Me këmbë të mbarë!...

Arsimtar, je diplomat i jetës!- Nga Evans Drishti

Mos harro! Ishte arsimtari që t’i zbuloi dhe t’i nxorri në pah dhuntitë dhe aftësitë e tua që të marrësh një “ROL” në jetë, pasi ai të nxiti, të ushqeu, të mbështeti, të orientoi, të bindi duke të ofruar argumente të qarta dhe të sakta për zgjedhjen e jetës...


Një pikënisje shtatori të sjell në vëmëndje një “pikënisje jete”… 

Ishe në hapat e parë të jetës, ku sapo kishe nisur të forcoje këmbëzat e vockla duke hedhur hapat drejt “Çerdhes” duke u thënë “të tjerëve” se “Ja ku më keni!”… 

Nise të rriteshe “paksa”, teksa prisje të hidheshe në një stad më të madh në moshë, atë të “Kopshtit” duke mësuar “rregullat e lojës” nxitimthi… 


U rrite sërish, por këtë herë me një tjetër “emocion” disi të papërmbajtshëm, pasi mosha ta donte të nisje “Udhën” në “KLASËN E PARË” të jetës… Aty ky do mësoje “shkronjëzat” e “Alfabetit të gjuhës mëmë”… 


Po sa të tillë do vinin në vijim!?...


Edukimi dhe arsimimi yt në fakt kishte nisur që në “FAMILJEN” tënde, me prindërit e tu, natyrshëm, por ja që ti “detyrimisht” do dilje përtej saj, për të nisur këtë udhëtim magjepsës me një/me disa  “arsimtar/e” që do të ofronin një pasuri të pashtershme “dije” dhe “kulture”… 


Vitet kaluan… 


Libra të shumtë kalove nëpër duar deri në ciklin e së mesmes, aty ku veten e ndjeve më të rritur, aty ku arrite të dalloje se cilës lëndë do i përkisje në “hallkën e jetës”, aty ku çdo “arsimtar” i yti do bënte përpjekjet maksimale për të të njohur me “magjitë” dhe “misteret” e çdo fushe shkencore, natyrore, letrare e kulturore… 


Diku do “mësoje” me shumë kënaqësi e përkushtim e diku tjetër me pakëz “përtesë”, pasi shpirti dhe mëndja yte tashmë pësonin një “zgjerim” duke kërkuar hapësirë për të vepruar… 


Sërish pranë do kishe “arsimtar” in tënd të preferuar që do ishte ose i matematikës ose i fizikës, ose i letërsisë ose i gjuhës, ose i biologjisë ose i kimisë, ose i historisë ose i gjeografisë, ose asnjëri prej tyre në fakt, pasi ndoshta do të ishte i artit apo i sportit, nga ta dije?!... 


Megjithatë, pranë përherë do të gjeje arsimtarin tënd të preferuar… atë që ty do të jepte ushqimin tënd të preferuar… 


Vitet sërish kaluan!... Ti u maturove!... 


Tashmë në një tjetër sfidë… Në një tjetër shkallë të jetës… Në një tjetër përballje… 

Ishte pikërisht arsimtari që të qëndroi pranë në orientime të sakta dhe të duhura për “zgjedhjet” e jetës… 

Jeta universitare t’i hapi dyart për t’u bërë një inxhinier, një arkitekt, një ekonomist, një dentist, një mjek, një ushtarak, një kuzhinier, një artist, një gazetar, një sportist, një arsimtar, një psikolog, një politikan… një profesionist…  


Por mos harro!.. 


Ishte arsimtari që t’i zbuloi dhe t’i nxorri në pah dhuntitë dhe aftësitë e tua që të marrësh një “ROL” në jetë, pasi ai të nxiti, të ushqeu, të mbështeti, të orientoi, të bindi duke të ofruar argumente të qarta dhe të sakta për zgjedhjen e jetës… 


  • Sot, ngado të shkosh hasesh me njerëz të profesioneve dhe zanatave të larmishme, pasi vetë nevojat e jetës janë të atilla. 
  • Sot, ti kërkon mjekun më të mirë, që të të sjellë shërim, por mos harro se ky mjek ka dalë nga dora e një arsimtari të mirë, 
  • Sot ti kërkon inxhinierin më të mirë, arkitektin më të mirë, piktorin më të mirë, ekonomistin më të mirë… pra specialistin më të mirë dhe më të zotë të fushës, por mos harro së më i miri doli nga arsimtari më i mirë dhe më profesionisti… 
  • Sot ne të gjithë në fakt kërkojmë “DIPLOMATIN” më të mirë që të jetë i aftë të drejtojë dhe menaxhojnë tashmë jo vetëm një njeri, por një shoqëri të tërë, një vend të tërë. 


E pra, ja që ky diplomat ka dalë nga duart e mjeshtrave dhe profesionistëve të arsimit, të dijes e të kulturës dhe është pikërisht produkt i tyre… 

Prandaj ky diplomat je vetë ti, “arsimtar”, që në fakt s’ka rëndësi nëse je në veri apo në jug, në lindje apo në perëndim, në fshat apo në qytet apo në zonë bregdetare… 


Prandaj, të lutem “arsimtar” mos u mjafto të shpjegosh vetëm lëndën tënde, mos u mjafto të merresh vetëm me zgjidhjet e ushtrimeve të librit tënd, mos u mjafto vetëm me fushën tënde!... 


Tregoju nxënësve të tu, që në pikënisje të këtij viti shkollor e në vijimësi:


  • Rregulat dhe normat e një shoqërie 
  • Detyrat dhe detyrimet e një individi 
  • Histori dhe ngjarje suksesi të kohëve të mëparshme dhe të sotme 
  • Rolin dhe rëndësinë që ka jo vetëm lënda jote, por vetë arsimimi në përgjithësi, 
  • Fjalë, fjali, tekste, libra, revista, gazeta dhe shkrime që në thelb kanë etikën dhe kulturën e vërtetë 
  • Orientime të qarta se si mund të bëhesh një “figurë” me vlerë në shoqëri… 


Të gjithë e dimë se sot është epoka e teknologjisë, pjesë e së cilës “detyrimisht” jemi secili prej nesh, sot është epoka e një larmishmërie të pafundëm dije dhe kulture, e cila kërkon prej “teje” orientimin e saktë dhe të domosdoshëm, ashtu sikurse të gjithë e dimë se është koha të “gjëndet” më i miri dhe më cilësori që “detyrimisht” do të sjellë një produkt “risi” prej mundit dhe sakrificës “tënde”… 


Prandaj arsimtar, je diplomat i jetës për të shpjeguar diplomacinë e rritjes dhe zhvillimit të brezave të rinj, të cilët medoemos presin dorën e “MJESHTRIT” 

MBARËSI NË KËTË VIT SHKOLLOR!... 




Nga Evans Drishti

 © Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,426 Lexime
1 vit më parë