Drejtshkrimi

BSH-ja korrigjon gabimet në kartëmonedhën me vlerë 500 lekë

Pas konstatimeve të gabimeve drejtshkrimore në kartëmonedhat tona nga redaktorja Sevi Lami, Banka e Shqipërisë korrigjon gabimet në prerjet e reja të kartëmonedhës me vlerë 500 lekë.

Kur bëhet fjalë për paratë të gjithë bëhemi seriozë dhe shfaqim interes të madh, veçanërisht që t’i kemi ato. Por rrallëherë e shikojmë një kartëmonedhë me syrin kritik, apo thjesht me vëmendje nëse ajo është shkruar saktë nga ana drejtshkrimore.


Redaktorja Sevi Lami ka vërejtur se në kartëmonedha ka gabime drejtshkrimore dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mungesën “ë”-së dhe “ç”-së që mungojnë, sepse këtë mund ta justifikojmë me çështje dhe aftësi teknike, që në ditët e sotme edhe ky korrigjim është shumë i lehtë, por flasim për shkrimin gabim të numërorëve shprehje, si: “Pesë mijë lekë”, “Një mijë lekë”, “Dy mijë lekë”, që shkruhen ndaras, por që në paratë tona i gjejmë: “Pesëmijë lekë”, “Dymijë lekë”, “Njëmijë lekë” etj. Për këtë Lami publikoi artikullin me titull  “Leku... një shekull i shkruar gabim!” si një thirrje për të korrigjuar këto gabime në kartëmonedha.


Një shekull që e qarkullojmë nëpër duar, që e kemi pjesë të pandarë dhe të rëndësishme të jetës sonë, dhe tani Banka e Shqipërisë ka marrë masa, që në prerjet e reja të kartëmonedhave këto gabime të korrigjohen dhe ne të kemi paratë tona të shkruara me një shqipe të pastër nga ana drejtshkrimore. 


Kështu në një njoftim zyrtar që mban datën 26 tetor 2017, Banka e Shqipërisë ndër të tjera shkruan: “...Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron te viti i emetimit i shtypur në sipërfaqen  e kartëmonedhës, i cili në kartëmonedhën e re do të jetë “2015”, ndryshon firma e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe ajo e drejtorit të Departamentit të Emisionit, ndryshon trashësia e fillit të sigurisë nga 1,5 mm bëhet 2 mm, si dhe drejtshkrimi i fjalëve “SHQIPËRISË” dhe “PESËQIND LEKË”.”


Pra, duke filluar nga data 10 nëntor 2017, kartëmonedha me vlerë 500 lekë do të jetë në treg e shkruar saktë. Shpresojmë që ky të jetë një hap i  mbarë, për të korrigjuar edhe numërorët shprehje te kartëmonedhat me vlerë 10, 20 dhe 50 mijë, që janë të shkruar gabim!


Është koha që të ruajmë dhe mbrojmë gjuhën shqipe! 


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

3,763 Lexime
6 vjet më parë