Presheva foli shqip, ALBAS i dha zë

ALBAS në Preshevë: Mbyllet me sukses Panairi i Parë i Librit Shqip

Presheva foli shqip përmes librit, në një panair historik që bashkoi botues, autorë e lexues nga trevat shqiptare. ALBAS, si bashkorganizatore, shënoi promovimin e 25-vjetorit të saj. Në mbyllje u ndanë çmime për autorët më të spikatur, duke nisur një traditë të re kulturore.

Presheva foli shqip, me zë të qartë e të vendosur, përmes librit. Në një akt që shënon një kthesë kulturore për të gjithë Luginën, qyteti i Preshevës priti me dinjitet dhe entuziazëm Panairin e Parë të Librit Shqip, më 21 dhe 22 qershor 2025, një ngjarje e padiskutueshme historike për komunitetin shqiptar në Serbi.


Në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica”, në një atmosferë solemniteti, panairi u hap zyrtarisht me një ceremoni ku bashkëjetuan fjala institucionale, simbolika e kulturës dhe shpresa e brezit të ri. Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, përshëndeti të pranishmit duke theksuar: “Presheva flet përmes librit, përmes dijes dhe dashurisë për gjuhën shqipe”, një deklaratë që tingëlloi si një betim kulturor për të ardhmen.

Në krah të saj qëndronin përfaqësues të rëndësishëm institucionalë, si ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, dhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, të cilët u shprehën se ky panair ishte më shumë se një ngjarje, ishte një akt dashurie dhe detyrimi ndaj gjuhës shqipe në një zonë ku ajo shpesh sfidohet.

Panairi mblodhi për herë të parë dhjetëra botues shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Qindra tituj u ekspozuan në stendat e përgatitura me kujdes, ku emra të njohur, si Toena, Onufri, Dukagjini, Fan Noli, Emathia, Pema, Koha, Argeta LMG e të tjerë sollën për lexuesin e Preshevës vepra të letërsisë artistike, të librave për fëmijë, studimeve dhe të historisë kombëtare.



Në këtë mozaik të kulturës së shkruar një vend të veçantë zuri Shtëpia Botuese Albas, e cila jo vetëm që mori pjesë me botimet e saj të shumta për të gjitha moshat, por ishte edhe një nga bashkorganizatorët kryesorë të Panairit, në kuadër të 25-vjetorit të themelimit të saj. 

Organizimi i Panairit u bë nga Komuna e Preshevës dhe Biblioteka e Qytetit “Abdulla Krashnica”, të cilat luajtën rol kyç në realizimin e ngjarjes. Përkrahja erdhi gjithashtu nga institucione kulturore dhe diplomatike, si Ambasada e Shqipërisë në Serbi dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, duke kontribuuar në suksesin e këtij eventi historik.


Promovimi nga Presheva: ALBAS, 25 vjet botime 


Në ditën e dytë të panairit, më 22 qershor, Albas organizoi një aktivitet promovues që u prit me interes nga publiku: “25 vjet botime: Albas në shërbim të dijes”. Në këtë ngjarje u paraqit përmbledhtas rrugëtimi i kësaj shtëpie botuese që prej themelimit të saj në vitin 2000.


Aktiviteti u moderua nga gazetarja dhe drejtuesja e Portalit Shkollor Albas, Nanila Allkja Biçaku, e cila e nisi takimin duke theksuar rëndësinë e këtij momenti simbolik për ALBAS-in dhe për qytetin e Preshevës, një bashkim mes festës dhe librit. 


“Në këtë aktivitet të radhës që po zhvillohet në Panairin e Parë të Librit Shqip në Preshevë, ku Shtëpia Botuese ALBAS është bashkorganizatore, në kuadër të festimeve të 25-vjetorit të saj, do të ndalemi te promovimi i botimeve të larmishme që ajo ka sjellë. Në panel jemi me Qëndrim Hetemin, drejtues i ALBAS-it në Preshevë dhe Artemisa Bushin, redaktore në ALBAS. Në fakt, ALBAS është e vetmja shtëpi botuese shqiptare që operon në të gjitha trevat shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe këtu në Preshevë”, tha Biçaku.



