INTERVISTË

“Antitabu” për të thyer tabu, Shaban Murati flet për librin e tij të ri 

Ju ftojmë të lexoni këtë intervistë ekskluzive me diplomatin dhe studiuesin Shaban Murati që ne kemi realizuar mbi librin e tij të ri “Antitabu”. Vepra e botuar nga ALBAS përfaqëson një ngulmim intelektual për të trokitur dhe për të hapur dyert e rënda të tabuve të shumta shqiptare.

 Ai është jo pak i njohur për lexuesit shqiptar, e për më tepër për ata të cilët janë disi të përzgjedhur. Shaban Murati “Mjeshtëri i Madh” në diplomaci, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analist diplomatik me një përvojë mbi 50-vjeçare në fushën e politikës së jashtme; pedagog i jashtëm për estetikën dhe anëtar i Katedrës së Estetikës, si dhe anëtar i Katedrës së Historisë së Përgjithshme në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Ai është autor i shumë librave dhe i mijëra analizave për çështjet e diplomacisë, të politikës së jashtme, të kulturës dhe artit etj., në mediet vendase dhe të huaja. Sapo ka hedhur në treg librin e tij të ri “Antitabu”, një libër i cili me sa duket vjen për të trokitur dhe për të hapur dyert e rënda të tabuve të shumta që na prangosin sot si shoqëri shqiptare. Qasja e tij është tepër interesante. Për të mësuar diçka më tepër ju ftojmë të lexoni intervistën që ne kemi zhvilluar me të. 




Z.Murati për të gjithë ata lexues kureshtar, më lejoni ta nisim këtë intervistë me një njohje të përgjithshme të librit tuaj më të ri botuar nga Albas...Çfarë pasqyroni në librin tuaj “Antitabu” dhe pse ky titull?



Qëllimi i librit tim është të thyejë shumë tabu, që karakterizojnë jetën shqiptare dhe mendimin shoqëror shqiptar. Ndaj i vura titullin “Antitabu”. Libri përfaqëson një ngulmim intelektual për të trokitur dhe për të hapur dyert e rënda të tabuve të shumta, që prangosin sot shoqërinë shqiptare. Tabu të krijuara nga historia e dhimbshme e pushtimeve të gjata prej mijëra vjetësh. Tabu të krijuara nga varfëria proverbiale dhe nga prirja e detyruar e mbijetesës në guaskën e mbylljes në vetvete. Tabu të krijuara nga imponimet e mentaliteteve dhe kulturave heterogjene të të gjitha pushtimeve të tokës arbërore në dy mijë vjet. Tabu të krijuara nga niveli i ulët kulturor dhe nga rrethimet gjeografike dhe shpirtërore. Tabu të ngurtësuara nga baza e pashërueshme tribale e shoqërisë dhe e mendjes shqiptare. Tabu të krijuara nga regjimet autokratike dhe udhëheqësit autokratë në gjithë historinë e shtetit shqiptar. Tabu të injektuara nga shtetet fqinj, që nuk kanë dashur kurrë që Shqipëria të ecë në një hap me botën. Tabu, që nuk i theu dot as sistemi demokratik pas shembjes së komunizmit në Europën Lindore dhe që për fat të keq vegjetojnë dhe janë norma etike dhe jetese në ditët e sotme. 



Sapo hapim librin “Antitabu”, në vend të parathënies gjejmë të shkruar në latinisht ego sum-unë jam. Çfarë keni dashur të shprehni me këtë? 


Deviza “Unë kam” përfaqëson thirrjen që njeriu të jetë vetvetja në formimin e integritetit personal dhe të mendimit të tij për botën, që e rrethon. Të jetë vetvetja don të thotë të jetë imun nga ndikimet ideologjike, politike, partiake, krahinore, fetare, fisnore, etj. Vetëm kështu mund të guxojë të thyejë tabutë, duke qenë vetvetja dhe duke i thënë njeriu portretizimit të vetes “Unë jam”.Të sa viteve janë këto përmbledhje reflektimesh, ndër të tjera? Të shkruara janë gjatë pesë viteve të fundit. Por ato reflektojnë një përvojë të gjatë studimore, analitike, profesionale dhe njerëzore prej disa dekadash.



