Tituj të rinj për të gjitha grupmoshat

Albas në Panairin e 19-të të Librit në Prishtinë

Në stendën tonë do të gjeni libra të cilët përfshijnë të gjitha grup moshat: libra për bebe, libra me tinguj zanorë për fëmijë, libra të posaçëm për lexuesit fillestarë, libra për parashkollorin, tekstet shkollore dhe digjitale, libra akademikë...

Çelet në Prishtinë Panairi i 19-të i Librit në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.


Shtëpia botuese ALBAS në Panairin e Librit sjell tituj të rinj për fëmijë dhe të rritur. Në stendën tonë do të gjeni libra të cilët përfshijnë të gjitha grup moshat: libra për bebe, libra me tinguj zanorë për fëmijë, libra të posaçëm për lexuesit fillestarë, libra për parashkollorin, tekstet shkollore dhe digjitale, libra akademikë, libra artistikë për fëmijë dhe të rritur, libra psikologjik dhe studime.


Seria “Bota e bebes”, “Vogëlushi/Vogëlushja”, “Përralla zanore”, “Le të flasim Hapur”, “Një histori në 5-10 minuta”, “Klasikët e mi të parë” etj. janë disa nga librat që vijnë në disa seri për të gjithë fëmijët. “Hapat e parë” është paketa mësimore për ciklin parashkollor. Tekstet shkollore ju mund t’i gjeni në stendën e Albas. 


Autorët, redaktorët dhe dizenjuesit tanë kanë krijuar për ju tekste shkollore moderne dhe bashkëkohore. Në portalishkollor.al këto tekste shkollore i ofrojmë në formë digjitale, lehtësisht të përdorshme nga të gjithë për t’i shfletuar, dhe të shoqëruara me materiale multimediale që përmbajnë video, audio, foto, skema, pyetësorë, detyra interaktive etj. Këtu ju mund të gjeni të gjitha materialet didaktike dhe të tjera për përgatitjen e temave mësimore, duke mundësuar kështu zgjerimin e njohurive të mësuesit, nxënësit dhe prindërit. Portali është i pasur edhe me shërbime të shpejta, si: ndihmë praktike, kalendarë interaktivë, katalogë dhe revista dhe, së fundmi edhe lidhje online me ne. Në stendën e Albas ju do të mund të merrni më shumë informacion për librin digjital.


Disa nga botimet më të rëndësishme lidhen me zgjerimin me tituj të rinj të serive për fëmijë mbi moshën 8 e 9 vjeç:

Një familje e paparë

Koni dhe Maksi

Më quajnë...(biografitë e njerëzve më të famshëm në botë)


Një seri e re “Më quajnë” vjen për fëmijët dhe adoleshentët që duan të njohin më shumë figura tëshquara të shqiptarëve, krahas figurave të shquara botërore, ...gjithçka e ritreguar në veten e parë, sikur ata të jenë gjallë...dhe gjallë janë në të vërtetë me veprën e tyre.

Kjo ide u realizua falë bashkëpunimit të Rita Petros me shkrimtarin Luan Rama, piktorët Entela Kasemi Beati, Sulid Kasemi; Semela Mero, Eva Kukaleshi; për artin grafik, Sofiana Filipi dhe gjithë redaksia Albas e kryesuar nga Natasha Pepivani.


Seria e Klasikëve botërorë për fëmijë vjen tani në 3 variante të ndryshme:

Klasikët e mi të parë (përshtatur për moshat mbi 3 vjeç)

Klasikët për fëmijë (përshtatur për moshat mbi 7 vjeç)

Klasikët për fëmijë, mbi 9 vjeç, ku librat janë sjellë të përkthyera nga origjinali në njëmënyrë të freskët e origjinale në dizajn: “Princi i Lumtur”, “Zemër”, “Liza në botën e çudirave”, “Aventurat e Pinokut”, “Princi i vogël”, “Pipi Çorapegjata”,“Piter Pan” kjo seri do të vazhdojë të plotësohet me tituj të rinj.


