Albana Çeçe: Mësuesi mbështetës, një nevojë reale në klasat e para
Albana Çeçe tregon se në klasat e para sot, nxënësit kanë nevoja të ndryshme dhe mësuesi i vetëm nuk mjafton. Prania e një mësuesi asistent do të lehtësonte mësimin, do të mbështeste fëmijët me vështirësi dhe do të rrisë efektivitetin e klasës.
Këtë vit shkollor, duke punuar me një klasë të parë, kam vënë re më qartë se kurrë se sa i domosdoshëm do të ishte prania e një mësuesi asistent në klasë.
Fëmijët vijnë nga kopshti, janë shumë të papërqendruar, u duhet kohë për të kuptuar komandat dhe shpesh jam e detyruar të shkoj bankë më bankë për t’ua shpjeguar sërish atë që duhet të bëjnë. Ritmet janë të ndryshme dhe kërkesat gjithnjë e më të larta.
Në klasën time kam nxënës me “aftësi” ndryshe. Kjo është pamja reale e një klase të parë sot në Shqipëri, në kushtet e arsimit gjithëpërfshirës. Është një realitet që kërkon vëmendje, durim dhe mbështetje të vazhdueshme, gjë që është tepër e vështirë të përballohet nga një mësues i vetëm.
Në këto kushte, prania e një mësuesi asistent në klasë do të ishte një ndihmë reale dhe e domosdoshme për ne. Një asistent do të mund të përsëriste udhëzimet për fëmijët që kanë nevojë për më shumë kohë, të ndihmonte nxënësit me vështirësi të veçanta, pa ndërprerë rrjedhën e mësimit, të mbështeste fëmijët që nuk flasin ende shqip dhe të kontribuonte në menaxhimin e klasës. Kjo do ta bënte procesin mësimor më të qetë, më efektiv dhe më njerëzor.
Ndërkohë, ekziston edhe një tjetër realitet që shpesh anashkalohet. Çdo vit, përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, aplikojnë qindra mësues të kualifikuar, por për shkak të vendeve të limituara, shumë prej tyre mbeten pa mundësi punësimi.
Implementimi i mësuesve asistent në klasat e para do të ishte jo vetëm një zgjidhje pedagogjike, por edhe një mënyrë konkrete për të rritur punësimin në arsim, duke shfrytëzuar burimet njerëzore që tashmë i kemi.
Sot flitet shumë për kurrikulën digjitale dhe përshtatjen e shkollës me “botën moderne”, por bota moderne nuk është vetëm teknologji. Bota ka klasa me dy mësues: mësuesin kryesor dhe mësuesin asistent. Asnjë platformë digjitale nuk mund të zëvendësojë praninë njerëzore, sidomos në vitet e para të shkollimit, ku fëmijët kanë nevojë për mbështetje emocionale, orientim të vazhdueshëm dhe komunikim të drejtpërdrejtë.
Mësuesi mbështetës në ditët e sotme nuk është luks. Është domosdoshmëri. Është një nevojë reale që buron nga vetë përditshmëria e klasës. T’i japim zë kësaj nevoje do të thotë të investojmë tek fëmijët tanë, tek mësuesit dhe në të ardhmen e arsimit në Shqipëri.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit
Çelësi i zgjidhjeve të fondit të pyetjeve të drejtshkrimit për provimet e shtetit në mësuesi
Test për mësuesit, 100 pyetje dhe përgjigje ndihmëse për provimin e kualifikimit