Kush janë tabutë shqiptare që me sa duke ju shtyn ju si diplomat dhe studiues të shkruani për të reflektuar mbi to, përgjatë këtyre viteve të fundit?


 Tabutë shqiptare janë të shumta dhe ngurosur nga shekulli në shekull, nga dekada në dekadë, dhe kornizat e reja të sistemit demokratik nuk arriti dot në Shqipëri të krijojë lirinë e duhur për thyerjen e tabuve në kuptimin dhe shpjegimin e fenomeneve dhe dinamikës së shoqërisë, në interpretimin e historisë dhe të ngjarjeve e personaliteteve historike, të marrëdhënieve sociale, ekonomike, kulturore, fetare, etj. midis shtresave dhe grupeve, të raporteve të Shqipërisë dhe të kombit shqiptare me popujt dhe shtetet e tjera në rajon, etj. Tabutë shqiptare kanë të bëjnë me koncepte dhe dogma të ngurosura ideologjikisht dhe historikisht, të cilat janë të vështira të thyhen dhe të neutralizohen, sepse mbështeten nga një mentalitet masiv i palëvizshëm dhe nga një interes okult i atyre që drejtojnë shtetin. Është një detyrë njerëzore, që kërkon formim intelektual dhe guxim intelektual. 



Nisur nga këto që ju shtjelluat duket se gati-gati, kjo vepër mund të kthehet në një lloj revolucioni mendimor në shoqërinë shqiptare...kujt miqve ua drejton këshillat në librin tënd? 


 Këtë mund ta dallojmë që në kopertinën e librit.Natyrisht libri “Antitabu” u drejtohet të gjithë lexuesve, të angazhuar apo të prirur për një ndryshim për të mirë në mendimin shoqëror shqiptar dhe në jetën shqiptare. Është një dialog, që unë e zhvilloj prej vitesh në rrjetet sociale për të eksploruar psikologjinë dominuese dhe diversitetin e mendimit shoqëror shqiptar, për të kuptuar pengesat e mendimit, të ndjenjave apo instinkteve masive, që na mbajnë ende larg nivelit të duhur të demokracisë dhe të përparimit.



Në libër nuk mungon as koha që ju keni shkruar teksa ishim në karantinë prej virusit që tashmë ka pushtuar mbarë botën, COVID-19. Çfarë mund të veçoni nga shënimet tuaja gjatë kësaj periudhe? 


Periudha e izolimit te detyruar nga pandemia të shtyn të hulumtosh forcën individuale të njeriut për të përballuar trysnitë e reja të paprovuara, për të kuptuar atë që shkrimtari Ibsen e përkufizon se “njeriu i vetmuar është njeriu më i fortë”. Por të shtyn gjithashtu të hulumtosh sjelljet, lëvizjet dhe prirjet e reja të jetës shoqërore dhe të mendimit shoqëror, si dhe raportin e ri të krijuar midis shqetësimit personal dhe shqetësimit shoqëror e kombëtar.



Personalisht mua, pasi lexova “Antitabu”, më ngeli ndjesia që jo vetëm duhet të reflektojmë për shumëçka na rrethon në këtë vend, por edhe që duhet të hedhim hapa në veprim se “Si mund të përparojmë ne si shoqëri?”, një pyetje e shkurtër por që na ka munduar e po na mundon gjatë me përgjigjen e saj...Çfarë mund t’i thoni ju lexuesve tuaj? 


Njeriu duhet të jetë vetvetja dhe të guxojë të mendojë si individ i pavarur, jashtë ndikimeve negative të mjedisit, ku jeton, vepron dhe qarkullon.



Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku         


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,723 Lexime
3 vjet më parë