Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Ky artikull, i përgatitur nga Mentor Hajrizi, ndihmon në dhënien e përgjigjeve sa më të sakta të kandidatëve në testim dhe në parashtrimin e këtyre pyetjeve nga ana e rekrutuesve për kandidatët konkurrentë (fillestarë).
Arsimi parauniversitar në Kosovë (pyetje/përgjigje)
Mësimdhënësi kosovar, Mentor Hajrizi, ka hulumtuar burime dhe një literaturë të gjerë për të sjellë te ju pyetjet më të shpeshta në një testim me shkrim dhe në një tjetër me gojë. Ai ka dhënë, të modifikuara, përgjigjet e pyetjeve që ju të tregoni se vërtet përshtateni me pozitën e kërkuar.
Pyetjet dhe përgjigjet e dhëna do të ju ndihmojnë të përgatiteni për testimin me shkrim në radhë të parë dhe më pas për atë me gojë në radhë të dytë. Me mësimin e përgjigjeve ju do të ndiheni shumë më të sigurt dhe do të dilni shumë më mirë në testim.
Ky artikull, i përgatitur nga Mentor Hajrizi, ndihmon në dhënien e përgjigjeve sa më të sakta të kandidatëve në testim dhe në parashtrimin e këtyre pyetjeve nga ana e rekrutuesve për kandidatët konkurrentë (fillestarë).
Tridhjetë e pesë pyetjet më të shpeshta në testimin me shkrim
1. Cilat janë organet e shkollës?
Organet e shkollës janë:
1. Këshilli drejtues
2. Drejtori
3. Zëvendësdrejtori
4. Këshilli pedagogjik
5. Këshillet e klasave
6. Aktivet profesionale
7. Këshilli i prindërve
8. Këshilli i nxënësve
2. Cili është qëllimi i Këshillit Drejtues të Shkollës?
Këshilli drejtues i shkollës ka për qëllim që ta ndihmojë shkollën dhe zhvillimin e saj në të gjitha fushat e cilësisë. Ai ka për detyrë dhe përgjegjësi që ta miratojë listën e teksteve shkollore, t’i hartojë rregullat e mirësjelljes së shkollës dhe të kontribuojë në hartimin zhvillimor shkollës.
3. Nga kush përbëhet Këshilli Pedagogjik?
Këshilli Pedagogjik përbëhet nga mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë dhe bashkëpunëtorët në mësim. Ky këshill udhëhiqet nga drejtori i shkollës. Mbledhja mbahet sipas nevojës.
4. Çka janë aktivet profesionale (roli i tyre)?
Shkolla ka aktive profesionale. Këto aktive përbëhen nga mësimdhënësit e së njëjtës lëndë mësimore ose të lëndëve të afërta. Aktivet profesionale themelohen nga drejtori me rekomandimin e Këshillit Pedagogjik. Aktivi profesional udhëhiqet nga kryetari, i cili emërohet nga drejtori me mandat njëvjeçar.
5. Si i motivoni nxënësit dhe cilët janë komponentët kryesorë të motivimit?
Me nxitjen, shtytjen ose cytjen e aktiviteteve intelektuale, emocionale, sociale, motorike etj. Motivimi është faktori kryesor i mësimdhënies dhe nxitësi që shton aktivitetin e nxënësve, interesimin dhe vullnetin e tyre. Komponentët kryesorë të motivimit të nxënësve janë:
• Motivimi i brendshëm - ka të bëjë me shkallën në të cilën nxënësit merren me një veprimtari, me qëllim që të plotësojnë ose kënaqin kuriozitetin dhe interesin e tyre për një temë të caktuar në kuadër të një lënde. P.sh. Ka disa nxënës të cilëve u pëlqen Historia apo Gjeografia, dhe ata punojnë shumë në atë lëndë. Ky është motiv i brendshëm.
• Motivimi i jashtëm - ka të bëjë me tërheqjen në një veprimtari me qëllim që të arrihen disa synime, të cilat shpërblehen. P.sh. Lëvdata nga prindërit dhe mësuesit mund të jenë si lloje të stimulimit të jashtëm. Shembull: nëse një nxënës e do dhe interesohet për lëndën e Biologjisë (motiv i brendshëm) për të kjo lëndë është shumë e rëndësishme që të arrijë qëllimin në realizimin e dëshirës për profesionin e ardhshëm (motiv i jashtëm).