Risia e këtij viti në botimet Albas është seria e autorëve bashkëkohorë, mbështetur nga programi i Europës Krijuese i Bashkimit Europian. Titujt: “Vita”, “Darka”,“Teori e shkurtër për udhëtimin dhe për shkretëtirën”, “Danub”, “Dashuria, fantasia”,“Qeni” dhe “Lartësi” vijnë nën përkthimin mjeshtëror të përkthyesve vendas: Mimoza Hysa, Albana Shala, Bajram Karabolli, Alma Hafizi, Amantia Kapo, Luljeta Lleshanaku, Milena Selimi.


Po ashtu një vend i veçantë i është kushtuar librave të serisë Klasikë për të rritur dhe fëmijë, serisë së Legjendave dhe “Lekë Dukagjinit dhe Kështjella e Ligjeve”, të cilat përbëjnë një pasuri për traditën dhe trashëgiminë popullore. Libri “Legjenda dhe vendet shqiptare”, i cili hap projektin për letërsinë gojore shqiptaretë sjellë në një mënyrë të re dhe origjinale, me një bashkëpunim të frytshëm me autorët: Rita Petro, Tonin Çobani, fotografin Felix Bilani dhe piktorët Ledia Kostandini dhe Semela Mero.


Në kategorinë e botimeve akademike Albas sjell studimin “Shqipja qysh u është dukur? Sa e ëmbël, sa e bukur!” nga Xhevat Lloshi, “Udhëtime letrare” nga Nasho Jorgaqi dhe “Kadare ose liria e fjalës së penguar” nga dr. Anastas Kapurani.


Autorja Arlinda Guma sjell romanin “Terma humanitarë si fjala bombardim”.  Ky roman, na mban frymën pezull deri në momentin e fundit, përgjatë leximit. Është një prozë moderne, struktura e së cilës është ndërtuar mbi një mjedis real, ngjarjesh të prekshme të ndërthurura me mjeshtëri dhe origjinalitet. Gjeopolitika globale, organizatat ndërkombëtare dhe bota e tretë ndriçohen përmes ironisë dhe humorit të zi.


Rita Petro sjell librin me poezi nën titullin “Kënga e turmës”. Botim i ri me poezi të shkruara ndër vite dhe të reja, i shoqëruar me ilustrime të vetë poetes.

"Ne jemi të gjithë këtu poshtë, po jemi vetëm

Zoti është aq lart sa gjëkundi s’duket,

Ndërsa tribuna pothuaj gjithnjë bosh,

Dhe kur dalin, ata duan vetëm t’i dëgjosh.

Ndaj ne jemi një turmë e madhe, e shtrënguar, jetime.

Këndojmë të gjithë me qirinj të fikur

Fryu erë e fortë, s’ka kush të na i ndezë,

Në tribunë nuk duket këmbë njeriu

Dhe kur vijnë,

Nuk kanë me vete një fije shkrepëse…"


Në panair është për herë të parë në gjuhën shqipe, nën përkthimin e Lindita Ahmetit, poezia e përzgjedhur e poetes maqedonase, Katica Qulafkova, "Prush nën këmbë". Ky projekt vjen si një bashkëpunim mes PEN Qendrës së Shqipërisë dhe Albas për botimin e autorëve të huaj në gjuhën shqipe.


Shtëpia Botuese Albas ka bashkëpunuar për botime të ndryshme me Ministrinë e Kulturës në Shqipëri dhe Maqedoni. “Bija e varrmihësit”, një roman për identitetin dhe sfidat vjen i përkthyer nga Luljeta Lleshanaku falë bashkëpunimit të Albas me Ministrinë e Kulturës në Shqipëri.


ALBAS sjell në shqip të gjithë veprën e Vasko Popës, “Vepra e plotë e Vasko Popës”, e përkthyer nga Ben Andoni. Një punë e vështirë disa vjeçare, e cila ka përfshirë shumë krahasime dhe konsultime, por edhe analiza për të sjellë poezinë e tij tejet të vështirë. Gjithashtu një emër i madh i letërsisë bashkëkohore serbe vjen në stendën tonë nga Pavić, “Peizazhe të pikturuara me çaj”, përkthyer nga Ben Andoni.


Mësues, nxënës, prindër dhe lexues ju mirëpresim të gjithëve në Panairin e Librit tek stenda e ALBAS nga data 06.06.2017 deri në datën 11.06.2017.

2,146 Lexime
6 vjet më parë