia është veprimtari e organizuar, sistematike, krijuese, interaktive, institucionale. Synimi është përvetësimi i njohurive, shkathtësive e shprehive, si edhe aftësimi nxënësve në  vazhdimësi. Çështja e kualitetit të marrëdhënies mësues – nxënës është element i rëndësishëm për të  gjitha aspektet e menaxhimit të klasës. Mjedisi i të nxënit, shprehitë sociale, sjelljet agresive, vlerësimi apo ndërhyrja tek këto sjellje zënë një vend shumë të rëndësishëm.


Tashmë autizmi nuk është një fenomen i ri apo i panjohur nga shoqëria.

Fëmijët me aftësi të veçanta, frekuentojnë, mësojnë, edukohen dhe përshtaten me rregullat e shkollës. Mësuesit përdorin aftësitë e tyre bindëse nëpërmjet metodave të ndryshme, duke qenë sa më praktik.

Prindërimi është një stad i jetës ku ndjenjat bëhen më të forta më empatike. Gjatë bisedës me prindin e njohim më shumë nxënësin (fëmijën). Është e rëndësishme që prindi të mos fshehë asgjë gjatë tregimit të historikut të tij.


Autizmi përfshin një spektër të gjerë simptomash por duhet theksuar fakti që fëmijët me autizëm nuk janë asnjëherë njësoj në shfaqjen e simptomave.


Një mjedis klase i përshtatshëm për këta nxënës karakterizohet nga struktura dhe organizimi, ku pajisjet dhe materialet e nevojshme lejojnë akses të mirë te nxënësit.

Nxënësit me aftësi ndryshe kanë karakteristika të ndryshme personale në sjellje, interesa e qëndrime ndaj mësimit, sikurse dhe çdo grup tjetër i nxënësve në shkollë. Udhëzimet dhe metodat në mësimdhënie për këta fëmijë duhen planifikuar, menaxhuar dhe vlerësuar me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme. Nëse detyrat mësimore nuk janë planifikuar si duhet, këta nxënës mund të frustrohen e të mos përfshihen në procesin mësimor.

Objektivat dhe përmbajtja e mësimit duhet të përputhet me nevojat e nxënësit dhe me nivelin e tij të aftësisë.

Me rëndësi është të shihet përdorimi i të gjithë kanaleve të të nxënit si ato vizive, auditive, taktile dhe kinestetike.

Mësuesit për të pasur një menaxhim sa më të mire të nxënësit duhet të përdorë materiale mësimore duke përfshirë edhe ato konkrete duhet të jenë të përshtatura e në përputhje me moshën kronologjike, interesat dhe aftësitë e nxënësit. Mësuesit gjatë punës së tyre duhet të jenë në gjendje të përshtaten dhe të modifikojnë detyrat ose procesin e mësimdhënies duke përfshirë të gjithë nxënësit në mësim duke mos përjashtuar, punën individuale.


Ne mësuesit zbatojmë teknika te ndryshme:


1-E folura-gjuha dhe komunikimi: ndihmojnë fëmijët me Autizëm të përmirësojnë aftësitë e tyre për të folur, të kuptojnë gjuhën dhe të komunikojnë me të tjerët. Me anë te pyetjeve ndihmëse provojmë të shmangim përgjigjet që vijnë në mënyrë të imituar, duke iu përgjigjur pyetjes po me pyetjen e bërë. Kjo mund të përfshijë trajtimin e aftësive të të folurit, gjuhës dhe komunikimit dhe shprehjes së ndjenjave. 


2-Loja: Loja ndihmon fëmijët me autizëm të mësojnë aftësi të reja dhe të ndërtojnë lidhje sociale. Duke përfshirë lojëra interaktive dhe ndërveprimin me lojëra të tjera dhe fëmijë të tjerë. Lodrat  duhet të jenë jo të gjurmshme, por të zhvillojnë fantazinë (konceptet; brenda-jashtë, forma, ngjyra, renditje, vendosje të rregullt ,etj). Gjatë lojës të mos jemi vëzhgues por pjesë aktive e lojës së tyre, duke krijuar një dialog sado i vështirë ose njëanshëm të jetë. KUJDES! Shmangni p.sh: lodrat e thyeshme, zara, lidhëse. 


3-Motivimi: është gjithmonë primar dhe kryesor në lidhje me progresin e fëmijës ose le të themi më mire me anën emocionale. Është gjithmonë një nga mënyrat për t’a tërhequr fëmijën dhe duke e njohur fëmijën ne përzgjedhim diçka qoftë kjo: lodër, aktivitet fizik apo kompjuter (bëj detyrën që të arrish atë që dëshiron).


