Botime të reja nga ALBAS: “Jevgenij Onjegin”, “Kryekuvendaret”, “Prometeu i lidhur” dhe “Getsbi i madh”

Albas, botime të reja: “Jevgenij Onjegin” nga A. S. Pushkini, “Kryekuvendaret” nga Aristofani, “Prometeu i lidhur” nga Eskili dhe “Getsbi i madh” nga F. Scott Fitzgerald i shtohen serisë “Klasike dhe Moderne”, duke sjellë katër autorë dhe vepra të njohura të letërsisë botërore.

Katër vepra të rëndësishme nga letërsia botërore i shtohen serisë “Klasike dhe Moderne” të Botimeve ALBAS. Nga Pushkini te Fitzgerald-i, nga tragjedia antike greke te romani amerikan i shekullit XX, këto botime sjellin për lexuesin histori, personazhe dhe ide që i kanë rezistuar kohës, duke na ftuar të zbulojmë edhe një herë vlerat dhe bukurinë e letërsisë klasike e moderne.



1.“Jevgenij Onjegin” – A. S. Pushkin

Një nga kryeveprat e letërsisë botërore, ku dashuria, zhgënjimi dhe ironia ndërthuren në një tablo poetike të jetës dhe shoqërisë ruse. Përmes fatit të Onjeginit, Tatjanës dhe Lenskit, Pushkini depërton në thellësitë e shpirtit njerëzor, duke zbuluar përplasjen mes ndjenjës dhe arsyes, ëndrrës dhe realitetit. Një roman në vargje që magjeps me finesën poetike dhe modernitetin e tij.


A. S. Pushkini ishte poet dhe shkrimtar i madh rus, themelues i letërsisë moderne ruse,  krijimtaria e të cilit u shqua për frymën liridashëse dhe guximin kundër autokracisë cariste. Ai krijoi vepra të pavdekshme, përfshirë poezi lirike, poema romantike, roman në vargje, drama dhe prozë, duke lënë pas një trashëgimi letrare që kapërceu kufijtë e kohës.


Sjellë në shqip nga Agron Tufa.



2. “Kryekuvendaret” – Aristofani

“Kryekuvendaret” është, kronologjikisht, e parafundit ndër veprat e shpëtuara të Aristofanit. Trilli i gjetjes utopike të Aristofanit te kjo pjesë është vetiu komik: falë një rrengu të fshehtë, pushteti i qytetit të Athinës kalon tërësisht në duart e Praksagorës – një grua kjo mjaft e zgjuar, çapkëne dhe e zellshme – dhe të disa të besuarave të saj. E pastaj... asgjë nuk është më si më parë. Nëpërmjet një ligji të votuar shpejt e shpejt, çdo pasuri, vetjake qoftë apo familjare, shndërrohet në pronë të përbashkët. Njëra prej rrjedhojave të natyrshme të këtij ligji është edhe shfuqizimi i martesës. 


Sidoqoftë, nëse në disa vepra të tjera Aristofani i këshillonte seriozisht përmbysjet rrënjësore të gjendjes së shoqërisë, duket se rrethanat e pabesueshme të kësaj komedie i krijon vetëm e vetëm për hir të humorit e të zbavitjes.


Sjellë në shqip nga Romeo Çollaku



3. “Prometeu i lidhur” – Eskili 

Mes veprave të Eskilit, tragjedianit klasik, “Prometeu i lidhur” është ajo që përmendet më shpesh dhe është rimarrë më shumë në çdo formë të artit të fjalës, të artit pamor e dëgjimor. Tragjedia fillon me pamjen e një shpati shkëmbor, ku Hefesti, zoti i zjarrit dhe i punimit të metalit, nën urdhrat e Pushtetit dhe të Dhunës (Kratos dhe Bia), dy shërbyes të Zeusit, po mbërthen pas shkëmbit Prometeun. Jo aq veprimi i mbërthimit, por lidhja e protagonistit, Prometeut, pas shkëmbit, pa pasur mundësi të lëvizë, duke i privuar lirinë titanit që i dhuroi Zeusit sundimin në fron, është vuajtja më e madhe për të. Teksa është lidhur, lajmin e marrin vesh zota e figura të tjera të botës së hyjnive apo të njerëzve, të cilët vijnë ta takojnë me qëllim apo rastësisht. 


Në periudhën klasike helenistike të Athinës, Prometeu kultivohet në veprat e Platonit dhe të Eskilit. Ndryshe nga Hesiodi, i cili fajëson Prometeun se u solli andralla njerëzve, duke u mësuar ta fitonin jetën sa me punë, aq me mundime, Eskili na paraqet një tjetër figurë të Prometeut: njeridashësin që është gati të kalojë cakun e mosbindjes, në dobi të njerëzimit.


Eskili (525/524 para K., Eleusinë – 456/455 para K., Gela, Sicili) është një prej tre autorëve më të shquar të tragjedisë antike greke. Atij i atribuohen të paktën tetëdhjetë vepra, por prej tyre kanë mbërritur deri në ditët e sotme vetëm shtatë tragjedi të plota. Vepra e Eskilit mishëron madhështinë e tragjedisë antike, ndërthurjen e fatit njerëzor me vullnetin hyjnor dhe përplasjen mes drejtësisë, pushtetit e përgjegjësisë morale.


Sjellë në shqip nga Sokol Çunga.



4. “Getsbi i madh” - Francis Scott Fitzgerald

Në Amerikën e viteve njëzet, mes festave marramendëse dhe shkëlqimit të Epokës së Xhazit, Xhej Getsbi ka vënë një pasuri përrallore dhe ka krijuar për veten një identitet të ri. Gjithçka që ka ndërtuar i shërben një ëndrre: të rifitojë dashurinë e humbur dhe të rikthejë një të kaluar që beson se mund të përsëritet. Por pas shkëlqimit të rezidencës së tij, muzikës, shampanjës dhe turmave të të ftuarve, fshihet vetmia e një njeriu, që kërkon diçka që paraja nuk mund ta blejë. 


I botuar për herë të parë më 1925, romani i Francis Scott Fitzgerald-it është një nga kryeveprat e letërsisë amerikane. Një histori dashurie, iluzioni dhe humbjeje, por edhe një meditim mbi Ëndrrën Amerikane, kalimin e kohës dhe dëshirën njerëzore për të besuar se jeta mund të jetë më shumë nga ç’është. Sepse, në një botë ku njerëzit kanë gjithçka dhe nuk besojnë më në asgjë, Getsbi vazhdon të besojë.


Francis Scott Fitzgerald (1896-1940) është një nga shkrimtarët më të shquar amerikanë të shekullit XX dhe një nga zërat që i dhanë formë letrare Epokës së Xhazit. Me një prozë të përkorë, lirike dhe plot ironi, ai portretizoi shkëlqimin dhe zbrazëtinë morale të shoqërisë amerikane të asaj kohe, duke zbuluar, përtej pasurisë dhe suksesit, brishtësinë e ëndrrave njerëzore. “Getsbi i Madh” (1925), kryevepra e tij, zë sot një vend qendror në kanonin e letërsisë amerikane dhe mbetet një nga romanet më të lexuara e më të studiuara të shekullit XX.


Sjellë në shqip nga Granit Zela.




Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

49 Lexime
1 orë më parë