Intervistë me Ervin Nezha për romanin "Fjongon e kuqe le ta marrë era" dhe botën që e frymëzoi këtë libër

A mund të na bëjnë të huajt të shohim ndryshe historitë që kemi dëgjuar gjithë jetën? Shkrimtari Ervin Nezha flet për romanin "Fjongon e kuqe le ta marrë era", kujtimet e vendlindjes, përplasjen e kulturave, realitetin rural dhe një shoqëri ku, siç shprehet ai, "qeverisin njerëzit, jo institucionet".

Kur nisa të lexoja “Fjongon e kuqe le ta marrë era”, nuk e dija se disa prej rrëfimeve të tij do të më kthenin pas në kujtime të fëmijërisë sime. Ka diçka të veçantë te mënyra se si autori, Ervin Nezha, ndërton botën e romanit, duke ndërthurur histori të dëgjuara dikur, personazhe që mbartin shumë më tepër nga sa tregojnë dhe një realitet shqiptar që, edhe pse mund të duket i njohur, ka ende shumë për të zbuluar. E lexova me kënaqësi dhe, kur e mbylla, kisha dëshirën të dija më shumë për historinë që qëndron pas tij dhe për mendimet e autorit.


Në këtë bisedë, Ervin Nezha flet për vendlindjen që u bë lëndë e romanit, për përplasjen mes botës tradicionale dhe asaj moderne, për jetën në zonat rurale dhe për një shoqëri ku, siç shprehet ai, shpeshherë “qeverisin njerëzit”, në vend që të qeverisin institucionet. Janë përgjigje që shkojnë përtej procesit të shkrimit dhe prekin disa prej realiteteve që na rrethojnë, duke i dhënë leximit edhe një tjetër dimension.


Ju ftoj në këtë intervistë me shkrimtarin Ervin Nezha dhe, nëse ende nuk e keni lexuar, ta zbuloni romanin “Fjongon e kuqe le ta marrë era”, botuar nga Albas.


Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku 



Si lindi dëshira për të shkruar këtë roman, madje për ta shkruar në një kohë të shkurtër, siç keni treguar?


Ky roman ka një lidhje shumë të thellë emocionale me vendlindjen time. Dëshirën për ta kthyer vendlindjen në një univers letrar, dhe disa njerëz të rëndësishëm të kujtimeve të fëmijërisë në personazhe. Sigurisht që ngjarja është sajesë, por lënda e saj jo. Ajo ka qenë e prekshme që në fëmijëri, është edhe tani. Shqipëria ndryshon, njerëzit vdesin, të tjerë lindin, por lënda mbetet aty. Kështu që unë vetëm sa e kam estetizuar këtë lëndë, e kam koncentruar, që ajo që rrëfehet të dalë sa më e fortë, sa më e qartë dhe sa më e kulluar. Edhe unë si autor kam frymën time në libër, jo vetëm si krijues, por njëherazi edhe si banor i kësaj bote, ndaj dhe kam rrëfyer në vetën e parë. Njohja e mjaftueshme e asaj çfarë kam dashur të shkruaj në letër ma ka lehtësuar punën për ta shkruar këtë roman me një lehtësi të parrëfyeshme.



Romani ka një ritëm që të përfshin që në faqet e para. Fjalitë e shkurtra, rrëfimi i drejtpërdrejtë dhe mungesa e përshkrimeve të gjata e bëjnë librin të lexohet me shumë lehtësi, por pa humbur thellësinë e historisë. Pse zgjodhët pikërisht këtë stil rrëfimi? Çfarë dëshironit të përcillnit te lexuesi përmes tij?


Rrëfimi i drejtpërdrejtë dhe i thjeshtë është i qëllimshëm, ashtu siç e keni vënë re dhe ju. Kjo vjen për arsye se besoj se nëse letërsia kërkon të mbijetojë me dinjitet, ajo duhet të ketë guximin që të ndryshojë. Kur them të ndryshojë, nuk kam parasysh që të bëjë kompromis me cilësinë, por të ndryshojë formën e saj, për t’iu përgjigjur situatave që prodhon moderniteti. Nuk mund të shkruhet sot një roman si para 100 apo 50 vjetësh. Letërsia kërkon përherë forma të reja shprehëse dhe shkrimtari duhet të jetë përherë në kërkim të tyre. Sot lipset një mënyrë rrëfimi më ekspresive dhe e gjallë në mënyrë që edhe brenda tekstit, lexuesi të ndiejë të zgjuar dinamikën e lëvizjes së botës ku jeton. Nëse lexuesit të sotëm do t’i ofrosh një botë hipotetike të ngadaltë, ai mund ta ndiejë veten të ngecur brenda kësaj bote dhe të mos gjejë rehatinë e nevojshme për ta eksploruar atë.



