Koha në mësimnxënie

A ekziston “koha e lirë”? - Nga Evans Drishti

“Mëso njëherë, pastaj në kohën e lirë merresh me ç’të duash”- kjo është një frazë e gabuar pasi anashkalohet ideja se nëpërmjet konceptimit të qartë dhe angazhimit produktiv në një organizim social apo impenjim për zhvillim të hobeve, arrijmë rezultate tepër të kënaqshme edhe në procesin shkollor.

Kishte dalluar në natyrën e tij një dhunti, një talent, një aftësi që sa vinte bëhej akoma më i dukshëm, kuptohej nëpërmjet punimeve që realizonte herë pas here dhe në vijimësi. S’kishte javë që të mos sillte qoftë edhe një punim, sado i vogël në dukje të ishte. Punimet ishin vërtet për t’u admiruar, pasi në fokus ishte përdorimi pikërisht i letrës, në forma të ndryshme, në mënyra të ndryshme, në konfigurime të ndryshme, por që secila në vetvete pasqyronte diçka domethënëse dhe pse jo edhe intriguese. Mund të shihje qartazi objekte të larmishme të realizuara prej letre, diku një formë gjeometrike, diku një formë shpendi apo kafshe, diku edhe forma interesante ndërtesash apo objektesh. Natyrshëm secila mbarte në vetvete një përkushtim tejet të madh e mbi të gjitha një zgjuarsi të theksuar dhe një logjikë admiruese dhe tërheqëse njëkohësisht dhe natyrshëm, për secilën ishte harxhuar një kohë e caktuar. Sa herë që e shihte mësuesi shfaqte një mahnitje të kuptueshme që lexohej mu në bebëz të syrit. Seç ishte krijuar një ndjesi se ato punime të realizuara aq këndshëm kryheshin në të ashtëquajturën “kohë e lirë” dhe për më tepër brenda një kohe tejet të shkurtër, por ja që s’rezultoi e tillë, pasi në një bisedë të këndshme e realizuar në një ambient shkollor djaloshi shprehej qartazi, i mbështjellë edhe nga një modesti e dukshme, që natyrshëm i dhuronte mirësi të shumta dhe padyshim edhe urtësi, se një punë e tillë kërkonte delikatesë dhe finesë, e sigurisht edhe një kohë jo aq të shkurtër. Shprehej gjithashtu djaloshi se impenjimi i tij kërkonte një përkushtim dhe vëmëndje shumë të veçantë për vetë faktin se duhej krijuar një ide e qartë në mëndje për ta reflektuar më pas në formën që do merrte letra sipas objektit që do realizohej. Kërkohej intuita sipas tij në gjykimin e kthjelluar të formave dhe materialeve shtesë që do viheshin në ndihmesë për realizimin e atij objekti, e kështu s’mund të mendohej se gjithçka arrihej në një “kohë të lirë”…  


Një ditë të caktuar mësimdhënësi ideon një projektim, ku vë në qendër të vëmëndjes pikërisht djaloshin aq kreativ, por këtë herë edhe në bashkëpunim me bashkëmoshatarët e tjerë. U rezervua një kohë e caktuar që natyrshëm nuk përkonte thjesht me një orë mësimore, por ku u deshën disa orë të mirëfillta që në përfundim të realizoheshin ato punime të mrekullueshme dhe befasuese. Po ku ishte vallë qëllimi apo synimi i mësimdhënësit? Nxënësit kishin kuptuar tashmë se realizimi i një punimi, sado i thjeshtë dhe modest të dukej, kërkonte përveçse një kohë të caktuar edhe një impenjim serioz për të arritur edhe frytet e duhura… Në përfundim mësimdhënësi u drejtoi një pyetje: “Si mendoni, ekziston koha e lirë?”.



...

Dëgjohen shpesh fraza të tilla: 

“Një kohë e lirë për të pirë një kafe”, “Një kohë e lirë për të parë televizor”, “Një kohë e lirë për të shkuar në teatër apo kinema”, “Një kohë e lirë për të realizuar një ëndërr”, “Një kohë e lirë për të përvetësuar pasionin e sportit”, “Një kohë e lirë për t’u marrë me gatim”, “Një kohë e lirë për të lexuar një libër apo gazetë”, “Një kohë e lirë për të pushuar”... Një kohë e lirë …


Ç’është e vërteta harrojmë se kur themi “një kohë e lirë” për t’u marrë me një impenjim, një detyrë të caktuar është një kohë mjaft e vlefshme, pikësëpari për ta kuptuar punën me të cilën interesohemi dhe më pas për t’u përkushtuar në realizimin sa më të suksesshëm të atij qëllimi që i kemi vënë vetes. 


