HISTORIK

Zhvillimi i Arsimit Gjithëpërfshirës në Shqipëri, një vështrim konciz

Në këtë material do të keni mundësi të njiheni me një historik të shkurtër të Arsimit Gjithëpërfshirës në Shqipëri dhe me disa përkufizime që lidhen me të. Materiali është përgatitur nga Save the Children.

Përpjekjet e para për arsimin gjithëpërfshirës në Shqipëri datojnë në fillimin e viteve 1990. Në periudhën kohore 1994-2000, falë mbështetjes së një numri të madh organizatash ndërkombëtare, u aplikuan edhe projektet e para në kopshtet dhe shkollat e vendit. Edhe pse rezultatet e para ishin premtuese, për shkak të mungesës së ndihmës financiare të qeverisë, këto projekte e ulën gradualisht impaktin që kishin deri sa u ndalën krejtësisht. 


Në këtë periudhë, në ndryshim nga organizatat, përpjekjet më të mëdha të institucioneve drejtuese të arsimit u përqendruan në ngritjen dhe përmirësimin e kushteve në institutet dhe shkollat speciale siç ishin instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë dhe instituti i nxënësve që nuk shikojnë e shkollat speciale në rrethe të ndryshme, shkolla dhe institute të hapura që në vitet ’60. 


Në Dispozitat Normative për Arsimin Publik të vitit ’96, për herë të parë u theksua ideja se integrimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në shkollat e zakonshme konsiderohej një proces i pakthyeshëm dhe bashkëkohor për më të mirën e fëmijëve dhe të vetë shkollave. Gjithçka do të varej nga natyra e kurrikulës, organizimi i shkollës, gatishmëria e mësuesve dhe aftësia për t’iu përgjigjur diversitetit të nxënësve. 


Në vitin ’97, Qendra e Zhvillimit të Fëmijëve në Tiranë ndërmori një projekt që synoi integrimin e fëmijëve me AK në shkollat e zakonshme. Paralelisht me praktikat e para integruese, u zgjua interesi për identifikimin e fëmijëve me AK në shkallë vendi dhe për njohjen reale të problemeve të tyre lidhur me arsimimin. 


Në vitet 2000-2001 nis fazën e tij të parë projekti “Arsimi Special i Integruar” nga MEDPAK. Projekti arriti të ndërthurë me sukses modelin bashkëkohor të arsimit gjithëpërfshirës me përvojën tonë të edukimit në përgjithësi duke gjeneruar në këtë mënyrë një variant shqiptar të gjithëpërfshirës. Falë tij u arrit më në fund të bëhet realitet gjithëpërfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta në shkollat e zakonshme pranë vendbanimeve të tyre


Suksesi i projektit të mësipërm e nxiti MAS-in që, në dhjetor 2002, të aprovonte Dispozitat Normative të Arsimit Parashkollor ku përfshihet për herë të parë koncepti i arsimit gjithëpërfshirës dhe një sërë rregullash për ta bërë të mundur zbatimin e tij në praktikë. Megjithatë, këto dispozita nuk mundësonin disa nga kërkesat dhe shërbimet bazë për këta nxënës, si p.sh. prania e mësuesit ndihmës, e ekipit të hartimit të PEI-t etj. 


Në korrik 2003, Save the Children dhe shoqata “Ndihmoni Jetën” nisin një projekt që synon krijimin e një përvoje të ndërhyrjes edukative gjithëpërfshirëse më të hershme sesa arsimi i detyruar. 


Në vitin 2004 miratohet Strategjia Kombëtare për PAK ku politikat për arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara zënë një vend të rëndësishëm. Me plotësimin e kuadrit ligjor, morën hov një sërë nis MAS dhe përpjekjesh për arsimin gjithëpërfshirës. Save the Children, në bashkëpunim me Shoqatat “Ndihmoni Jetën” e MEDPAK, Drejtorinë Arsimore Rajonale të Beratit si dhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, që nga viti 2004 e në vazhdim ka mbështetur procesin e arsimimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat e arsimit të detyruar. Në saje të kësaj mbështetjeje, një numër i konsiderueshëm fëmijësh me aftësi të kufizuara dhe vështirësi në të nxënë në qytetet Tiranë, Berat dhe Librazhd kanë përfituar një arsimim më cilësor dhe të përshtatur me veçoritë e tyre individuale. 


nga viti 2008, me kërkesën dhe mbështetjen e MAS-it, ky projekt është shtrirë edhe në tre rajone të tjera: Vlorë, Gjirokastër e Korçë. 


Një tjetër hap i madh në rrugën e gjatë drejt arsimit gjithëpërfshirës ishte edhe ligji i ri, miratuar më 21 qershor 2012, që premton të çojë në një fazë të re përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në kopshtet dhe shkollat e zakonshme.