Në qendër të romanit është një djalosh pa emër, i rritur në një botë të veçuar, mes familjes, rrëfimeve të gjyshes dhe një realiteti që duket sikur përsëritet. Pse vendosët që personazhi kryesor të mos kishte emër?


Brenda një romani çdo veprim duhet të jetë i përligjur. Bota që rrëfehet aty funksionon në bazë të ligjësive krejt të pavarura nga realiteti ku ne jetojmë.


Dhe unë si autor i kësaj bote nuk ndieja asnjë nevojë që rrëfimtari të kishte një emër. Përkundrazi, nëse ai do të kishte një emër rastësor, thjesht do ta ngushtonte perspektivën e lexuesit. Kështu pa emër siç është, ai që rrëfen historinë tenton të jetë njëherazi gjithkush, por edhe askush që di dhe nuk di të rrëfejë një histori.



Rrëfimet e gjyshes më kthyen pas në fëmijërinë time, sepse histori të tilla mistike besoj se shumë prej nesh i kemi dëgjuar nga gjyshet tona. Për ne ishin pjesë e një bote të njohur, ndërsa për Hildën, personazhin tjetër të romanit, që vjen nga një realitet tjetër kulturor, ato marrin një kuptim krejt tjetër. Si ju lindi ideja për ta vendosur të njëjtën botë përballë këtyre dy këndvështrimeve? Çfarë mund të shohë një i huaj në histori që për ne janë kaq të zakonshme?


Ballafaqimi i kulturave të ndryshme është moment që shkakton tronditje në psikikën njerëzore. Me shumë mundësi përplasja e kulturës tradicionale me modernen nuk përjetohet njëlloj. Kjo përplasje shkakton habi tek të dy kahet, por kjo habi është e ndryshme, sepse tradicionalja funksionon si e thjeshtë ndërsa modernia si e ndërlikuar. Njeriu modern e ka në natyrën e tij ndërlikimin. Ai e gjen të ndërlikuarën edhe tek një histori e thjeshtë, sepse ai beson se gjithçka e panjohur për të duhet të jetë e ndërlikuar. Në fakt, në thelb, këto histori që ngjajnë si murmurima të një folklori të harruar nuk janë aq të thjeshta, sa ç’mendon njeriu që i tregon ato. Përderisa kanë jetuar gjatë në vite dhe janë rrëfyer nga njëri te tjetri, ato mbartin një filozofi universale, që ka në qendër njeriun dhe fatin e tij, pavarësisht se sa e zhvilluar është shoqëria në të cilën ai bën pjesë. Kështu Hilda si shkrimtare, gjen te një histori e vjetër, “njeriu me dy hije”, fabulën e dyzimit, të njeriut të ndodhur në mes të dy udhëve. Në historinë, që gjyshja e djalit ia kishte treguar për argëtim, ajo gjen ekstraktin e diçkaje ekzistenciale, që prodhon një roman modern dhe që vlerësohet si origjinal në shoqërinë moderne. Po pse origjinale? Sepse është unike. Po pse unike? Sepse vjen nga një botë e panjohur, që i përket një realiteti tjetër!



Kjo përplasje mes dy botëve nuk mbetet vetëm te rrëfimet, por shfaqet edhe në mënyrën se si personazhi përjeton jetën jashtë vendit. A mendoni se largimi nga vendi na ndihmon ta shohim më qartë shoqërinë nga vijmë, apo na largon edhe më shumë prej saj?


