“Demotivimet e mësuesit shqiptar dhe shkolla në udhëkryq”, analizë nga Luan Stafasani
Serbia i paguan mësuesit 760 euro, Mali i Zi 725, vendet e tjera europiane me rreth 40-80 mijë euro në vit pa përmendur Luksemburgun me 137 000 euro rrogë në vit. Po mësuesit shqiptar? Ne jemi të parafundit në hierarkinë e pagave në vendin tonë.
"Vendi më i egër në Ferr është për ata, që kur është dashur të flasin, kanë heshtur"- Dante Aligeri.
Me motivim kuptojmë forcën, dëshirën, pasionin, shtysën për të arritur e përmbushur një qëllim që i kemi përballur vetes. Motivimi që vjen nga jashtë vetes lidhet me shpërblimin financiar e social që do të duhet ta japë dikush për të cilin ti je angazhuar të punosh, ndërsa motivimi i brendshëm buron nga shpirti e synon rritjen personale e profesionale. Nëse të dy llojet e motivimit ecin krah njëri-tjetrit gjërat shkojnë siç duhet.
Demotivimi është e kundërta e motivimit dhe në arsim lidhet me pamjaftueshmërinë e shpërblimit financiar e bjerrjen e statusit social të profesionit të mësuesit.
"Edhe mbreti ka pasur një mësues"- thotë proverbi i vjetër dhe tregon rëndësinë e profesionit të mësuesit. Aleksandri i Madh pati për mësues Aristotelin që ishte filozofi më i madh i kohës ndërsa mbretit Zog i ofruan mësuesin më të mirë të kohës Ibrahim Temon.
Mësuesi dhe shkolla shqiptare patën "një lindje të vështirë" e të vonuar e si çdo lindje e tillë reflektohet në "shëndetin" e atij që ka ardhur në jetë. Zyrtarisht në Shqipëri njihet e përkujtohet 7 Marsi si dita e parë e shkollës shqipe dhe si dita e mësuesit pasi siç dihet në këtë datë të vitit 1887 u çel në Korçë shkolla e parë shqipe. Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Hafiz Ali Korça ishin treshja më e njohur nga nëntë mësuesit që pati kjo shkollë. Ishin personalitete të kohës që morën përsipër të ushtronin detyrën e mësuesit. Udha e shkollës shqipe nuk do të ishte e lehtë gjer në kohën e epokës së Zogut i cili duhet thënë se bëri çfarë ishte e mundur për kohën në drejtim të arsimit. Përveç hapjes së shkollave në të gjitha qytetet, ai dërgoi me bursë studimi shumë të rinj që pas përfundimit të studimeve do të ushtronin profesionin e mësuesit si p.sh Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi etj. Reformat e tij arsimore njohën kundërshtarin më të fortë, Marash Ivanaj anëtar i bllokut opozitar i cili ishte angazhuar në shtypin e kohës me shkrime. Zogu nuk u mendua gjatë po në krye të ministrisë së arsimit emëroi kundërshtarin e tij më të madh në këtë fushë. Mësuesi në këtë kohë kishte statusin e merituar financiar e social, autoritetin e padiskutueshëm dhe një vend të nderuar në shoqëri. Edhe në kohën e komunizmit profesioni i mësuesit për shkak të traditës së krijuar po edhe shpërblimit financiar u bë një nga profesionet më të lakmuara. Burrat dilnin në pension 55 vjeç ndërsa gratë 50. Sot mosha e pensionimit po troket tek 66 dhe nëse i referohemi moshës mesatare tek ne sipas INSTAT është 77 vite, i bie që mësuesi që kontribuon 35 vite t'ia kthejnë me 11 vite “respekt e mirënjohje". Fakti është shumë demotivues.
Në '91 si të gjitha hallkat e zinxhirit të shoqërisë shqiptare edhe hallka e arsimit u këput. Shteti i gjunjëzuar e braktisi në mëshirë të fatit shkollën e mësuesin. Mësuesit ja mësynë emigrimit për një jetë më dinjitoze se ajo që ofronte vendi i tyre ose e lanë mësuesinë për një punë më të mirë në administratën shtetërore me të cilën "mund t'i ndihmonin rrogës" si p.sh në polici, tatime, bashki, dogana etj. Pjesa më fatlume e mësuesve ngriti bizneset e veta dhe kuptuan se mësuesia si profesion nuk ia vlente. Boshllëku i krijuar në radhët e mësuesve u mendua të zgjidhej përmes shkollimit me korrespondencë të tyre. Edhe e drejta e studimit për mësuesi zbriti në kategorinë inferiore. Atë vijojnë ta zgjedhin pjesa e nxënësve me më pak arritje në shkollat e mesme.
