Gjuhët e huaja në shkollë

Shpresjona Elmazi: Mёsimdhёnia nё gjuhёt e huaja si proces i organizuar

Synimet e mësimdhënies së gjuhëve të huaja kanë si objekt zhvillimin e pavarësisë dhe individualitetit intelektual, shoqëror dhe kulturor të nxënësve. në artikullin e mëposhtëm, kjo temë trajtohet më specifikisht.

Mësimdhënia është një proces i organizuar. Si e tillë ajo është e orientuar drejt një qëllimi apo qëllimeve të caktuara. Problemet e metodave të mësimdhënies, në përgjithësi kanë të bëjnë me zgjedhjen dhe organizimin e veprimtarive për të arritur një synim. 


Synimet e mësimdhënies së gjuhëve të huaja kanë si objekt zhvillimin e pavarësisë dhe individualitetit intelektual, shoqëror dhe kulturor të nxënësve. Përdorimet praktike të mësimit të gjuhëve të huaja lehtësojnë lëvizjet e njerëzve dhe shkëmbimet kulturore në mes njëri-tjetrit. Mësimi i tyre nxit krijimtarinë dhe mënyrën alternative të të menduarit. Përqendrimi në mësimdhënien moderne të gjuhëve të huaja nxit dhe forcon bashkëveprimin mes vetëbesimit, mendimit kritik dhe përgjegjësisë vetjake. Këto mund të arrihen kur:


a) Vendos nxënësin në qendër të procesit mësimor.


b) Aftësia konceptuale dhe diapazoni komunikues janë në lartësinë e duhur.


         Nxënësit duhet të ndërgjegjësohen për konceptet kyçe që janë në themel të metodave mësimore të përdorura, veçanërisht për rëndësinë e ndërveprimit komunikues. Ky ndërgjegjësim do t’i inkurajojë nxënësit për të përshkuar, pyetur, klasifikuar në mënyrë të vetëdijshme dhe mundëson ushtrimin e fushave të përdorimit të gjuhës si dhe zhvillimin konceptual nё gjuhën e huaj. Gjithashtu  diapazoni i llojeve të komunikimit të ndërmarrë nga nxënësit zgjerohet përmes larmisë dhe regjistrave të gjuhës së përdorur, shumëllojshmërisë së auditorit dhe qëllimeve.


c) Përmirësimi i metodave të mësimdhënies dhe përdorimi i masmedias përshtaten me lëndën, nxënësit dhe etapat e programit. Mësimet kërkojnë nga nxënësit: të jenë aktivë ose përsiatjes në momente të ndryshme; ose mund të jenë kryesisht shpjegues, apo të bazohen tërësisht në dialogun mësues-nxënës, nxënës-nxënës.

Masmedia dhe teknologjitë audiovizuale, veçanërisht televizori, magnetofoni apo radioja të integrohen sa më shpesh të jetë e mundur dhe në mënyrë sa më të plotë në hartimin e materialeve për detyra dhe veprimtari në klasë dhe në shtëpi, duke i konsideruar këto si burime të fuqishme që ndihmojnë në sigurimin e materialeve autentike e bashkëkohore, për studim në klasë dhe në shtëpi.


d) Kur roli i mësuesit dhe materialet didaletike janë bashkëkohore.

Roli i ri mësuesit mund të bëjë që nxënësi të jetë i ngarkuar me më shumë përgjegjësi për procesin e të nxënit. Nxënësit arrijnë tё përfitojnë një shkallë të lartë pavarësie, teknika dhe strategji të reja të procesit të përvetësimit, që shtrihen në sfera dhe në lëndë përtej gjuhës së huaj. Mësuesi bëhet më tepër organizues i klasës, furnizues dhe orientues për nxënësit, në gjetjen e materialeve e burimeve të ndryshme e që i ndihmojnë ata për një të mësuar të qëndrueshëm. Mësuesi ka më tepër rol planifikues, se sa tё jetё burim i të gjitha njohurive në klasë.


Metodat bashkëkohore të mësimdhënies e mësimnxënies fokusojnë me shumë në aftësitë komunikuese të nxënësve, të cilat janë përqendruar nё katёr  fushat e studimit 

  1. dëgjimi dhe reagimi
  2. leximi dhe kuptimi
  3. të folurit
  4. të shkruarit.


