Alma Mara: Njëqind e një punët e mësuesit...
Mësuesve po u vidhet koha dhe liria për të qenë mësues, me shkresa e letra pafund që ata të mos kenë kohë për të menduar për pagën skllavëruese që kanë. Nëse ky profesion do të keqpërdoret e do të shfrytëzohet, e sigurtë që të rinjve testament do t'i lërë "Të mos zgjedhin të bëhen mësues"!
Mësuesve po u vidhet koha dhe liria për të qenë mësues, me shkresa e letra pafund që ata të mos kenë kohë për të menduar për pagën skllavëruese që kanë.
Është periudha e mbylljes së tremujorit të parë në të gjithë shkollat e vendit. Normalisht duhet të ishte periudha kur maturohen rezultatet e nxënësve dhe të hiqej vija e kuqe në regjistrat përkatës të klasave.
Mirëpo ky vit i dha lamtumirën regjistrit duke përqafuar SMIP si model bilanci e pasqyre të dhënash në arsimin parauniversitar.
Brenda idealizmit që SMIP do të zgjidhte të gjithë handikapin e marrëdhënies mësues - letër, realiteti po prezantohet gjithnjë e më burokratik.
Shqipëria u mendua si vend i zhvilluar teknologjikisht, ndërkohë që shkollat nuk mundësuan as kompjuter dhe as internet.
Në shkolla firmosej një urdhër ndalimi përdorimi të telefonit celular nga nxënësit dhe mësuesit, ndërkohë mësuesi përballë nxënësit hedh tema e nota në SMIP nëpërmjet celularit. Po nëpërmjet celularit mësuesit i vijnë mesatarisht 5 njoftime në ditë për veprimtari ditore, njoftime të cilat duhet t'i lexojë dhe zbatojë në kohë reale.
Është periudha e letrave. Po të gërmosh në arkivat e letrave që prodhohen në shkolla e llogarit lehtë se cilët njerëz janë shpërdorues të letrës në vend.
Mësuesi arkivon çdo muaj pune të tij mbi 20 pasqyra të cilat janë secila dublikatë e një dritareje në SMIP, plani ditar, plani veprimtarish ose plani departamenti përkatës.
Tendenca për kompjuterizim në arsim po ndërlikon punën e mësuesit çdo ditë e më tepër duke favorizuar lodhjen, shfrytëzimin dhe keqpërdorjen e tij dhe duke lënë pas dore punën e vërtetë me nxënësin.
Puna nën presion ul produktivitetin dhe eficencën dhe në rastin konkret mësuesi punon nën presionin e njëqind e një punëve dhe afateve për realizimin e tyre.
Administratorët e SMIP do të ishte mirë të merrnin informacion se çfarë të dhënash i duhen çdo aktori në shkolla dhe më pas të lançonin këtë regjistër elektronik me të dhëna të aksesueshme e të paraqitura nga secili aktor, pa qenë e nevojshme që mësuesi t'i kërkojë informacion drejtuesit apo anasjelltas. Thënë ndryshe SMIP të ishte një arshivë ku nëpërmjet klikimit secili të kishte akses në sigurimin e informacionit për veprimtarinë e mësuesit, lëndës, nxënësit, drejtuesit, psikologut, etj.
Por për të krijuar një arshivë të tillë nëpër shkolla duhen punonjës të saj ( sekretarë, seleksionues, IT, kontabilistë, korrektorë).
Për të kryer kaq shumë punë, mësuesit i duhet kohë...pafund kohë!
Letrat i kanë zaptuar lirinë dhe të drejtën për të ushtruar profesionin.
...e nëse ky profesion do të keqpërdoret e do të shfrytëzohet vetëm për t'i zënë kohën që të mos ketë mundësi të mendojë e të rebelohet për pagën skllavërore që merr, e sigurtë që testament do t'i lërë të rinjve "Të mos zgjedhin të bëhen mësues"!
Nga Alma Mara
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Vlerësimi i mësuesve dhe formati që duhet të plotësoni
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit
Adriatike Lami: Testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, një test që i mungonte mbi të gjitha shpirti, me pyetje dhe realitet diskriminues