Nëse largohesh për të jetuar diku tjetër, vetvetiu mendja bën bilancet, se çfarë qe më mirë atje ku ishte në fillim dhe çfarë ishte më e keqe. Zakonisht kur njeriu lëviz nga një shoqëri më pak e përsosur drejt një shoqërie më të përsosur, gjërat që i bëjnë përshtypje janë gjërat më të zakonshme, të cilat e bëjnë jetën e kësaj shoqërie normale. Atij i bën përshtypje qoftë edhe sinjalistika rrugore që është një formë e thjeshtë komunikimi, sepse ai kupton se sa shumë energji ka humbur në përpjekje për të komunikuar me tjetrin në shoqërinë prej nga ka ardhur. Ka një përshtypje se shoqëritë në kaos ofrojnë liri më të madhe, por sigurisht që kjo është e gabuar. Kjo liri e rreme shpesh është e papërdorshme dhe vjen si pasojë e zbehjes së autoritetit, apo paaftësisë së tij për të qenë i dobishëm. Në fakt, kjo liri është selektive dhe e paqëndrueshme. Autoriteti i dobësuar thjesht sa nxit individët më të fortë të zgjerojnë dhe çimentojnë lirinë e tyre, por kjo ndodh në dëm të individit më të dobët. Ndërsa në shoqëritë e normalizuara autoriteti është i shpërndarë dhe përkthehet në institucione funksionale. Pra, atje qeverisin institucionet. Këtu qeverisin njerëzit. Dhe ky nuk është ndryshim i vogël. Për t’iu përgjigjur pyetjes nëse kjo ikje është e përhershme apo e përkohshme, kjo me siguri varet nga rrethanat. Por realiteti tregon se pjesa më e madhe e atyre që ikën nuk do ta pranonin kthimin, kjo për një tërësi faktorësh, që nuk janë vetëm ekonomikë dhe socialë.



Marrëdhënia personale e personazhit kryesor me Hildën është një tjetër pikë ku dy botët e romanit takohen, por edhe përplasen. Çfarë e tërhoqi personazhin drejt saj dhe çfarë solli kjo njohje në jetën e tij, në mënyrën se si ai e shihte veten dhe botën deri atëherë?


Në fakt personazhi që rrëfen këtë tregim nuk bën asnjë hap drejt Hildës, thuajse në asnjë moment të romanit. Atë e tërheq Hilda, për sa kohë nuk e njeh atë, siç mund të tërheqë një grua e bukur çdo djalë të zakonshëm. Në momentin që ai ndien se Hilda lëviz në drejtim të tij, këtë djali e koncepton si dhunë ndaj hapësirës së tij. Nuk duhet të harrojmë se ai vjen nga një mjedis shumë i izoluar dhe i rritur nën tutelën e babait. Kështu që ai e di ç’do të thotë të ndajë lirinë personale me dikë tjetër. Por është Hilda ajo që këmbëngul për një njohje më të thellë sepse ndoshta i pëlqen ana misterioze e mikut të ri. Problemi tjetër është se e kaluara e Hildës, dy divorce dhe një lidhje e çuditshme, trazojnë atë pjesë të trurit që lidhet me moralin në kuptimin tradicional të fjalës. Edhe pse në një shoqëri moderne nuk ka asgjë të pamoralshme, përkundrazi, mënyra sesi djali i kësaj historie është rritur, vetvetiu e ka të vështirë ta konsiderojë Hildën një grua të përshtatshme, sidomos për bashkëshorte. Vetëm në fund ndoshta ai e kupton këtë gabim, por tashmë Hilda është e humbur.



Në roman, përtej historisë personale të personazhit, shfaqen edhe realitete të shoqërisë shqiptare, veçanërisht në zonat rurale: mentalitete të trashëguara, interesa ekonomike dhe ndryshime që prekin mënyrën e jetesës. Personazhi i Gencit dhe zhvillimet që lidhen me tokën janë disa prej pikave ku këto realitete bëhen të dukshme. Sa prej tyre vijnë nga përvoja dhe vëzhgimet tuaja personale? A ndieni se letërsia ka edhe përgjegjësinë të tregojë atë që shpesh shoqëria zgjedh të mos e shohë?