4-Stimulimi: Duhet patjetër t’i stimulojmë që të marrim kënaqësi nga progresi i tyre por qe dhe ata t’a pëlqejnë punën ose detyrën e tyre. Stimuli që do të përdoret për të nxitur fëmijën dhe motivuar gjatë punës është zgjedhur më parë dhe fëmija e di shumë mirë se çfarë do të marrë. Materiali konkret ose figura që ka stimulin do të qëndrojë në qoshe të bangës, e dukshme, që fëmija ta shoh atë vazhdimisht. 


5- Vendosja e rregullave në klasë në një vend të dukshëm dhe rishikoni e ripërsëritni rregullisht ato. Rregullat të jenë të shoqëruara me fjalë dhe figura njëkohësisht sepse ka fëmijë që nuk lexojnë ose shkruajnë ndryshe disleksi. Kërkojuni nxënësve të kthehen duke lexuar ose vendosur dorën te figura (për të cilën kanë nevojë) rregullisht rregullat si pjesë e rutinës ditore.


6-Sjellja: Me anë të sjelljes ne do të ndihmojmë fëmijët me Autizëm të fitojnë sjellje të reja dhe pozitive si dhe të ndryshojnë sjelljet e dobëta dhe të dëmshme. Fëmija me Autizëm ka tendencë për të kopjuar “figurën”ose modelin që ka përpara më të rriturin qoftë ky prindi, motra, vëllai, mësuese ose shokun/shoqen atëherë na del për detyrë që me anë të sjelljes tonë si model bazë dhe si pasqyrë ku fëmija të mund të shoh veten, të nxjerrim në pah anët tona më të mira në: vetëshërbim, socializim, përdorim i fjalëve përshëndetëse, nëpërmjet bashkëveprimit dhe marrëdhënies që do krijohet me fëmijën.


7-Vizatimi: Me anë të kësaj metode fëmijët me Autizëm mësojnë të kenë aftësi vizuale dhe mënyrën se si e perceptojnë ata ambientin që i rrethon. Gjatë vizatimit shikojmë se si fëmija përdor ngjyrat (të ndezura apo të buta) se si lëviz dorën gjatë ngjyrosjes, se sa fort ose lehte e mban lapsin. Gjithashtu e lidhim me anën me kujtesën vizuale: vizato një lule pa e parë në model, një shtëpi, pemë ose pyetje e drejtuar; çfarë të pëlqen të vizatosh më shumë?


8-Muzika: Mund të ndihmojë fëmijën të përmirësojë aftësitë sociale dhe komunikuese. Kjo mund të përfshijë ndërveprimin me instrumente muzikore, këngë dhe lojëra me muzikë. Muzika ritmike, fjalë lehtësisht të kuptueshme, gjatë këngës, të ketë shprehje të mimikës-veprimeve të duarve-këmbëve.


9-Puna në grup: Ndihmon duke ndikuar pozitivisht në ndërtimin e marrëdhënieve sociale duke pranuar shokët pranë vetes së tij. Fëmija do të mësohet se jo vetëm duhet të marri gjëra dhe sende por edhe duhet t’i japë në momentin që i kërkohet. Është shumë mirë që kjo marrëdhënie të krijohet nga bashkëmoshatarët.


Mos prisni që nxënësi me Autizëm ta zbatojë një komandë shabllon. Kjo është e lidhur me faktorë të jashtëm dhe të brendshëm të fëmijës. Duhet parë dhe analizuar gjendja emocionale.


Strategjitë dhe teknikat mund të jenë të përgjithshme por mënyra se si do të trajtohen për secilin nxënës është e ndryshme. Duhet theksuar se dy fëmijë me autizëm nuk janë njësoj ato dallohen nga aftësitë specifike individuale që mbartin. Për këtë na shërben hartimi i planit PEI (Plani Edukativ Individual). Shtrirja në kohë e temave mësimore na ndihmon të njohim më mire nxënësin dhe deri sa mund të arrijë nxënësi, për të pasur  progres të kënaqshëm.


Edhe pse sfidat mund të jenë të shumta, mësuesit janë ata të cilët përmes përdorimit të strategjive dhe teknikave të ndryshme të jenë në gjendje të organizojnë orë dinamike dhe të këndshme. Mësuesi duhet të jetë në gjendje të koordinojë aktivitetet e grupeve si dhe, të jetë bashkëpunues dhe të mbajë kontakt të vazhdueshëm me nxënësit. 




Nga Lorena Boçi, mësuese në shkollën Speciale Zëra Jete, Elbasan.

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,819 Lexime
5 muaj më parë