• Shpresa për sukses - ka të bëjë me atë se çdo detyrë që i ngarkohet nxënësit duhet të jetë në përputhje me shkathtësitë psikofizike të tij, dhe ngarkesa në rangun e mbimesatares së mundësive të nxënësit është e lehtë dhe e mundshme për të.
6. Sa ndikon motivimi në formimin e personalitetit të nxënësit?
Entuziazmi shpreh rrezatim, dritë, shpresë, gëzim, motivim të cilat i duhen nxënësit për të ecur përpara në jetën shkollore, por jo vetëm shkollore, por edhe në jetë. Si fëmijët ashtu edhe të rriturit janë të frymëzuar nga entuziazmi i të tjerëve.
7. Përmend disa nga strategjitë që motivojnë të nxënit.
• Të treguarit e historive;
• Mikpritja e pyetjeve të nxënësve;
• Vendosja e dialogut pyetje-përgjigje rreth historive të treguara etj.
8. Cilat janë fazat e orës mësimore?
Fazat e orës mësimore janë: E – evokim, R – realizimi i kuptimit dhe R – Reflektimi (ERR).
9. Cilat janë shkathtësitë e shekullit XXI?
Shkathtësitë e shekullit XXI janë:
1. Përgjegjësia personale dhe shoqërore
2. Planifikimi, të menduarit kritik, rezonimi (arsyetimi) dhe kreativiteti
3. Shkathtësitë për komunikim me të tjerët
4. Të kuptuarit e kulturave të tjera
5. Vizualizimi (pamja) dhe vendimmarrja
6. Njohuri për përdorimin e teknologjisë
10. Përmend komponentët e kompetencës.
1. Njohuria – fuqia, cilësia që zotëron individi
2. Aftësia – tërësia e fakteve dhe e parimeve që zotëron
3. Zotësia – mundësia që ka individi për të arritur
4. Shkathtësia – mënyra e veprimit që kryhet pas një përsëritjeje a ushtrimi
5. Qëndrimi – prirja për të reaguar në mënyrë specifike
6. Vlera – kriter sipas së cilit gjykohet sjellja
11. Cilat janë kompetencat kryesore të të nxënit?
Kompetencat kryesore të të nxënit janë:
I. Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit – Komunikues efektiv
II. Kompetenca e të menduarit – Mendimtar kreativ dhe kritik
III. Kompetenca e të mësuarit për të nxënë – Nxënës i suksesshëm
IV. Kompetenca për jetë, për punë dhe për mjedis – Kontribuues produktiv
V. Kompetenca personale – Individ i shëndoshë
VI. Kompetenca qytetare – Qytetar i përgjegjshëm
12. Cilat janë fushat e kurrikulës?
Fushat e kurrikulës janë:
1. Gjuhët dhe komunikimi
2. Artet
3. Matematika
4. Shkencat natyrore
5. Shoqëria dhe mjedisi
6. Edukata fizike, sportet dhe shëndeti
7. Jeta dhe puna
13. Cilat janë qëllimet e arsimit parauniversitar?
Qëllimet e arsimit parauniversitar të KKK-së janë:
• Kultivimi i identitetit personal, kombëtar, i përkatësisë shtetërore e kulturore;
• Promovimi i vlerave të përgjithshme kulturore dhe qytetare;
• Zhvillimi i përgjegjësisë ndaj vetes, ndaj të tjerëve, ndaj shoqërisë dhe ndaj mjedisit;
• Aftësimi për jetë dhe për punë në kontekste të ndryshme shoqërore e kulturore;
• Zhvillimi i ndërmarrësisë dhe përdorimi i teknologjisë për zhvillim të qëndrueshëm, si dhe
• Aftësimi për mësim gjatë gjithë jetës.
14. Cilat janë parimet e arsimit parauniversitar?
Parimet e arsimit parauniversitar janë:
• Gjithëpërfshirja;
• Zhvillimi i kompetencave;
• Mësimdhënia dhe të nxënit e integruar dhe koherent;
• Autonomia dhe fleksibiliteti në nivel shkolle;
• Përgjegjësia dhe llogaridhënia.
15. Cilat janë konceptet e përgjithshme të fushës përkatëse kurrikulare (gjuhët dhe komunikimi)?
Konceptet e përgjithshme të fushës përkatëse kurrikulare janë:
1. Tekstet letrare dhe joletrare
2. Gjuha figurative dhe jofigurative
3. Kritika, teoria, historia
4. Sistemi gjuhësor
16. Cilat janë instrumentet e planifikimit?
Instrumentet e planifikimit janë:
1. Plani mësimor,
2. Plani vjetor,
3. Plani dymujor,
4. Plani javor,
5. Plani i orës mësimore dhe planifikimi i çështjeve ndërkurrikulare e veprimtarive jashtëkurrikulare.
17. Çfarë përmban plani mësimor?