Po e nis nga pyetja e dytë. Letërsia nuk ka përgjegjësi të tregojë asgjë që lidhet me të dobishmen. Letërsia nuk mund të marrë rolin e manualit për të instruktuar lexuesin. Por vetë shkrimtari është i detyruar të ketë një raport korrekt, ose të paktën të përpiqet të ketë një raport korrekt me të vërtetën. Sigurisht që kjo do të reflektohet në vepër qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme. Rrjedhimisht unë nuk jam krenar për ndërtimin e personazheve si Genci. As për pjesën politike që përfaqëson ky personazh dhe disa kapituj në roman. Por ja që ky personazh që ekziston në realitet, është zëdhënësi i një force të ligë, të errët që shfaqet edhe në roman, përderisa ngjarjet e rrëfyera lëvizin në bashkëkohësi.


Shkurt, unë s’mund të bëja një sy qorr (do më duhej në fakt t'i bëja të dy) ndaj marifeteve që përdor njeriu me kollare, sinonim i pushtetit, për të gënjyer, grabitur dhe poshtëruar njeriun e zakonshëm. Le të dalim pak nga romani dhe diskutojmë këtë realitet ku jetojmë. Në vend po ndodhin protesta masive. Thuajse të gjithë thonë se arsyeja e këtyre protestave është korrupsioni dhe arroganca e qeverisë. Fakti që këto protesta i udhëheqin studentët, që kanë moshën e personazhit që rrëfen ngjarjet në roman, mendoj se tregon se vetëm korrupsioni dhe arroganca, do të ishin të pamjaftueshme për të mbajtur Flamingot dhe studentët rreth 200 ditë në shesh. Mendimi im është se më tepër se këto, arsyeja e vërtetë që ka provokuar revoltën është poshtërimi.


Ka shumë forma të poshtërimit. Dhe më e ndyra sipas meje është të përfaqësosh të rinjtë, në institucione, jetën politike dhe parlamentare, përmes moshatarëve të tyre më mediokër. Ky është një marifet iluzional i pushtetit për të dhënë premisën e rreme në shoqëri se sado e keqe politika e vjetër, ajo ka shumë më tepër potencial intelektual se gjenerata e re, që me demek ne po e integrojmë në politikë, i kemi hapur derën, por ajo nuk është në nivelin e duhur. Në fakt, nëse do të ekzistonte një sistem meritokracie do të kuptonim shumë lehtë se potenciali i vërtetë intelektual i të rinjve të papërkrahur, një pjesë e të cilëve punojnë në kushte mbijetese, është i jashtëzakonshëm. Shumë larg përfytyrimit që ka shoqëria për ta.



Një pjesë e rëndësishme e romanit është edhe bota familjare dhe fshati ku personazhi është rritur, mes babait Merkur, gjyshes dhe një jete që duket sikur ndjek të njëjtin ritëm prej vitesh. Sa e rëndësishme ishte për ju të sillnit në roman këtë realitet rural, me marrëdhëniet, zakonet dhe mentalitetet e tij? A është kjo një botë që po zhduket, apo që vazhdon të jetojë ende mes nesh?


Unë prej dhjetë vitesh jap mësim në një shkollë të vendlindjes. Çdo ditë kaloj pesë-gjashtë fshatra për të mbërritur te nxënësit e mi. Realiteti që mund të rrëfehet për këto fshatra është i trishtë. Duket sikur vitet nuk kanë asnjë efekt për të përmirësuar diçka. Pavarësisht se jeta e atyre banorëve mund të përmirësohet herë pas here me ndërtimin e një rruge apo të ndonjë ujësjellësi, sërish jeta mbetet e varfër, e izoluar, dhe shkolla mbetet i vetmi vend ku një fëmijë të zhvillojë veten. Mungon çdo gjë, mbi bazën e të cilave është ndërtuar qytetërimi, një bibliotekë, një qendër sporti, një qendër argëtimi etj. Kam njohur shumë nxënës me të dhëna të veçanta që kanë humbur nga pamundësia për të zhvilluar talentin, si pasojë e kushteve të vështira ekonomike dhe sociale. Kjo për një mësues është e dhimbshme. Edhe për një shkrimtar domosdo. Për fat të keq kjo botë e izoluar është ende e gjallë, mjafton të lëvizësh pak kilometra nga Tirana për ta kuptuar. Zakonisht e parë nga larg, ajo duket një botë romantike, idilike, e paqtë, e bukur, por në të vërtetë është një botë e vështirë, e egër dhe dramatike. Nëse një fëmijë në qytet pasditeve mund të shkojë në një kurs violine, kërcimi, pikture apo sporti, në zona të izoluara, një fëmijë pas moshës dhjetë vjeç duhet të përpiqet të ndihmojë familjen për të mbijetuar. Dimrat janë të ashpër, të trishtë.



