Komiteti i Çmimeve Hans Christian Andersen

Ceremonia e çmimeve “Andersen”, “Albas” dhe përkthyesi Klodian Briçi sjellin në Shqipëri çmimin e madh

Komiteti i Çmimeve H.C.Andersen, në teatrin e Odenses në Danimarkë, ndau tri çmimet “Andersen” për vitin 2023. Përkthyesi Klodian Briçi u vlerësua me çmimin për sjelljen në shqip të vëllimit të plotë të “Përrallave të Andersenit”, botuar nga shtëpia botuese “Albas”.

Në 2 prill, ditën e lindjes së Hans Cristian Andersenit, në nder të tij, në qytetin e Odenses, vendlindjes së shkrimtarit të madh, ndahen tri çmime që mbajnë emrin “Hans Christian Andersen”. Ky është një çmim nderi i formës së librit me titull “Mit livsevetyr”, derdhur në bakër, nga artisti Jens Galschiot. Çmimi u jepet individëve dhe institucioneve që përcjellin, interpretojnë dhe tregojnë mbi shkrimtarin kombëtar danez dhe veprat e tij. Për këtë vit, njërin nga këto tri çmime e mori Shqipëria, një ngjarje jo pak me rëndësi në fushën e kulturës.


Me çmimin e madh “Hans Christian Andersen Award 2023" u vlerësua përkthyesi, Klodian Briçi, për përkthimin në gjuhën shqipe të vëllimit “Përrallat e Andersenit” botuar nga “Albas” në vitin 2020.


Të ftuar për tërheqjen e këtij çmimi ishin përfaqësueset e shtëpisë botuese “Albas”, Rita Petro, Sofiana Filipi dhe përkthyesi Klodian Briçi, i cili për arsye personale nuk mundi të ishte pjesëmarrës. 


Çmimi u dha nga kryetari i bashkisë së Odenses, z. Peter Rahbæk Juel.

“Siç e ka tradita, ne edhe për këtë vit kemi triçmime për të ndarë; tri mënyra të ndryshme për të përcjellë Andersenin nga tri vende të ndryshme. Kontributi i përkthyesit shqiptar, Klodian Briçi, është shumë i madh. Ai ka mundur t’u japë një ‘jetë’ të re përrallave më të vjetra botërore, veçanërisht për fëmijët shqiptarë kudo që ndodhen”, tha z. Peter Rahbæk Juel kur dorëzoi çmimin. 


Në fjalën e saj të mbajtur për këtë rast, përfaqësuesja e shtëpisë botuese “Albas”, Sofiana Filipi, theksoi mirënjohjen ndaj Danimarkës dhe Komunitetit të Çmimeve“H.C.Andersen”, për dhënien e vlerësimit, pasi Anderseni mbetet një nga autorët që shuan kufijtë dhe bashkon njerëzit përmes artit dhe imagjinatës.

“Ndihem e lumtur dhe e nderuar që ndodhem këtu. Ju falënderoj si botuese e “Albasit” dhe në emër të bashkëpunëtorit tonë të dashur për përkthimin e vëllimit të plotë të “Përrallave të Andersenit” në gjuhën shqipe, Klodian Briçi. Hans Kristian Andeseni ka ndikuar në shumë breza fëmijësh në Shqipëri, dhe sot ndodhemi këtu, me këtë botim, të lumtur teksa shohim një vlerësim pozitiv për këtë botim nga fëmijët e sotëm. Ne i jemi mirënjohës Danimarkës dhe të gjithëve ju, për dhënien e këtij vlerësimi, pasi për ne mbetet një nga autorët që shuan kufijtë dhe na bashkon përmes artit dhe imagjinatës. TAK ALLESAMMEN! (Faleminderit të gjithëve!)”, u shpreh kështu zj. Sofiana Filipi. 



E emocionuar për këtë vlerësim u shpreh edhe botuesja e “Albas”, Rita Petro, pas ceremonisë, teksa falënderoi për bashkëpunimin përkthyesin Klodian Briçi, i cili për arsye personale nuk mundi të ishte i pranishëm në këtë ceremoni.

“Sapo u ndanë tri çmimet 'Andersen' në Teatrin e Odenses.Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishim përkrah me Ambasadoren e Shqipërisë në Danimarkë, Zj. Elida Petoshati. Këtë vit juria vlerësoi me këtë çmim të rëndësishëm edhe Shqipërinë, që iu dha përkthyesit Klodian Briçi për volumin e plotë botuar nga ‘Albas’, ‘Përrallat e Andersenit’. Ndihemi të lumtur nga ky vendim, aq më tepër që në ceremoni ky çmim na u dha nga Kryetari i Bashkisë së Odenses, Z.Peter Rahbæk Juel. Faleminderit Klodian Briçi për këtë bashkëpunim! Na vjen vërtet keq që nuk munde të ishe këtu!” u shpreh botuesja Rita Petro. 



