Udhëzimi i MAS për vlerësimin e të nxënit

Nota do të jetë shumatore e tre vlerësimeve: atij të vazhdueshëm, vlerësimit të testit vjetor dhe portofolit të nxënësit. Në çdo lëndë do të vlerësohen 8 kompetenca të të nxënit, midis të cilave dhe ajo dixhitale

Mos ma lësho dorën! Javën e kaluar isha me prindër të tjerë në një takim informues në shkollën e fëmijëve lidhur me udhëzimin e ri të Ministrisë së Arsimit për vlerësimin e të nxënit. Sipas këtij udhëzimi, nota do të jetë shumatore e tre vlerësimeve: atij të vazhdueshëm, vlerësimit të testit vjetor dhe portofolit të nxënësit. Në çdo lëndë do të vlerësohen 8 kompetenca të të nxënit, midis të cilave dhe ajo dixhitale. Kaq u desh! Sa u përmend fjala “dixhitale”, u harrua fare vlerësimi, ndërsa prindërit i prisnin fjalën njëri-tjetrit me një lumë pyetjesh dhe shqetësimesh për fëmijët që harxhojnë kohë në internet ose në aplikimet në rrjet nëpërmjet regjistrimeve në programe që vetë prindërit nuk i njohin. Disa ia hidhnin fajin shkollës për numrin e madh të projekteve që i shtyjnë fëmijët drejt internetit për të kopjuar dhe printuar informacione që nuk i mbesin gjëkundi, dije që ikin, etj. Mësuesja, edhe ajo prind, na shpjegoi se kompetenca dixhitale është pikërisht e kundërta: përdorimi i teknologjisë për të nxitur inovacionin, për të komunikuar dhe bashkëpunuar duke përfshirë komunikimin në distancë për zhvillimin e njohurive. Takimi u mbyll me një shkëmbim eksperiencash për disiplinimin e fëmijëve përsa i takon internetit, por ndërkohë pyetja që mbeti pa përgjigje ishte: si të sillemi me fëmijët në epokën e internetit?

Nuk është vetëm problemi ynë. Kudo në botë, prindërit po përballen me këtë sfidë të re për prindërit dhe shoqërinë. Revista presigjioze amerikane TIME kishte në kapakun e saj këtë muaj historinë e brezit të prindërve që quhen “milenialë” ose të mijëvjecarit dhe raportet e tyre me fëmijët. Nën titullin, “ Ndihmë, prindërit e mi janë milenialë”, fotoja tregonte një bebe në karrocë dhe sipër tij/saj duar të rriturish me smartfonë, me gjasë për foto. Bazuar në një studim të fundit, revista tregonte seteknologjia po ndryshon mënyrën sesi bëhet prindërimi sot. Prindërit e sotëm janë fëmijët e teknologjisë për ta thënë në një mënyrë të thjeshtë. Ata po e shijojnë teknologjinë e informacionit si lodër, ndërsa teknologjia u mundësoi atyre më shumë kohë të lirë. Ndërsa nënat tona ishin të zënë duke larë rrobat me dorë a enët, makinat larëse dhe robotët e guzhinës, i bëjnë këto për ne. Puna për prindërit tanë mbyllej rreth pasdites, ne nuk e kemi këtë luks, sepse ndërsa sot jetojmë më mirë, punojmë më keq. Edhe më shumë, sigurisht. Kjo nuk na lë kohë për fëmijët, duke ia besuar argëtimin e tyre një bote me shumë rreziqe, siç është interneti. Në fakt, kjo çështja e kohës po rezulton më shumë një justifikim, pasi studimet e fundit që u referohet dhe shkrimi i TIME thonë se prindërit e sotëm qëndrojnë më shumë në shtëpi se brezi i prindërve të tyre.