Plani mësimor, përmban:
1. Fushat kurrikulare;
2. Lëndët e integruara dhe të veçanta;
3. Lëndët me zgjedhje;
4. Shpërndarjen e numrit të orëve mësimore për lëndë, shkallë dhe klasë;
5. Numrin e orëve javore për secilën lëndë, klasë dhe vit mësimor.
18. Nga sa periudha përbëhet plani vjetor?
Plani vjetor përbëhet (realizohet) nga tri periudha mësimore:
Periudha I. Planet dymujore SHTATOR—TETOR dhe NËNTOR—DHJETOR.
Periudha II. Plani tremujor JANAR—SHKURT—MARS.
Periudha III. Plani tremujor PRILL—MAJ—QERSHOR.
19. Çfarë përmban plani dymujor ose tremujor?
Plani dymujor, përmban:
1. Temat mësimore;
2. RNSH-të (rezultatet e kompetencave);
3. RNF-të, lëndët mësimore;
4. RNL, njësitë mësimore - NJM,
5. Kohën e nevojshme (orë mësimore)
6. Metodologjitë e mësimdhënies, metodologjitë e vlerësimit;
7. Ndërlidhjen me lëndë të tjera mësimore, me çështjet ndërkurrikulare dhe situatat jetësore, si dhe burimet.
20. Çfarë ka për qëllim vlerësimi?
Vlerësimi për qëllim ka:
o Forcimin e të nxënit të të mësuarit
o Raportimin e përparimit të nxënësve
o Zotërimin e kompetencave të kurrikulës
o Certifikimin dhe orientimin e nxënësve
21. Cilat janë dokumentet kurrikulare?
Tri dokumentet kurrikulare janë:
1. Korniza Kurrikulare e Kosovës – rezultatet e të nxënit të kompetencave në përfundim të arsimit parauniversitar;
2. Kurrikulat Bërthamë I, II dhe III – rezultatet e të nxënit për kompetenca dhe fusha kurrikulare për secilën shkallë kurrikulare;
3. Planet e programet lëndore – rezultatet e të nxënit sipas lëndëve (për secilën klasë, duke filluar nga klasa përgatitore deri në klasën e dymbëdhjetë).
22. Cilat janë parimet e vlerësimit?
Parimet e vlerësimit janë:
1. Vlefshmëria,
2. Transparenca,
3. Besueshmëria, si dhe
4. Paanshmëria.
23. Cilat janë llojet e vlerësimeve?
Ekzistojnë lloje të ndryshme të vlerësimit të nxënësve, të cilat mund t’i klasifikojmë në dy kategori të mëdha:
1. Vlerësimi formativ - bëhet gjatë procesit mësimor në mënyrë vëzhguese dhe identifikon anët e forta dhe vështirësitë në të nxënit e nxënësve;
2. Vlerësimi sumativ - vlerësimi përmbledhës organizohet pas një periudhe të caktuar kohore dhe na jep informacion të përgjithshëm mbi suksesin e nxënësve.
24. Ku orientohet procesi i vlerësimit sipas KKK-së?
Procesi i vlerësimit sipas KKK-së orientohet në:
1. Vlerësim të brendshëm
dhe
2. Vlerësim të jashtëm.
Vlerësimi i brendshëm bëhet në nivel klase/shkolle nga mësimdhënësit e lëndëve mësimore përkatëse dhe sipas përshkrimit të procedurave e kritereve për secilin lloj të vlerësimit të brendshëm, të rregulluara me akte nënligjore. Ky vlerësim u mundëson nxënësve të shprehin njohuritë e reja dhe të tregojnë nivelin e zotërimit të kompetencave, duke përfshirë:
o Gjerësinë dhe thellësinë e tyre;
o Gatishmërinë për t’iu përgjigjur sfidave të nivelit të përcaktuar me rezultatet e të nxënit;
o Aftësinë për t’i zbatuar ato në situata dhe rrethana të reja.
