OPINION

Arsimi gjithëpërfshirës dhe socializimi i çdo fëmije. Nga Brikena Kasmi

Çdo fëmijë me aftësi të kufizuara, duhet të jetojë mes fëmijëve të tjerë që të kuptojë dhe të kuptohet. Asnjë metodë, asnjë teknikë dhe asnjë ushtrim nuk mund të zëvendësojë raportin njerëzor, prandaj duhet mbështetur integrimi dhe gjithëprfshirja e tyre në arsim.

Ne jemi si ju...Duke e konceptuar fëmijën me aftësi të kufizuara si një individualitet me cilësi dhe potenciale të mëdha, pavarësisht nga çrregullimet, duhen krijuar mundësi që fëmija të riaftësohet në të gjitha fushat e zhvillimit.


Çdo fëmijë me aftësi të kufizuara, duhet të jetojë mes fëmijëve të tjerë që të kuptojë dhe të kuptohet. Asnjë metodë, asnjë teknikë dhe asnjë ushtrim nuk mund të zëvendësojë raportin njerëzor, prandaj duhet mbështetur integrimi dhe gjithëprfshirja e tyre në arsim. 


Një fëmijë me aftësi të kufizuara i integruar apo i gjithpërfshirë në sistemin arsimor, pikë së pari është një sfidë, që duhet të përmbushet deri në fund, është një përgjegjësi për të gjithë sepse ai duhet të shndërrohet në një individ të aftë për t’u rritur, zhvilluar dhe për të pasur raporte me të tjerë. Duke e konsideruar zhvillimin e fëmijës shumë dinamik dhe kompleks, arrijmë në përfundimin se çdo fëmijë ka nevojë në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme për edukim, arsimim dhe socializim pranë bashkëmoshatarëve të tij në të njëjtat kopshte e shkolla. Me zhvillimin e përgjithshëm të vendit edhe këta fëmijë dhe familjet e tyre, kanë përfituar nga përparimet dhe ndryshimet njësoj si edhe të tjerët. Shqipëria është një nga nënshkrueset e para të Konventës së OKB-së për të drejtat e fëmijës dhe vendi është angazhuar të zhvillojë mirëqenien e gjithë fëmijëve të vendit. Një ndër kërkesat e shtruara qartë për vendet që kërkojnë të anëtarësohen në Komunitetin Europian është edhe përmbushja e të drejtës për arsimim e të gjithë fëmijëve pa asnjë lloj dallimi pavarësisht nga aftësia e kufizuar apo nevojat speciale që ata kanë.


Dy janë arsyet kryesore përse këta fëmijë duhet të mësojnë në shkolla: e  para, sepse shoqërizimi nxit zhvillimin e tyre dhe e dyta, sepse nxjerr në pah mundësitë që kanë.


Shoqërizimi me pjesën tjetër të shoqërisë është aspekti i mohuar në edukimin special, prandaj këtij aspekti i është dhëne rëndësi parësore për arritjet e fëmijëve me AK.

Gjithpërfshirja është një proces nëpërmjet të cilit arrihet që të gjithë fëmijët të përfshihen dhe të marrin pjesë në mënyrë efektive në procesin mësimor, pa diskriminuar njeri- tjetrin.

Kuptimi i pjesshëm i aftësisë së kufizuar si diçka e ardhur si pasojë e një ndërveprimi mes një dëmtimi dhe mjedisit të jashtëm, e jo si një ‘defekt’ i trashëguar tek personi me aftësi të kufizuara, është një sfidë e madhe në nivel sistemi, komuniteti dhe shkolle. Shumë fëmijë, si rezultat i kësaj qasjeje, institucionalizoheshin dhe konsideroheshin “të pa arsimuar”. Shumë të tjerë, të cilët qëndruan me familjet e tyre, mbaheshin si të fshehur dhe kishin mundësi shumë të kufizuara për arsimim të çfarëdo lloji. Edukimi i hershëm është i një rëndësie të veçantë për fëmijët me aftësi të kufizuara: një vlerësim i hershëm i pasuar nga arsimim i hershëm, mund t’u ofrojë fëmijëve me aftësi të kufizuara, mbështetjen thelbësore shtesë dhe mjetet që u duhen për të zhvilluar potencialin e tyre në mënyrë të plotë. Pavarësisht kësaj, ata kanë më pak gjasa për t’u përfshirë në programe të tilla. Modelet e ofrimit të arsimit të hershëm, variojnë ndjeshëm - ka një sërë programesh në rajon, por nuk është e qartë se deri në çfarë mase përfitojnë prej tyre fëmijët me aftësi të kufizuara.


Në vendin tonë, fëmijët me aftësi të kufizuara, duket se ende nuk janë të integruar në sistemin arsimor, çka sjell edhe shqetësim shumë të madh në përfshirjen dhe integrimin e tyre në shoqëri. Duke iu referuar të dhënave të Ministrive të Arsimit dhe Sporteve si dhe shifrave zyrtare të INSTAT-it rezulton se 84% e fëmijëve me prapambetje mendore dhe fizike të moshës shkollore, nuk e frekuentojnë arsimin e detyrueshëm. Kjo për shkak të paragjykimeve që kanë prindërit, mungesës së infrastrukturës në shkolla dhe  sepse mungojnë mësuesit mbështetës/profilit. 


Promovimi i qëndrimeve pozitive që në fëmijëri është pararendës i qëndrimeve pozitive në moshën e rritur. Le të kontribuojmë të gjithë së bashku për këtë, në mënyrë që shoqëria shqiptare të jetë një shoqëri e hapur dhe jodiskriminuese.


Nga Brikena Kasmi


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,432 Lexime
3 vjet më parë