Pas 90-ës të gjitha qeveritë kanë trumbetuar depolitizimin e arsimit por në fakt ka ndodhur e kundërta, madje pa droje mund të themi se lufta ndaj klasës së përmbysur vijon të jetë e egër dhe "elementët reaksionarë e antiparti"survejohen me shumë kujdes. Ky është një tjetër demotivim dhe drejtuesit e shkollave duhet të jenë njerëz me partishmëri dhe nuk ka rëndësi nëse kanë mbaruar për Fiskulturë a ndonjë lëndë tjetër që zhvillohet një orë në javë.
Prej 7 Marsit të 1887 e deri më 1991 mësuesi shqiptar mund të mbante në nivelin mesatar të jetesës familjen e tij.
Sot nuk mund të mbajë në këtë nivel as veten e tij. E ky është një tjetër demotivim. Mësuesit e kurojnë imazhin e tyre vetëm me 7-8 Mars dhe duhet të mendohen dy herë para se të futen në një librari për të blerë një libër.
Në maj të 2022 për shkak të rritjes së çmimeve çdo ofrues shërbimi i ka ngritur tarifat e punës, edhe një punëtor i thjeshtë krahu në tregun e lirë të punës kërkon për 6 orë punë 22 euro aq sa paguhet në ditë një mësues në Shqipëri për të cilët nuk e ngre zërin askush.
Paga mesatare e mësuesit shqiptar është 468 euro në muaj, Serbia paguan 760 euro, Mali i Zi 725, vendet e tjera europiane variojnë me 40-80 mijë euro në vit pa përmendur Luksemburgun me 137 000 euro rrogë në vit mësuesit. Është bërë proverbial debati mes ish-kancelares gjermane Merkel dhe deputetëve gjermanë të cilët kundërshtonin faktin që rroga e mësuesit në Gjermani ishte më e lartë se e deputetëve."Ju keni harruar që në fillim keni patur një mësues"?- i pyeti në mënyrë retorike ajo.
Dhe pas kësaj metode krahasimore pagash me ballkanas e europianë nuk mund të flitet për demotivim po për çarmatosje të mësuesit shqiptar.
Megjithatë kjo çështja e krahasimit me europianë edhe mund të kapërdihet, po fryma na ndali kur mësuam se në Tiranë kishte pagesa 4000-5000 euro në muaj për kontrollorët ajrorë (që kërkonin rritje page) ndërsa ne mësuesit që punojmë për kontrollin e kokave të nxënësve paguhemi 10 fish më pak! Më pas me publikimin e listë pagesave në vendin tonë kuptuam sesa vlerësoheshim e peshonim ne mësuesit. Ne jemi të parafundit në hierarkinë e pagave në vendin tonë, lëmë pas vetëm punëtorët e ndërmarrjes së gjelbërim-pastrimit nëpër provinca që ju llogaritet paga diku tek 300 euro në muaj.
Një berber të kërkon 500 lekë të reja për të qethur kokën ndërsa mësuesi për ta mbushur kokën e nxënësit me dije e edukim paguhet 25 lekë të reja për nxënës në ditë.
Mësuesi duhet të interpretojë çdo ditë rolin e tij që përfshin atë të edukatorit, sociologut, psikologut, policit, badiguardit. Këtë vit shkollor na kërkuan të bëjmë përsëritje dy javore me nxënësit në fillim të shtatorit dhe premtuan pagesë shtesë për këtë gjë mirëpo u vërtetua ajo thënia që: "Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë". Po në shtator doli SMIP (punë e shtuar) dhe nuk shoqërohet me pagesë shtesë. Mua më duket se është njëlloj sikur të shkojmë në tregun valutor të blejmë ca euro e t'i kërkojmë shitësit edhe ca dollarë shtesë m.q.s e kemi paguar një herë për euro. Edhe kjo gjë është demotivuese.
