Botim për mësuesit

“Antologji kujtimesh”, dhurata e ALBAS për mësimdhënësit shqiptarë me rastin e 7 Marsit!

Shtëpia Botuese ALBAS, me rastin e Ditës Kombëtare të Mësuesve fton të gjithë mësuesit/mësueset që të bëhen pjesë e konkursit “Antologji kujtimesh”.Thirrja është e hapur nga data 7 mars deri më 31 mars për të gjithë mësimdhënësit shqiptarë kudo ndodhen.

Nëse keni pasion të shkruarin dhe doni të bëheni pjesë e një botimi, atëherë ky është momenti juaj!


Shtëpia Botuese ALBAS, me rastin e Ditës Kombëtare të Mësuesve fton të gjithë mësuesit/mësueset që të bëhen pjesë e konkursit “Antologji kujtimesh”. Thirrja është e hapur nga data 7 mars deri më 31 mars për të gjithë mësimdhënësit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e Diaspora.  


Temat mbi të cilat mund të shkruani:

Mos ngurroni të na dërgoni të shkruar një rrëfim konkret (tregim, prozë, a pasazh) nga jeta juaj si mësimdhënës.

Nuk pranohen poezitë, vjershat, opinionet, analizat etj. 

Pra antologjia do të jetë vetëm me rrëfime konkrete, ngjarje të spikatura nga puna juaj me nxënësit, të shkruara në mënyrë letrare (ku duhet të përdorni dialogje, figura letrare etj). 

Për shembull, ju mund të shkruani për kujtimin më të bukur që ruani edhe sot si mësues; për mbresat nga mësimdhënia ose nga puna me nxënësit; mund të shkruani edhe për çaste humoristike, mirënjohjeje, çaste lumturie, histori me personazhe (dikur nxënës) që sot janë të njohur për shoqërinë tonë, ose ndryshe të famshëm (vipa); mund të shkruani për pyetjet më të sikletshme që ju kanë bërë ndonjëherë nxënësit; por mund të shkruani edhe për momentet më të vështira, pengjet, pendesat, kapërcimet e konflikteve, rastet e bullizimit e të tjera kujtime që ju doni t’i ndani e që ja vlejnë për të dhënë mesazhe të caktuara! 

Kjo mundësi krijohet në kuadër të mbështetjes që ALBAS u ofron mësuesve. 


Kriteret e pjesëmarrjes në konkurs:

Për të marrë pjesë në këtë konkurs, ju duhet të na dërgoni: 

  • Shkrimin në Word, jo më shumë se 4 faqe A4
  • Jetëshkrimin tuaj (sa më shkurt) ose një CV
  • Një foto cilësore


Afati dhe adresa e dorëzimit të materialit: 


Dokumentacionin e plotë sipas kritereve të pjesëmarrjes duhet ta dorëzoni në adresën tonë elektronike [email protected] brenda afatit nga data 7 mars deri me 31 mars. 


Përzgjedhja e shkrimeve 

Shkrimet më të mira do të përzgjidhen për botimin “Antologji kujtimesh” nga redaksia e ALBAS. Por kriter për përzgjedhjen do të jetë edhe numri i leximeve nga uebi portalshkollor.al (shifra e leximit të çdo shkrimi është publike dhe verifikohet lehtësisht).


Kur do të botohet libri “Antologji kujtimesh”?

Antologjia do të shtypet në shtypshkronjën me standarde bashkëkohore Dea Print, dhe do të promovohet gjatë Panairit të Librit Tirana 2023. 


Mos ngurroni të merrni pjesë në këtë konkurs të veçantë të organizuar nga Portali Shkollor Albas dhe i mundësuar nga Shtëpia Botuese Albas.


Ne më pranë mësuesve!




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,835 Lexime
1 vit më parë