Veprimtaritë kryesore mësimore në gjuhën e huaj mund të integrojnë dy ose më shumë prej katër aftësive gjuhësore të lartpërmendura. Përgjigjet me gojë  e me shkrim në orët e mësimit synojnë në përdorimin aktiv të gjuhës së huaj sa më herët të jetë e mundur në programin mësimor.


Përmbajtja e kurrikulave të gjuhëve të huaja përbëhet prej katër pjesësh që ndërthuren së bashku:

- Aktet e komunikimit dhe funksionet e gjuhës;

- Programi temakik;

- Lidhja e temave dhe funksioneve;

- Fjalori, shqiptimi dhe gramatika.

Ndërthurja e këtyre tyre katër pjesëve ndihmojnë në pervetësimin e njohurive strukturore me zhvillimin e lirshmerisë së aspektit funksional në procesin mësimor, duke minimizuar përshkallezimin strukturor tradicional.


Metodat komunikuese për mësimin e gjuhëve të huaja janë futur në botë prej kohësh, por ato ofrojnë një metodë të re për këtë vit shkollor edhe tek ne. Aktet e komunikimit, që kryhen përmes gjuhës, përgjithësisht përmbushin funksione që përfaqësojnë qëllimet e folësit ose shkruesit si për shembull: këshillë, përshkrim, kërkesë, paralajmërim etj.


Programi tematik i gjuhëve të huaja (gjermanisht, anglisht, italisht etj) mundëson vënien e nxënësve në qendër të procesit mësimor. Ai duhet të konceptohet i tillë që të mundësojë përdorime të ndryshme në materialet mësimore për grupmosha të ndryshme dhe, duke hulumtuar tema ndërkulturore, nxit mendimin kritik dhe vetëvlerësimin e nxënësve.


Për sa u tha më lart, përvetësimi i lëndës mësimore apo i programit mësimor edhe në lëndën e gjuhës së huaj përdoren me sukses metodat e strukturat e reja për mësimdhënien dhe zhvillimin e të menduarit.


Struktura për të menduarit dhe të nxënit është një procedurë përmes së cilës mësuesit udhëheqin nxënësit drejt arsyetimit. Struktura ERR përbëhet nga 3 faza:

E( evokimi), R (realizimi i kuptimit) dhe R (reflektimi). Kjo strukturë nuk është e kufizuar vetëm në përmbajtjen e mësimit, por është e zbatueshme në të gjitha situatat e të nxënit.


Përmbajtja e mësimeve, këtu, shërben si shembull zbatimi. Zbatimi i strukturës ndryshon në varësi të moshës dhe nivelit të nxënësve. Përdorimi me sukses i saj edhe në lëndën e gjuhëve të huaja mundëson:

  • Të gjallërojë të menduarit e nxënësit;
  • Të sigurojë diskutim të pasur në fjalë, fjali e fjalor;
  • Të motivojë të nxënit e nxënësve;
  • Të nxitin vetëshprehjen;
  • Të ndihmojë mendimin kritik;
  • T’i bëjnë nxënësit tё sigurtё për të përpunuar informacionin etj.


Nxënësit, duke kaluar përmes kësaj strukture të të nxënit, provojnë një tërësi sjelljesh, e cila, i çon drejt përfshirjes frytdhënëse të informacionit të ri me njohuritë e mëparshme.

ERR është një strukturë jo e improvozuar, por e nxjerrë nga përvoja, studimet dhe eksperimentimet e shumta.


Një tjetër strukturë është dhe A-94, apo metodat e edukimit global: ku përdoren me sukses dhe në lëndën e gjermanishtes, anglishtes etj. Bashkëbisedimi, loja me role, debati, diskutimi, puna në grup, brainstorming etj. Metoda që e bëjnë orën e mësimit, veç tjerash më të këndshme, tё larmishme, frytdhënëse dhe të suksesshme. Kёto struktura tё tё menduarit dhe tё nxёnit janё procedura pёrmes tё cilave mёsuesit udhëheqin nxёnёsin drejt arsyetimit. 

                      



Përgatiti, Shpresjona Elmazi, drejtoreshë në gjimnazin “Ismail Qemali”, Tiranë 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

748 Lexime
8 muaj më parë