Përkufizime 


Aftësi e kufizuar intelektuale: term që përdoret për personat me aftësi të kufizuar që karakterizohen nga kufizime të ndjeshme si në funksionimin intelektual ashtu edhe në sjelljen e përshtatshme.


Aftësi e kufizuar zhvillimore: është një term ombrellë i cili nënkupton çdo aftësi të kufizuar që shfaqet para moshës 22 vjeçare dhe që vazhdon gjatë gjithë jetës. 


Arsim i detyruar: është arsimi bazë, i njësuar dhe i përgjithshëm. Shkolla e arsimit të detyruar përfshin dy cikle: ciklin fillor dhe ciklin e lartë. Shkolla e arsimit të detyruar mund të jetë shkollë me cikël të plotë ose shkollë me kohë të shkurtuar. 


Arsim gjithëpërfshirës: mjedis mësimor që mundëson akses, akomodim dhe mbështetje për të gjithë nxënësit. Arsim gjithëpërfshirës do të thotë që shkollat duhen përshtatur për të gjithë fëmijët, pavarësisht kushteve të tyre fizike, intelektuale, sociale, emocionale, gjuhësore ose kushte të tjera. Arsim integrues: u referohet masave që merren për të siguruar arsim në sistemin e shkollave të zakonshme me pak mbështetje ekstra (p.sh. klasa burimore, mësues mbështetës etj.) për fëmijët me nevoja të veçanta.


Arsim special: çdo fëmijë është i veçantë dhe çdo fëmijë ka nevojë për mbështetje në procesin e zhvillimit dhe të përshtatjes në jetë. Disa fëmijë kanë më shumë nevojë se të tjerët gjatë viteve të shkollës. Kjo ndihmë e veçantë, speciale, njihet ndryshe si arsim special.


Autizëm: është një çrregullim i zhvillimit që karakterizohet nga vështirësi të mëdha në komunikim dhe në formimin e marrëdhënieve me njerëzit e tjerë si dhe në përdorimin e gjuhës dhe koncepteve abstrakte.


Biopsikosocial: ICF (Klasifikimi Ndërkombëtar i Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit, OBSH, 2001) përcakton modelin biopsikosocial të aftësisë së kufizuar, sipas të cilit shëndeti i një personi nuk ka të bëjë vetëm me veçoritë e tij anatomike dhe fiziologjike (pjesët e trupit dhe strukturën e tij). Ky model njeh faktin që shëndeti i një personi ndikohet gjithashtu nga (a) faktorë të tjerë të lidhur me vetë personin (d.m.th. me individin si i tërë, personalitetin e tij, përbërjen e tij sociale dhe kulturore) dhe (b) faktorët mjedisorë (që përfshijnë kontekstin fizik dhe social).


Çrregullime të të nxënit: vështirësi në mësimin e aftësive specifike të tilla si leximi, gjuha apo matematika. Ato prekin aftësinë e njerëzve si në interpretimin e asaj që shohin dhe dëgjojnë, ashtu edhe në lidhjen e informacionit.


Kornizë kurrikulare: dokumenti themelor i kurrikulës ku përshkruhen synimet e përgjithshme të saj, kompetencat themelore, rezultatet e pritshme për nxënësit për sa i përket dijeve, aftësive dhe qëndrimeve në fund të arsimit bazë dhe atij të mesëm të lartë, synimet e fushave të të nxënit dhe parimet e përgjithshme të procesit të mësimdhënies e të mësimnxënies e të vlerësimit të nxënësve.


Kurrikula: tërësia e dokumentacionit si korniza kurrikulare, plani shkollor, programi mësimor, teksti dhe materiale të tjera të një lënde apo fushe lëndore dhe gjithë veprimtaria e organizuar në mjedisin e të nxënit për të siguruar një formim të caktuar të atyre që mësojnë.


Mësues i arsimit special: mësues i trajnuar për të ndihmuar nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.


Nxënës me aftësi të kufizuara: nxënës i cili ka dëmtime afatgjata fizike, mendore, shqisore, të sjelljes ose të kombinuara të cilat, në ndërveprim, mund ta pengojnë të marrë pjesë në mënyrë të plotë dhe të barabartë në arsimimin e tij dhe në jetën shoqërore.


Nxënës me nevoja të veçanta: janë ata nxënës që kanë nevojë për shërbime të veçanta për të aksesuar arsimin dhe maksimalizuar potencialin e tyre të të nxënit.


Pajisje ndihmëse: janë instrumente ndihmëse, aplikacione, teknologji dhe sisteme të tjera mbështetëse që shërbejnë për të lehtësuar të nxënit e fëmijëve me aftësi të kufizuara në veçanti dhe atyre me nevoja të veçanta arsimore në përgjithësi.


Shkollë speciale: një shkollë që mundëson arsimim dhe shërbime të tjera të ngjashme vetëm për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe përbëhet nga mësues të trajnuar specifikisht për të punuar me këta fëmijë.



(Material nga Save the Children, Portali Shkollor)

7,332 Lexime
4 vjet më parë