Kështu: 


  • Kur themi një kohë e lirë për të parë televizor kemi parasysh se do të shpenzojmë disa minuta apo edhe ndonjë orë për të parë një program apo një film apo atë që na tërheq më së shumti, por teksa shpenzojmë një kohë të tillë përpiqemi jo vetëm të kuptojmë, por edhe të marrim diçka nga ajo që shohim, në mënyrë që të na vlejë për zhvillimin apo integrimin tonë në shoqëri. 


  • Kur themi një kohë e lirë për teatër apo kinema kemi parasysh se mund të shpenzojmë të paktën një gjysmë ore apo edhe më shumë për t’u përfshirë në atmosferën tejet tërheqëse dhe domethënëse që na ofron shfaqja, për të cilën natyrshëm kemi shpenzuar edhe para për të paktën  një biletë.


  • Kur themi një kohë e lirë për të realizuar një ëndërr kemi parasysh se përveç kohës që i vëmë në dispozicion “ëndrrës sonë” shpenzojmë edhe nga aspekti material dhe shpirtëror, madje edhe ai fizik. Çdo ëndërr që dëshirojmë të realizojmë s’është tjetër veçse një proçes i rëndësishëm për të zhvilluar veten tonë në një fushë të caktuar si dhe për të hapur horizonte të reja. 


  • Kur themi një kohë e lirë për të lexuar një libër kemi parasysh minutat që konsumojmë për t’u përfshirë në botën e librit që kemi në dorë si dhe mundësinë për të arritur aftësinë e të shprehurit dhe të perceptimit, madje aftësinë për të zhvilluar kreativitetin tonë në përfytyrimin e fenomeneve të caktuara. 


  • Kur themi një kohë e lirë për sport kemi parasysh atë pjesë të ditës, ku ne i përkushtohemi me mish e me shpirt një stërvitjeje sportive të një fushe të caktuar, ku synojmë padyshim të zhvillojmë aspektin fizik të trupit tonë.


Teksa mendojmë se minuta të tëra, pse jo edhe ditë të tëra kalojnë nxitimthi për realizimin e këtyre objektivave diçka është mëse e qartë, se çdo pune që bëjmë i japim dhe duhet t’i japim atë që meriton. 


Puna kërkon përkujdesje dhe ne kujdesemi, 

Puna kërkon angazhim mendor dhe shpirtëror dhe ne jemi të detyruar të angazhohemi edhe mendërisht edhe shpirtërisht;

Puna kërkon vënien në punë të zgjuarsisë dhe inteligjencës sonë dhe ne përkushtohemi që ta vëmë në punë trurin dhe mëndjen për një arsyetim sa më të shëndetshëm; 

Puna kërkon konsumin monetar dhe ne detyrohemi të shpenzojmë në aspektin monetar.

Pra, çdo angazhim i yni qoftë individual qoftë edhe shoqëror reflekton dhe duhet të reflektojë në shpirtin dhe mendjen tonë që të na shtyjë drejt një spektri dhe horizonti të ri duke na ofruar një mundësi më shumë për një formim dhe plotësim sa më të plotë të individualitetit dhe karakterit tonë. 


Mos të harrojmë: 

Çdo fëmijë përtej temperamentit dhe vlerave të veta ka edhe dhunti të caktuara në fusha të caktuara, për rrjedhojë edhe puna dhe angazhimi për t’i kultivuar këto aftësi dhe dhunti s’mund të konceptohet si një “kohë e lirë”, pasi në këtë mënyrë vjen dhe injektohet në natyrën e fëmijës si diçka e dorës së dytë apo edhe fare e parëndësishme. 


Mbart një rëndësi jetike fakti që fëmija të mësohet që në vegjëli t’i japë rëndësinë e duhur dhe për rrjedhojë edhe kohën e duhur çdo lloj impenjimi apo angazhimi që vlen në formimin e personalitetit të tij. 


Janë të shumta rastet kur vetë prindërit i orientojnë fëmijët me idenë e frazave të tilla: “Mëso njëherë, pastaj në kohën e lirë merresh me ç’të duash”, ndërkohë që anashkalohet ideja tjetër se nëpërmjet konceptimit të qartë dhe angazhimit produktiv në një organizim social apo impenjim për zhvillim të hobeve arrijmë rezultate tepër të kënaqshme edhe në procesin shkollor. 


Mjafton të kuptojmë qartë menaxhimin e kohës dhe objektivat që i vëmë vetes për një zhvillim sa më të qenësishëm dhe do e kuptojmë se koncepti “kohë e lirë” është një padrejtësi që i bëhet investimit tonë. 



 ©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

1,475 Lexime
3 vjet më parë