Albas organizon panel të veçantë të përkthimit në Panairin e Librit në Prishtinë, më 12 qershor

Më 12 qershor, në Panairin e Librit në Prishtinë, ALBAS organizon një panel për artin e përkthimit me emra të njohur si Ag Apolloni, Ana Kove, Sokol Çunga, Granit Zela dhe Primo Shllaku. Ngjarja nderon rolin e përkthyesve në letërsinë shqipe dhe shënon 25-vjetorin e shtëpisë botuese ALBAS.

Në kuadër të Panairit të Librit që po mbahet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, më 12 qershor në ora 18:00, do të zhvillohet një panel i veçantë kushtuar artit të përkthimit.


Nën titullin “Të përkthesh do të thotë të krijosh sërish, këtë herë shqip”, ngjarja synon të sjellë në vëmendje rolin e përkthyesve në pasurimin e letërsisë shqipe.


Në këtë bisedë të hapur do të marrin pjesë disa nga emrat më të njohur të përkthimit letrar: Ag Apolloni, Ana Kove, Sokol Çunga, Granit Zela dhe Primo Shllaku. Paneli do të moderohet nga poetja dhe botuesja Rita Petro.


Të pranishmit do të kenë mundësinë të dëgjojnë rrëfimet e përkthyesve mbi sfidat që hasin në përkthimin e veprave klasike dhe bashkëkohore, për zgjedhjet gjuhësore, dilemën e çdo fjale, si dhe për dashurinë që i shtyn të rizbulojnë tekstet në një gjuhë tjetër, shqipen.


Ngjarja organizohet në kuadër të 25-vjetorit të shtëpisë botuese ALBAS, një emër i njohur për përkthimin, botimin dhe kujdesin për fjalën e shkruar në gjuhën shqipe.




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

774 Lexime
3 ditë më parë