Ajo nisi diskutimin duke i drejtuar një pyetje Qëndrim Hetemit: “Si nisi rrugëtimi i ALBAS-it në Preshevë dhe çfarë do të thotë për të organizimi i këtij panairi?”. Hetemi, me emocion të dukshëm, tregoi se ALBAS e nisi veprimtarinë e saj në Preshevë me tekstet shkollore. 


“Teksti i parë që kemi sjellë këtu ka qenë ‘Dituri natyre’ për klasën e tretë dhe ‘Gjuhë shqipe’, për klasën e dytë. Më pas, natyrshëm, erdhën edhe tekstet e tjera. Ka qenë një rrugë me përpjekje, por me shumë mbështetje nga Shqipëria, nga profesor Latif Ajrullai, tashmë i ndjerë, dhe Rita Petro. Ata kanë bashkëpunuar ngushtësisht me babanë tim, Qenan Hetemi. E kemi pasur gjithmonë si ëndërr këtë panair: të sjellim në Preshevë atmosferën e panaireve të Tiranës e të Prishtinës. Sot, kjo ëndërr u bë realitet, falë bashkëpunimit me Bibliotekën e Qytetit, me drejtoreshën Albina Azizi dhe bashkëpunues të tjerë, si Hasan Hasani dhe Liridon Mulaj nga Shqipëria.”


Moderatorja vuri në dukje se ALBAS ka kaluar një rrugë të gjatë në këto 25 vite dhe pyeti redaktoren Artemisa Bushi për këtë rrugëtim: “Si ka evoluuar puna e ALBAS-it nga tekstet shkollore drejt platformave digjitale?”. 

Bushi u shpreh se ishte e emocionuar për pjesëmarrjen në këtë panair dhe theksoi se ALBAS nuk është vetëm një shtëpi botuese, por një urë që lidh trevat shqiptare përmes dijes dhe librit. 


“Në fillim, fokusi i ALBAS-it ka qenë përgatitja e teksteve shkollore. Më 2004-n, ALBAS fitoi për herë të parë tekstin alternativ, Letërsia dhe gjuha shqipe 10, e më pas ka synuar të plotësojë linjat në disa nga titujt më të rëndësishëm të kurrikulave arsimore. Një ndër projektet e rëndësishme ka qenë Paketa e Abetares mbarëkombëtare, që u përgatit nga një grup specialistësh didaktikë dhe gjuhëtarësh nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kjo paketë përfshin tekstin bazë, fletoret e punës, fjalorët e ilustruar, CD dhe mjete të tjera interaktive.”


Biçaku e udhëhoqi më tej diskutimin drejt risive teknologjike që ka sjellë ALBAS në arsimin shqiptar, duke e pyetur Bushin për kalimin nga tekstet e printuara në formatet digjitale. Ajo theksoi se që para vitit 2010, ALBAS filloi t’i shoqëronte librat me CD, e më pas erdhi krijimi i platformës digjitale, Albas e-libër.


“Tashmë, tekstet shkollore janë edhe të digjitalizuara, duke u pasuruar me galeri fotosh, video, miniteste, përmbajtje shtesë multimediale, që u vijnë në ndihmë nxënësve dhe mësimdhënësve. Janë ndërtuar edhe orë mësimore model për diasporën, si dhe janë zhvilluar trajnime për mësimdhënësit në të gjitha trevat. Në vitin 2023, Qendra e Trajnimit Albas është nderuar me çmim nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, për kontributin e saj në trajnimin e mësimdhënësve në Luginën e Preshevës", tha Artemisa Bushi. 




Duke parë që publiku përbëhej edhe nga nxënës, mësues e prindër, Biçaku solli në vëmendje rëndësinë e librave për fëmijë dhe e pyeti Bushin për botimet artistike të ALBAS për lexuesit e vegjël. Bushi shpjegoi se ALBAS është një ndër shtëpitë botuese me më shumë botime për fëmijë. 