Mos po e teprojmë? A është interneti një përbindësh? Të mos harrojmë se interneti ka mundësuar që njerëzit të bëhen bashkë për kauza të rëndësishme, të ndihmojnë dikë, u ka dhënë hapësirë dhe zë atyre që s’kanë, u ka dhënë mundësi të shprehin veten miliona artistëve anembanë botës. Po, por interneti ka dhe anët e veta të errëta si pedofilia, pornografia, shantazhet,ngacmimin seksual, abuzimin psikologjik, indoktrinimin, izolimin social, bulizmin. Si t’i mbrojmë fëmijët tanë nga këto rreziqe, kur beteja jonë për të kufizuar përdorimin e tepruar të telefonisë celulare është “antihistorike, humbëse dhe e pashpresë”, siç thotë gazetarja dhe shkrimtarja italiane Daria Bignardi?

Në një përpjekje të fundit , si përfaqësuese e denjë e brezit “kur lexoheshin gazeta dhe konsumoheshin pasdite të gjata çlodhëse nën tingujt e një kitare apo leximit të një libri”, Bignardi përdor gjykimin e një psikologeje amerikane, Sherry Turkle, e cila ka arritur në përfundimin se “nënshtrimi ynë entuziast ndaj teknologjive dixhitale ka sjellë një atrofizim të aftësive humane, si psh empatia dhe reflektimi i brendshëm. Ka ardhur momenti që të ripohojmë veten tonë, duke u sjellë si të rritur dhe ta vendosim teknologjinë në vendin e duhur.” Turkle sugjeron që duhet nisur nga bisedat. “Sepse të flasësh me dikë të detyron dhe të stërvit për empatinë edhe pse biseda mbart me vete rrezikun e të qënit i mërzitshëm, kushtin që smartfonët na kanë mësuar të kemi frikë mbi gjithçka, po edhe kushtin në të cilën zhvillohet durimi dhe imagjinata.”

Pra, së pari të fillojmë të flasim me fëmijët tanë, edhe me rrezikun e të qënit të mërzitshëm. Të informohemi më shumë si prindër për botën virtuale dhe të udhëtojmë bashkë me fëmijët në të, duke mos e ulur asnjëherë vigjilencën. Le të zbatojmë të njëjtin parim me fëmijët që në mënyrë të natyrshme na vjen në botën reale: duke i mbajtur për dore sa herë kalojnë rrugën. Fakti që përdorin teknologjinë më mirë se ne, nuk i bën më të rritur. Ata vazhdojnë të jenë fëmijë, kanë nevojë të zhvillohen normalisht dhe të mësojnë nga prindërit e tyre gjëra që aparatet e ftohtë nuk ua japin dot. Kanë nevojë të mësojnë të dëgjojnë, të kenë durim, të dëgjojnë veten e tyre. Kanë nevojë të marrin dhe të japin emocione, ndjesi. Kanë nevojë të dinë se jo çdo gjë që shkruhet në internet, është e vërtetë. Se miqësitë dhe shoqëria nuk bëhet me “kërkesë në Facebook”. Fëmijët dhe prindërit bashkë duhet të fillojnë të kuptojnë median dhe teknikat e saj për marketing e klikime të shumta, në mënyrë që ta përdorin ata median dhe jo media ata. Ka ardhur koha që alfabetizimi mediatik të bëhet pjesë themelore e programit tonë shkollor dhe edukimit të vazhdueshëm.

Në fund, shteti me agjensitë e veta duhet të marrë masa për mjedis të sigurt online duke vendosur rregulla për operatorët e industrisë së telekomunikacionit dhe hapësirat ku ofrohet shërbimi i internetit, përfshirë shkollat. Kam frikë se nëse Ministria e Arsimit do të maste kompetencën dixhitale të prindërve, e sigurt është që shumica prej tyre do të ngelnin. Por a mund të rrezikojmë të kemi këtë situatë kur fëmijët nuk janë kompjutera që riformatohen? Ndërkohë fëmijët janë aty duke na folur në heshtje: mos ma lësho dorën o ma/ba!

(Nga Valbona Sulçe)

5,250 Lexime
8 vjet më parë