1 Qershori

Albas uron të gjithë fëmijët gëzuar 1 Qershorin

Të dashur fëmijë e nxënës, gëzuar 1 Qeshorin, ditën tuaj! Drita e pafajshme që keni në shpirt ju ndriçoftë si Ylli Polar përtej çdo pasigurie, me të cilën do të tentojë t'ju trembë e ardhmja!

Fëmijët janë dritarja nga ku hyn ajër i freskët në jetën tonë. Të nisësh, qoftë edhe t’i përshëndetësh ata, është një përgjegjësi e madhe. Fëmijët janë qielli i lartë i urimeve dhe njëkohësisht “pusi i thellë”, ku prindërit hedhin monedhat e dëshirave, që presin t’iu plotësohen me rritjen e tyre.


Jeta nis me zhurmën e hareshme të fëmijëve, me fytyrën e porcelantë të foshnjës të sapolindur që nëna e mban në duar me kuriozitetin e madh në i ngjan asaj, apo të atit. Dhe jeta vazhdon e rritet në duart tona me shpejtësinë që shtrihet mbi tokë agimi injë dite pranvere. Ne nuk e shohim, por e ndiejmë jetën e re që zhvillohet mes nesh si një oaz ku freskohemi mes shkretëtirës që na than me vështirësitë e përditshme.


E kemi fëmijën aty; një diell të vogël që shkëlqen dhe orë e çast na kujton që ka dritë edhe aty ku na i mbyll sytë errësira e problemeve të punës, shtëpisë, familjes…

Është ai, fëmija ynë, që me hapat e pasigurt, me dhëmbin që sapo i ka dalë, na tërheq aty ku lumturia nuk njeh skaje e ku lodhja nuk egziston më.


Nuk mund t’i mbledhim dot belbëzimat e tyre, deri në fjalët e para, por tani, pas vitesh, na kujtohet që ka qenë melodia më e ëmbël për veshët tanë.

Dhe koha rrëshket e fëmijët rriten duke na ua shtuar ditët e tyre ditëve tona, me atë lehtësi që shpërhapen përqafimet e ylberëve me ujvarat e furishme.


Dhe, dalëngadalë, pikërisht në festat e tyre, kujtojmë që fëmijët tanë janë beteja që ne të rriturit kemi fituar mbi anormalitetin, janë koncepti ynë për të bukurën, lumturia jonë e vetme pa kosto e pa shpërblim.


Të dashur fëmijë e nxënës, gëzuar 1 Qeshorin, ditën tuaj! Drita e pafajshme që keni në shpirt ju ndriçoftë si Ylli Polar përtej çdo pasigurie, me të cilën do të tentojë t'ju trembë e ardhmja!


Të dashur prindër e mësues, gëzuar 1 Qershorin, ditën e jetës sonë të vërtetë!



(Portali Shkollor)

12,390 Lexime
5 vjet më parë