“Botimet për fëmijë janë grupuar në seri sipas grupmoshave, me ilustrime tërheqëse. Ndër më të veçantat është seria e klasikëve për fëmijë (3+, 7+, 9+) që përfshin autorë botërorë dhe shqiptarë. E kam të pamundur t’i përmend të gjithë", tha ajo, "por për këtë më vjen në ndihmë edhe katalogu", duke përmendur mjaft prej tyre. Më pas shtoi se “vlen të përmendet përkthimi i plotë i ‘Përrallave të Andersenit’, i vlerësuar me Çmimin ‘H. C Andersen’.” 



“Një rëndësi të veçantë kanë titujt që lidhen me trashëgiminë kulturore. Këtu përfshihet seria ‘Më quajnë’, ku rrëfehen në vetën e parë jetëshkrimet e figurave më të rëndësishme, botërore dhe shqiptare. Disa prej titujve me figura shqiptare janë: ‘Më quajnë Gjergj Kastrioi Skënderbeu, ‘Më quajnë Nënë Tereza’, ‘Më quajnë Nexhmije Pagarusha’, ‘Më quajnë Hasan Prishtina’ apo ‘Më quajnë Bekim Fehmiu’ – një seri që do të pasurohet me emra të rinj personalitetesh. Ilustrimet janë punuar me kujdes të madh; përmend këtu se Semela Mero u bë pjesë e katalogut ‘Honour list 2022’ në Panairin e Librit në Frankfurt, për ilustrimet e librit ‘Më quajnë Nikola Tesla’. Me trashëgiminë kulturore lidhen edhe titujt: ‘Legjenda dhe vende’, ‘Legjenda dhe balada’, ‘Lekë Dukagjini’, si edhe MiniGuida, një seri që do pasurohet me tituj të rinj (udhërrëfyes mjaft të mirë për qytete dhe vende). Ka edhe mjaft seri të tjera për fëmijë (‘Izadora Mun’, ‘Një familje e paparë’), mjaft të larmishme, sa sociale, edukative, aq edhe gazmore..., si edhe botime nga letërsia italiane dhe ajo franceze.”


Më pas, Biçaku e udhëhoqi bisedën drejt letërsisë për të rritur, duke pyetur se çfarë pasurie sjell katalogu i ALBAS-it në këtë fushë. 


Bushi përmendi botimet e librave klasikë dhe modernë, që marrin një rëndësi të veçantë, pasi, edhe pse janë shkruar shumë vite më parë, mbeten aktualë për temat sociale që trajtohen në to, si edhe për vlerat artistike. Mes tyre ajo përmendi “Don Kishoti” (I & II), “Poetika” e Aristotelit apo “Bretkosat” e Aristofanit etj., si edhe botime nga nobelistë, si Olga Tokarczuk (Shtërgjet), Herta Müller (Teposhte) dhe Günter Grass (Daullja prej llamarine), një nga kryeveprat e letërsisë botërore që ka marrë edhe “Çmimin për përkthimin më të mirë” në Panairin e Librit në Tiranë në vitin 2023. 


“Kërkohen dhe pëlqehen nga lexuesit librat psikologjikë dhe motivues. Janë botuar nga Albas autorë, si Robin Sharma, Mel Robbins etj. Mjaft të kërkuar janë librat motivues të Scott Peck. Përzgjedhja e botimeve bëhet patjetër sipas rëndësisë së autorit, të veprës, të vlerave që mbart, të tematikave që trajtohen në to, si edhe në mjaft kritere të tjera”, tha Bushi. 


Moderatorja u ndal të pyeste më pas redaktoren për kontributin e ALBAS në promovimin e autorëve shqiptarë dhe me mbështetjen për autorët bashkëkohorë e të rinj. 


