Pjekuri - Maturi - Diplomim

“Çdo diplomë që merr është vetëm një dëshmi e kohës që po jeton, produkti je ti!” nga Evans Drishti

6, 15 , 18, 22! Me çfarë mund t’i lidhni këta numra? Profesori Evans Drishti ka bërë në fakt një reflektim për rëndësinë e viteve që çdokush kalon në shkollimin e tij, për pjekurinë, maturimin, diplomimin e mbi të gjitha për krijimin e vetvetes...

  • Pjekuria  
  • Maturimi 
  • Diplomimi 
  • …. ? 
  • 6 - 15 - 18 -  22 - …?  


Ti vjen në jetë, mes të qarash, lotimesh, plot përkundje për të të sjellë qetësi… 

Ti vjen në jetë, mes të qeshurash, buzagaze, plot kënaqësi që dhuron për të gjithë ata që të rrethojnë… 

Duke u dhuruar një kënaqësi shpirtërore dhe ideore së pari prindërve të tu, e më pas edhe të tjerëve që të rrethojnë, peshën e të cilëve do ta kuptosh në udhën e jetës… 


Sa u kuptua vallë ajo buzëqeshje plot sinqeritet, që i dha jetë jetëve?!...


Hedh këmbët për herë të parë në ca banka shkolle, që tashmë do të të shoqërojnë për shumë vite… 

Një fytyrë engjëllore të shfaqet përpara syve, të cilën e përqafon me plot përzemërsi. Tregohesh shumë dashamirës dhe po aq edhe i sinqertë në atë përqafim, të cilit s’dëshiron ti vijë as fundi, pasi një rrugëtim i gjatë të pret… 

Teksa kupton peshën e artë të germave të alfabetit të gjuhës mëmë, e ke mjaft të vështirë të gjykosh rëndësinë e gjuhës që po mëson. S’e kupton dot në atë çast se, është ajo gjuhë, që do të të shoqërojë për tërë jetën… 

Pesë vjet të ciklit të ulët, apo të fillores siç jemi mësuar tradicionalisht ta kuptojmë çdo gjë të duket përrallore në atë çfarë përvetësove. Sheh dëftesën që “shkëlqen” nga notat e arta si gërmat e alfabetit që mësove… 

Një vit më shumë u rrite për të kaluar në sistemin e 9-vjeçares, që do të plotësohet edhe për katër vite të tjera. Këtë herë pak më ndryshe… 

Të tjera figura engjëllore të shfaqen tashmë çdo ditë duke të ofruar një larmi të pasur dijesh, vizionesh, botëkuptimesh…  

Kërkon një lloj argëtimi tek secila prej tyre, dhe ngarkesa që mbartin diku të tremb, diku të thumbon, diku të shkund e diku të streson… 

Nuk zmbrapsesh. Merr forcë dhe kurajë së pari nga vullneti që të karakterizon e më pas edhe nga largpamësia e mendjes engjëllore të mësuesve të tu… 


Dëftesa e pjekurisë 

Me kapërcimin plot vigjilencë të katër viteve, vjen një moment emocionues dhe plot magji. Tashmë të pret dëftesa e parë që do marrësh. Është ajo e pjekurisë. Plot nëntë vite të një sistemi të detyrueshëm konkretizohen me një dëshmi pjekurie. Tregohesh i gatshëm të nisësh një tjetër rrugëtim shoqëruar edhe me pasionet që sjell adoleshenca…

Marrja e dëftesës së pjekurisë në përmbyllje të klasës së 9-të duhet shoqëruar me një organizim domethënës dhe të magjishëm duke përcjellë emocione të pashlyeshme të mbylljes së këtij cikli jetësor.