25. Cilat janë llojet e vlerësimit të brendshëm?
Korniza e Kurrikulës përcakton tri lloje të vlerësimit të brendshëm të cilat janë të vlefshme edhe për realizimin e KB-së:
o Vlerësimi i vazhdueshëm - bëhet gjatë procesit të të nxënit (vlerësimi formativ) dhe në fund të çdo teme mësimore, njësie tematike apo periudhe të mësimit (vlerësimi përmbledhës);
o Vlerësimi përfundimtar - bëhet në fund të vitit mësimor/ dhe vitit shkollor;
o Vlerësimi për shkallë - realizohet në fund të çdo shkalle kurrikulare, përkatësisht në fund të klasave VII dhe IX.
26. Kur bëhet vlerësimi i jashtëm për KSNA2?
Vlerësimi i jashtëm për KSNA2 bëhet në fund të klasës së nëntë dhe bëhet me qëllim matjen e nivelit të arritjes së kompetencave dhe me qëllim të certifikimit për mundësi vazhdimi të shkollimit të mesëm të lartë. Ky vlerësim organizohet nga autoriteti qendror për vlerësim i autorizuar nga MAShT-i. Vlerësimi në këtë nivel mund të bëhet edhe për qëllime të tjera, varësisht nga qëllimi mund të autorizohen edhe institucione të tjera arsimore nga MAShT-i.
Vlerësimi i jashtëm mund të bëhet edhe për këto qëllime:
o Vendimmarrjeje e politikëbërjeje në fusha të ndryshme të arsimit;
o Hulumtimi dhe zhvillimi;
o Inspektimi dhe verifikimi i cilësisë së vlerësimit në nivel klase, shkolle dhe komune.
27. Përmend disa nga metodat e vlerësimit.
Në literaturat pedagogjike dhe në praktikat shkollore janë të njohura një gamë e metodave të vlerësimit, të cilat mund të aplikohen edhe në lëndët e fushës Gjuhët dhe komunikimi:
1. Detyrat individuale
2. Projektet individuale
3. Projektet grupore
4. Aktivitetet e vëzhgimit
5. Prezantimet me gojë
6. Të dëgjuarit
7. Libri i hapur
8. Punimet praktike
9. Aktivitetet kreative
10. Testet dhe detyrat kontrolluese
28. Cilat janë disa nga metodologjitë e mësimdhënies?
Disa nga metodologjitë e mësimdhënies janë:
1. Metoda e bashkëbisedimit;
2. Metoda e diskutimit;
3. Metoda e të shpjeguarit dhe e ligjërimit;
4. Puna me projekte.
29. Me cilat lëndë ka lidhje gjuha shqipe?
Gjuha shqipe ka ndërlidhje me lëndët e tjera mësimore dhe me çështjet ndërkurrikulare, si: artet, muzika, historia, kultura, matematika, edukata qytetare, tema nga Arsimi për Zhvillimin e Qëndrueshëm, tema nga Edukimi për Medie; tema nga shëndetësia, të drejtat e njeriut, barazia gjinore, diaspora etj.
30. Cilat janë palët kryesore në procesin mësimor?
Shtatë palët kryesore në procesin mësimor janë: nxënësi, kuadri mësimor, shërbimi profesional i shkollës (shërbimi pedagogjik, psikologjik, social etj.), drejtori i shkollës, këshilli i nxënësve, këshilli i prindërve, këshilli drejtues.
31. Shkruaj disa nga teknikat mësimore – të mësimdhënies.
Disa nga teknikat mësimore – të mësimdhënies janë:
1. Brainstorming (stuhi mendimesh),
2. INSERT – Sistemi Ndërveprues i Shënjimit për të Menduarit dhe Leximin Efektiv,
3. DRTA – Lexim dhe mendim i drejtuar,
4. DLTA – Dëgjim dhe mendim i drejtuar,
5. Pesëvargëshi,
6. Ditari dypjesësh,
7. Shkrim i lirë (10 min),
8. Ese (10 min),
9. Ruaje fjalën e fundit për mua,
10. Di/ Dua të di/ Mësoj,
11. Rrjeti i diskutimit etj.
32. Cilat janë nivelet e arsimit parauniversitar në Kosovë?
Nivelet arsimore në Kosovë janë (SNKA – Standardi Ndërkombëtar i Klasifikimit të Arsimit):
1. SNKA 0 – Arsimi parashkollor (lindje – 5) dhe Klasa parafillore 5 – 6;
2. SNKA 1 – Arsimi fillor (klasat I – V) 6 – 10;
3. SNKA 2 – Arsimi i mesëm i ulët (klasat VI – IX) 11 – 14;
4. SNKA 3 – Arsimi i mesëm i lartë (klasat X – XII) 15 – 17;
5. SNKA 4 – Arsimi passekondar jouniversitar 18+;
6. SNKA 5 – Arsimi universitar, SNKA 6 – Arsimi pasuniversitar 23/24+ dhe Arsimimi i të rriturve/Arsimimi gjatë tërë jetës në shkallë të gjerë (formal dhe joformal) 23/24+.