Një tjetër element demotivues është mungesa e sindikatës në arsim. E kam fjalën për mungesën de facto pasi de jure rezultojnë dy të tilla. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk shënon një grevë qoftë edhe disa orëshe prej '91. Në 20 vite të punës sime si mësues nuk kam ndeshur asnjë aktivitet sindikalist megjithëse kuotizacionet kujdesen të na i mbajnë çdo vit. Kjo lidhet me rehatinë e krerëve sindikalistë që me veprimet e tyre janë në unison me drejtuesit e ministrisë dhe me frikën e mësuesit që rri si "Delja nën kshanë (gërshërë)". Po ashtu të ndeshësh me dekada të tëra drejtues e specialistë të ZVA që kanë harruar zanatin e mësuesit, riciklimi i figurinave të konsumuara si drejtues shkollash, arroganca në rritje e nxënësve nga poshtë dhe drejtuesve nga lart e kanë vënë mësuesin nën "efektin sandwich", mungesa e bashkëveprimit me prindërit të cilët në shumicë duken përherë e më të pa interesuar për fëmijët e tyre janë elementë demotivues.
Në 31 vite demokraci, tre titullarë kanë patur "stofin"e prerjen për të qenë të tillë, personalitete e autorë tekstesh, pjesa tjetër kanë rezultuar pa të kaluar e të përkushtuar në propagandën e fejsbukut e kujdesin për lukun e tyre, shkurt njerëz që nuk të motivonin me politikat arsimore që kanë ndjekur.
Japonia një nga vendet më të zhvilluara në botë ka zgjedhur një thënie motivuese që e vendos në librat e fillores: "Japonia është vendi më i prapambetur në botë, të bëjmë çmos të gjithë ta nxjerrim prej këndej”. Ndërsa tek ne fytyrat rrezëllitëse të ministrave që kanë parakaluar kanë folur vetëm për arritje e suksese falë udhëheqjes së tyre.
Në botën globale ku jetojmë mund të gjenden zgjidhje për shumëçka. Fjala vjen kontrollorët ajrorë mund të sillen nga Turqia, punonjësit e fasonerive nga Bangladeshi e kështu me radhë.
Po për mësues si do i vejë halli?-mund ta shtrojmë si pyetje.
Mendoj se së pari profesionin e mësuesit duhet ta bëjmë të kërkuar si degët e mjekësisë. Ata që do ta zgjedhin duhet të jenë të motivuar si financiarisht edhe moralisht. Sidomos duhet investuar në përgatitjen e mësuesve të ciklit fillor. Fillorja duhet të jetë themel e gurë i fortë që të qëndrojë shkolla. Mësuesit e fillores duhet të jenë më të paguarit në sistemin arsimor dhe numri i nxënësve në klasat fillore nuk duhet ta kalojë 15.
Kam njohur njerëz që kanë bërë vetëm filloren por kishin shkrim të bukur, lexonin rrjedhshëm dhe zotëronin tabelën e shumëzimit e ishin në gjendje të thonin vargje të tëra përmendësh. Kur i pyesja kujt ia dedikonin këto arritje ata e lidhnin me mësuesin e fillores. Mësuesi i fillores ndërton bazën e piramidës nëse shkollën do ta përfytyronim si të tillë.
Edhe vetë e kam vërtetuar me nxënësit që kam kaluar ndër vite, nxënës të rregullt e të edukuar kanë patur mësuese autoritare në fillore sikundër e kupton menjëherë kur ndesh nxënës që nuk shkruajnë e lexojnë siç duhet se kanë kaluar nga duart e mësueseve që janë të "peshave të lehta".
Për klasat 6-9 numri i nxënësve nuk duhet ta kalojë numrin 20, nëse duam efektivitet dhe numrin e orëve për mësueset në të 55 dhe burrave pas 60 duhet rishikuar.
Edhe mjedisi ku mësohet luan rol në edukimin e nxënësit, njeriu është edhe produkt i mjedisit, sa më edukues të jetë ai aq më ndikim do ketë tek nxënësi.
Duhet të investohet në laboratorë të informatikës, është paradoks t'i shpjegohet TIK-u në tabelë të zezë nxënësit. Bibliotekat duhet të jenë sa më të ekspozuara, me hapësira të bollshme e lehtësisht të aksesueshme e jo të konceptohen thjesht si magazina të vogla ku ruhen librat. Bibliotekat duhet të jenë të pajisura me librat e klasikëve vendas e të huaj.
"Nëse do të mbjellësh për një vit mbill misër e grurë. Nëse do të mbjellësh përgjithmonë mbill arsim e kulturë"-Sami Frashëri.
Nga Luan Stafasani
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant
Portofoli i praktikës profesionale, profili Gjuhë shqipe dhe Letërsi