"Ceremonia ishte një mbrëmje e paharrueshme e magjike në teatrin e Odenses ku publiku i zgjedhur danez e ai ndërkombëtar i bënë homazh, përmes përkthimit mjeshtëror të Klodian Bricit, vlerave të kulturës shqiptare në njohjen e gjerë të kulturës evropiane dhe në lartësimin e kolosëve si Hans Christian Andersen, që kapërcejnë me gjeniun e tyre letrar kufijtë gjeografikë e ndërtojnë ura mes kulturave, duke ngritur në universalitet artin e tyre si pasuri e përbashkët e njerëzimit. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Danimarkë i përcjell Klodian Briçit përgëzime të përzemërta për Çmimin e Nderit Hans Christian Andersen!", u shpreh kështu ambasadorja e Shqipëris në Danimark, Elida Petoshati. 


Videon e plotë të ceremonisë e gjeni këtu.


Komiteti i Çmimit “Hans Christian Andersen” dhe çmimet e ndara për vitin 2023 

Komiteti i Çmimit “Hans Christian Andersen”që prej vitit 1996 jep çmimin e nderit për 74 organizata dhe individë të ndryshëm nga 18 vende të ndryshme. Çmimi u jepet individëve dhe institucioneve që përcjellin, interpretojnë dhe tregojnë mbi shkrimtarin kombëtar danez dhe veprat e tij. Kështu, në Odense, qytetin e tij të lindjes, çdo vit në nder të tij, më 2 prill, ditën e tij të lindjes, jepet çmimi që mban emrin “H. C. Andersen”. Ky është një çmim nderi i formës së librit me titull “Mit livsevetyr”, derdhur në bakër, nga artisti Jens Galschiot.


Tre fituesit e këtij çmimi për vitin 2023 janë:

  1. Klodian Briçi,Shqipëri, për përkthimin e tij të vëllimit të plotë prej 99 përrallave nga H.C. Andersen, botim i shtëpisë botuese “Albas”.
  2. Hans Abrahamsen,Danimarkë, për operën e tij “The snowqueen” (2019).
  3. Lucy Catherine, Mbretëria e Bashkuar, për vallëzimin “Derisa të rrjedhë gjak - Bota sipas Hans Christian Andersen”, një dramë radiofonike për “BBC Radio 3”.


Mbi përkthyesin Klodian Briçi 

Klodian Briçi është një përkthyes i mirënjohur shqiptar, i cili ka përkthyer më shumë se 40 libra kryesisht nga anglishtja dhe italishtja, por edhe romane të shkrimtares suedeze Selma Lagerlöf. Të gjitha në të mirë të publikut shqiptar, i cili tradicionalisht është shumë i interesuar për letërsinë – si shqiptare ashtu edhe e huaj. Hans Christian Andersen është botuar më parë në Shqipëri me përzgjedhjen më të madhe në vitin 1987 duke përfshirë 27 përralla. Por me botimin e ri të Klodian Briçit nga viti 2020 dhe me afërsisht 900 faqe me 99 përralla, tani kemi me të vërtetë përzgjedhjen e parë madhore dhe adekuate të shkrimit shumëplanësh të Hans Christian Andersen në gjuhën shqipe. Përkthimi i Klodian Briçit jo vetëm që pasuron korpusin gjithnjë në rritje të veprës së Andersenit në gjuhët e huaja, por i shton kanunit të letërsisë shqipe një autor të madh të letërsisë botërore.


Mbi librin

“Përrallat e Andersenit” (Albas, 2020) përmban 99 përrallat më të njohura të autorit danez, si “Teshat e reja të perandorit”, “Thopërçi dhe trëndafili”, “Ushtari trim prej kallaji”, “Bariu i derrave”, “Holger Danezi”, “Baulja fluturuese”, “Klausi i Madh dhe Klausi i Vogël”, “Sirena e Vogël”, “Galloshet e fatit”, “Gishtëza”, “Shitësja e vogël e shkrepëseve”, “Princi i lig”, “Kopshti Parajsor”, “Rosaku i shëmtuar”, “Poshtë pemës së shelgut”, “Këpucët e kuqe”, “Princesha dhe bizelja”, “Dy vëllezërit”, “Pesë kokrra bizele të një bishtaje”, “Mbretëresha e Dëborës”, “E bija e mbretit të kënetës”, “Trëndafili më i bukur i botës”, “Familja e lumtur”, “Hënës ç’i panë sytë”, “Lulet e Idës së vogël”, “Vasha e Akullit”, ”Gjyshja” etj.


Librin mund te blihet online këtu



Përgatiti:

Nanila Allkja Biçaku

Xhoana Jaku


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,248 Lexime
1 vit më parë