Bushi tha: “Promovimi i letërsisë shqiptare është vlerë e shtuar në ALBAS. Janë botuar mjaft romane, libra me tregime dhe poezi. Ndaloj në emrat e autorëve, si Rita Petro, Virion Graci, Ardian Vehbiu, Mimoza Ahmeti, Gazmend Kapllani etj. ALBAS ka botuar edhe mjaft autorë të rinj shqiptarë, një pjesë e tyre kanë marrë çmim me motivacion nga Qendra e Librit dhe e Leximit. Një rëndësi të veçantë në këto botime merr edhe botimi i kolanës së veprave të Petro Markos. Janë botuar rreth 10 tituj dhe po punohet në redaksi për botimin e veprave të reja të Markos. Në Panairin e 25-të të Librit në Prishtinë, zhvilluar para pak ditësh, ALBAS mori Çmimin për Vepër Kapitale, për botimin cilësor dhe gjithëpërfshirës të kolanës së veprave të Petro Markos, një autor i dashur dhe i njohur në të gjitha hapësirat shqiptare”.


Më pas ajo theksoi se “Duhet thënë se Albas ka një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, si: pedagogë (autorë të teksteve shkollore), specialistë didaktikë dhe gjuhëtarë, mësimdhënës, përkthyes psikologë, si edhe një staf me një numër të madh profesionistësh, si: redaktorë shkencorë dhe gjuhësorë, ilustrues, dizajnues, programues etj.”


Në përmbyllje të aktivitetit, Biçaku ndau me të pranishmit një panoramë të rëndësishme të Portalit Shkollor, si një prej nismave më të suksesshme të ALBAS-it. “Ky portal është kthyer në një media arsimore që ofron përmbajtje të pasura, burime për mësues e prindër, artikuj profesionalë dhe mjete digjitale. Sidomos gjatë pandemisë, kur mësimi në distancë u bë i domosdoshëm, portali ofroi abetaren digjitale, libra shkollorë interaktivë, video e ushtrime. Ai është dëshmi e vizionit që ALBAS ka për arsimin, jo vetëm si mjet formimi, por si rrugë lidhjeje mes brezash e trevash.”


Presheva foli, dhe fjala ishte libër. Dhe libri kishte firmën ALBAS në këtë rast.





Çmimet e edicionit të parë në Preshevë


Në mbyllje të edicionit të parë të Panairit të Librit Shqip, “Presheva flet”, u zhvillua ceremonia solemne e ndarjes së çmimeve, duke përmbyllur dy ditë intensive me ngjarje letrare e kulturore, që për herë të parë e kthyen Preshevën në një pikëtakim të rëndësishëm të botuesve, autorëve dhe lexuesve nga të gjitha trevat shqiptare. Juria e përbërë nga Liridon Mulaj (kryetar), Shefat Ademi dhe Fitim Nuhiu, ndau me përkushtim vlerësimet për autorët dhe botuesit që spikatën në këtë edicion të parë. 

Ndër çmimet kryesore, “Libri më i mirë për fëmijë” iu dha veprës “Arbnori në Kështjellën e Gjergjit” të autorit Fatmir Gjestila; “Proza më e mirë” iu akordua Biser Mehmetit për librin “Heroi i mohuar”; ndërsa çmimi për “Veprën studimore më të mirë” shkoi për Fatmir Toçin me librin ““Arbëreshët, shqiptarët e Italisë”. Me çmimin e nderit u vlerësuan figura të shquara si Besnik Mustafaj, Nerimane Kamberi dhe Prof. Dr. Jahi Murati për kontributet e tyre të veçanta në letërsi, studime dhe kulturë. Një vlerësim të veçantë morën edhe shtëpitë botuese “Buzuku”, “Logos-A” dhe “Onufri”, për rolin e tyre të rëndësishëm në ruajtjen, zhvillimin dhe përhapjen e gjuhës dhe letërsisë shqipe në hapësira të ndryshme. Këto çmime ishin një dëshmi e nivelit të lartë profesional dhe përkushtimit që ky edicion solli, duke u shndërruar në një nisje premtuese për traditën e re letrare që po lind në Preshevë.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

886 Lexime
2 ditë më parë