Një pasazh drejt fundit të romanit më bëri të ndalem veçanërisht. Personazhi, duke menduar për veprën që Hilda kishte krijuar mbi bazën e rrëfimeve të gjyshes, thotë: “Për fat, të vërtetat e mia nuk ishin kaq të rënda, sa i përshkruante ajo. Ato ishin kaq të zakonshme, sa mua nuk më shkaktonin as ankth, vetëm se më qenë bërë të mërzitshme.” Çfarë keni dashur të përcillni përmes këtij mendimi të personazhit?


Vetë letërsia nuk tenton të imitojë realitetin. Po të qe kështu, letërsia do të ishte një karikaturë e realitetit. Letërsia tenton të ekzagjerojë realitetin, e zmadhon ose e zvogëlon sipas nevojës narrative emocionin, mahnitjen, përshkrimin, dramacitetin, ngjarjen, i jep ngjyra, përthyen kuptimet e fjalës, abstragon dhe kështu letërsia pajiset me kodet universale për të komunikuar me çdo lexues. Edhe në rastin e librit të Hildës ndodh kështu. Si në çdo libër të mirë, gjithçka e shkruar aty, ka premisën për të mos i ndenjur besnik idesë së parë, që gjatë procesit të shkrimit, doemos që ndryshon në mënyrë të vazhdueshme, derisa ndoshta prej saj mbetet shumë pak, ose aspak. Por kjo fjali merr edhe kuptimin tjetër se nëse ne nuk jemi gati që të tjerët të na njohin, ata nuk mund të na njohin kurrë. Dhe për fat të mirë apo të keq, personazhi qendror i romanit, nuk ia dha të gjitha mundësitë Hildës për ta njohur si duhet.



Titulli “Fjongon e kuqe le ta marrë era” është intrigues dhe të bën të pyesësh për kuptimin e tij. Pse zgjodhët pikërisht fjongon e kuqe? Çfarë kuptimi ka ky simbol në roman?


Në roman fjongo është thjesht një fjongo. Ajo lidhet diku për homazh dhe thuajse harrohet. Simbolikën e merr vetëm atëherë kur personazhi vendos ta zgjidhë atë. Kjo ndodh pasi humbet gjithçka, madje edhe varret e të parëve, ndaj djali përpiqet të shpëtojë çfarë mund të shpëtohet. Dhe sipas tij fjongo e Hildës nuk duhet të mbesë e lidhur aty. Kjo ndoshta ndodh edhe si hakmarrje ndaj atyre që po i marrin gjithçka, edhe pse për ta kjo fjongo nuk do të përbënte asnjë kuptim. Për djalin ajo ka vlerën e gjithçkaje që duhet të ishte e tij, por që padrejtësisht nuk është.



Pa zbuluar përfundimin e historisë, çfarë do të dëshironit të merrte me vete lexuesi pasi të mbyllte librin? Cila është ajo ndjesi apo pyetje që do të donit t'i mbetej në mendje?


Unë do të doja që çdo lexues të kalonte dy orë leximi. Pak rëndësi ka se çfarë mendoj unë si autor. Letërsia është misterioze. Ka raste kur leximet e mira mund ta krijojnë veprën nga e para, ose ta zbulojnë brenda saj kode, që as autori nuk i ka vënë re.



Tashmë që “Fjongon e kuqe le ta marrë era” është në duart e lexuesve, a ndieni se kjo histori e ka mbyllur rrugëtimin e saj me ju, apo ka ende personazhe, kujtime apo histori që ju presin për t'u hedhur në letër?


Pasi përfundon një libër unë dua përherë të pushoj. Por ndodh thuajse gjithmonë që vetvetiu të më ngacmojë diçka tjetër. Dhe këtë herë kështu do të ndodhë me shumë mundësi. Ose ndoshta edhe nuk ndodh. Kam shkruar disa libra, dhe herë pas here, ndiej se nuk mund ta bëj këtë përgjithmonë. Ndaj derisa të nis të shkruaj një libër tjetër, do ta konsideroj këtë roman si librin tim të fundit. 




Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

89 Lexime
48 minuta më parë