33. Ç’është PIA?
Plani Individual i Arsimit (PIA) është dokument zyrtar e pedagogjik i cili hartohet për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, për të cilët ekipi vlerësues dhe mbështetës i fushave të ndryshme zhvillimore ka marrë vendimin për arsim me nevoja të veçanta. Ky plan duhet rishikuar dy herë në vit në çdo moment tranzicioni (kur përfshihet ndërrimi i shkollës apo edhe ndryshim tjetër në arsimimin e fëmijës, për shembull, ndërrimi i nivelit, klasës, shkollës, komunës).
34. Kush e bën hartimin e PIA-s?
Drejtori i shkollës bashkë me edukatoret e grupit/ mësimdhënësit udhëtues, mësimdhënësit e klasës sipas nevojave të fëmijës vendosin se kush duhet të marrë pjesë në takimet për hartimin e PIA-s. Për hartimin e PIA-s përgjegjës janë:
- Prindi/kujdestari i fëmijës,
- Mësuesi mbështetës
- Mësuesi udhëtues
- Arsimtarët lëndorë
- Ofruesit e tjerë të shërbimeve profesionale (psikologu, pedagogu, logopedi).
35. Cilat janë rezultatet më të njohura të të nxënit, sipas Taksonomisë së Bloom-it?
Rezultatet e të nxënit më të njohura janë (Taksonomia e Bloom-it, klasifikon nivelet):
1. Njohja
2. Të kuptuarit
3. Zbatimi
4. Mendimi kritik:
Analiza
Sinteza
Vlerësimi
Pesë pyetjet më të shpeshta në testimin me gojë
1. Më trego më shumë për veten?
Jep detaje për punën tënde dhe aftësitë e tua. Mos fol më shumë se 5 minuta. Përpiqu të përshtatësh përgjigjen me pozicionin që dëshiron ta fitosh.
2. Cilat kanë qenë arritjet tuaja deri më sot?
Një punëdhënës nuk dëshiron të dëgjojë shumë mbi diplomën tënde. Të gjithë kandidatët kanë diplomë, kështu që përpiqu të theksosh çfarë të dallon nga të tjerët. Gjej një arritje nga përvoja jote.
3. Më tregoni një vështirësi që keni hasur më parë, si e keni zgjidhur?
Përpiqu të mos përshkruash një problem që u shkaktua prej teje. Trego si e identifikove problemin, si e trajtove atë dhe si e zgjidhe situatën. Gjithmonë trego anën pozitive, çfarë mësove nga kjo situatë.
4. Cilat janë pikat e tua të forta?
Kjo pyetje bëhet përherë, prandaj përgatitni shembuj. Përgatit pika të forta, si: vetëbesimi, motivimi, vendosmëria, sjellja pozitive etj. Trego pse këto pika janë të rëndësishme për pozicionin ku dëshironi të punoni.
5. Cilat janë pikat e tua të dobëta?
Mos thuaj kurrë “Hej, jam perfekt!”, punëdhënësi e ka dëgjuar shpesh këtë e nuk do t’ju besojë. Ka shumë mundësi që ju të mos e keni përvojën e duhur për punën që kërkoni ta bëni, por tregoni se jeni një nxënës që mëson shpejt, dhe me trajnim të përshtatshëm do ta zgjidhni këtë problem. Ju mund të tregoni edhe ndonjë pikë të dobët, por përpiquni ta trajtoni si të dobishme. Mund të thoni: “jam njeri pa durim dhe nuk më pëlqen të punoj pa qenë efektiv”.
Për më tepër, klikoni në linkun: https://youtu.be/SiXPjzk1XgE.
Përgatiti: MA. Mentor Hajrizi, Kosovë
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Test për mësuesit, 100 pyetje dhe përgjigje ndihmëse për provimin e kualifikimit
Integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat e zakonshme
Hartimi i PEI-t për një fëmijë me autizëm, studim nga mësuesja Selime Barolli