Ti je një gjimnazist…

 

Ti je një i ri që ke nisur të kuptosh peshën e çdo orientimi shkencor, të cilin kërkon ta gërshetosh me një bagazh të pasur kulturor dhe artistik… 


Ti je një vigjilent që zotëron aftësinë të kuptosh mirëfilltazi peshën e çdo figure engjëllore që të shoqëron për këto tri vjet gjimnazi… 


Ti je një i pasionuar që tenton të rrëmbehesh në dëshirat e tua dhe me gjakun përvëlues… 


Ti je një ambicioz që kërkon me ngulm të plotësosh një mesatare të shkëlqyer si çelës i arritjes në degën e shumëpritur… 


Ti je një guximtar, që kërkon të përballesh në konkurse e gara të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare duke mos u mjaftuar vetëm me përmbajtjet lëndore… 


Ti je një fenomen i ditës dhe i kohës, ku me emrin tënd gjimnazi, familja dhe jeta sociale qëndrojnë ballëhapur të bindur se do shkruajnë një epokë historike… 


Ti je një maturant dhe i maturuar që arrite të kuptosh individualitetin tënd, atë çfarë zemra dhe mendja të unifikuan në vendimmarrjen e një profesioni që do mbartë emrin tënd… 


Maturimi


Të gjithë këto emocione përmblidhen pikërisht në atë mbrëmje të magjishme maturimi, 

teksa me diplomën në dorë u shpreh mirënjohje të pakufishme familjes, mendjeve të ndritura me fytyra engjëllore që të ofruan orientime të duhura në përzgjedhjen tënde jetësore…


Dhe e nesërmja e jetës universitare afroi me të shpejtë… 

Ti je një student, teksa përpiqesh të ambientohesh me mendjet e reja të ndritura me fytyra engjëllore, të cilët tashmë do të vihen në ndihmë të kuptosh procesin e ndërtimit të profesionit tënd… 


Ti je një akademik që vjen me të tjera energji në realizimin e shumë hulumtimeve dhe projekteve… 


Ti je një figurë strategjike që tashmë planifikon çdo orë… çdo ditë… çdo javë… çdo muaj… në atë mënyrë që orët, ditët, javët, muajt e më pas edhe vitet të mos jenë asnjëherë të njëjta… 


Ti je një potencial që s’i frikësohesh “stresit” të një provimi, “angarisë” së një lende, “peshës” së një projekti… 


Ti je një intelektual që nxjerr në dukje mendime dhe gjykime të pjekura plot risi duke u bërë një peshë e rëndësishme jo vetëm e fushës që përfaqëson, por edhe e zhvillimeve strategjike të shoqërisë ku jeton… 


Ti sot je:

  • një mësimdhënës ekspert, 
  • një inxhinier mjeshtër, 
  • një arkitekt vizionar, 
  • një mjek zemërshërues, 
  • një jurist i drejtësisë,  
  • një gazetar i botëkuptimeve bashkëkohore, 
  • një artist i një kalibri të lartë…

 

Diplomimi

Ti sot diplomohesh mes ngjyrash e rrezatimesh, mes fjalësh e mbresash, mes buzëqeshjesh e shikimesh plot mallëngjim, mes ëndrrash e realitetesh…


Ktheje kokën për një çast nga pas, pikërisht atëherë kur ishe në klasë të parë, teksa mësoje ABC-në e gjuhës mëmë… 


E shikon sa u rrite?

E kupton tani se ç’domethënie mbart sekondi, minuti, ora, dita, java, muaji e viti? 

Sot more një diplomë në dorë… Sot more një çelës jetësor në dorë!

Tanimë të takon ty të çelësh portën e jetës tënde…. 


Ki kujdes!... 

Je ti, ai që pret nga vetja jote… 

E ku ka më bukur se kjo!... 

Ki kujdes!... 

Çdo arritje ka përgjegjësi!... 

Pasi çdo diplomë që merr është vetëm një dëshmi e kohës që po jeton… 

Produkti je ti!... 


Zhvilloje veten kohë pas kohe, që nesër, të dish të orientosh, së pari veten tënde, e më vonë fëmijën tënd!... 


Gëzoje mendjen dhe shpirtin tënd, që të kuptosh se sado i rritur të jesh ke shumë ç’të mësosh e po aq edhe të frymëzohesh… 




Nga Evans Drishti 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,081 Lexime
1 vit më parë