![](https://www.portalishkollor.al/upload/media/entries/2019-10/17/3836-0-00d8747da812191c2ddbc6a6ffb04bf8.jpg)
Botimi i ri “Çfarë muzike!”, grupe të Rock-ut botëror dhe shqiptar në një vend
“Çfarë muzike!” është libri më i ri i botuar nga shtëpia botuese “Albas”. Libri i veçantë i ofrohet të gjithë atyre që e duan muzikën e vërtetë dhe e mbajnë gjithnjë në zemër.
Doli nga shtypi libri më i fundit nga shtëpia botuese “Albas”, “Çfarë muzike!”, me autore Laura Puscedu Abis dhe i përkthyer në shqip nga Ervisa Paloka. Në të pasqyrohen të gjithë grupet legjendare të rrokut botëror e këngëtar të famshëm të muzikës Pop, përfshirë këtu Nirvana, Rolling Stones, Pink Floyd, David Bowie, Daft Punk, Michael Jackson, Madonna Elvis Presli etj. Por e veçanta është se, përmbledhjes origjinale të autores italiane i janë shtuar edhe grupet rrok më të famshme shqiptare, historia e të cilave është përgatitur nga Kozeta Kurti dhe ilustruar nga Semela Mero. Nga grupet shqiptare përmendim, Elita 5, Djemtë e detit - i paharruari Gent Demaliaj, grupi Arb - Redon Makashi, Ritfolk, grupi X - Aleksandër Gjoka, Tingulli i zjarrtë - Elton Deda etj.
![](https://www.portalishkollor.al/upload/media/entries/2019-10/17/3836-2-00d8747da812191c2ddbc6a6ffb04bf8.jpg)
Ky libër përmbledh historitë e këngëtarëve dhe të grupeve muzikore më të njohura botërore dhe shqiptare, atyre që kanë revolucionarizuar, që kanë lënë apo po lënë gjurmë në historinë e muzikës moderne. Për çdo këngëtar apo grup muzikor botëror, por edhe shqiptar jepet një informacion bazë mbi krijimin, zbulimin, rrugëtimin në fushën e muzikës, ndikimin që kanë pasur dhe gjurmët që kanë lënë. Pra në këtë përmbledhje ju do të mund të lexoni për gjithë jetën e tyre. Ky libër i kushtohet muzikës dhe forcës që transmeton ajo dhe të gjithë atyre që brenda vetes kanë një yll roku.
![](https://www.portalishkollor.al/upload/media/entries/2019-10/17/3836-4-00d8747da812191c2ddbc6a6ffb04bf8.jpg)
Një libër i mrekullueshëm për bibliotekën e të rinjve, pse jo edhe për të rriturit, pasi atyre iu kujton një kohë kur muzika revolucionarizoi botën, ndërsa fëmijët dhe të rinjtë i edukon me shije dhe kërkesa të larta për muzikën.
![](https://www.portalishkollor.al/upload/media/entries/2019-10/17/3836-6-00d8747da812191c2ddbc6a6ffb04bf8.jpg)
![](https://www.portalishkollor.al/upload/media/entries/2019-10/17/3836-7-00d8747da812191c2ddbc6a6ffb04bf8.jpg)
![](https://www.portalishkollor.al/upload/media/entries/2019-10/17/3836-8-00d8747da812191c2ddbc6a6ffb04bf8.jpg)
“Muzika mund ta ndryshojë botën, sepse ajo mund të ndryshojë njerëzit”, thuhet në një nga paragrafët e librit “Çfarë muzike!”.
(Përgatiti Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor)
SKEMA PËR LETËRSINË DHE GJUHËN SHQIPE – në ndihmë të maturantëve
"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi
“Gjallimi i skërkave” nga Zhaneta Barxhaj