NISMA

Dita Botërore e Librit për Fëmijë, ALBAS i bashkohet nismës “Unë lexoj për ty”

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit për fëmijë, Shtëpia Botuese Albas, i është bashkuar nismës “Unë lexoj për ty” të Qendrës së Librit për Fëmijë. Jemi të izoluar por bashkë me lexime të mrekullueshme.

“Jemi të izoluar por bashkë me lexime të mrekullueshme”, ky është mesazhi i synuar të shpërndahet veçanërisht në Ditën Botërore të Librit për fëmijë nga Qendra e Librit për Fëmijë.  


Të gjendur në një situatë jo të zakontë vetizolimi kjo qendër ka ndërrmarrë nismën “Unë lexoj për ty”.


Shtëpia ALBAS i është bashkuar me kënaqësi kësaj nisme, dhe mes librave të shumtë për fëmijë që kjo shtëpi ofron, drejtuesja e saj, Rita Petro, zgjodhi të lexonte diçka të këndshme nga “Përrallat e Vëllezërve Grim”. 


“Mirënjohje për këtë lexim për të vegjlit që na ndjekin. Faleminderit Rita Petro që na e bëre kaq të bukur mbrëmjen me Përralla nga Vëllezërit GRIM”, kështu është shprehur në një postim në faqen e Facebook, drejtuesja e Qendrës së Librit për Fëmijë, Anisa Ymeri

.  

Në vitin 2005 ky libër me mbi dyqind përralla të Jakob dhe Vilhelm Grimit hyri në listën e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s, ndërsa ai tashmë prej shumë kohësh është sjellë në shqip nga Shtëpia Botuese ALBAS. 


“Ky libër është një sfidë e madhe leximi”, kështu është shprehur drejtuesja e kësaj shtëpie, Rita Petro.


Për më tepër ju ftojmë ju dhe fëmijët tuaj që të ndiqni videon e mëposhtme. 

Përrallat e Vëllezërve Grim, një trashëgimi e vyer e letërsisë për fëmijë, shërben si simbol i të gjitha përrallave botërore dhe si burim i pashtershëm i përrallave të shkrimtarëve bashkëkohorë. Me veprën e tyre ata shpalosin përpara lexuesit figura mitologjike, popullore, figura kafshësh, pyje misterioze etj., duke i stolisur me një shpirt romantik, plot fantazi, me fjalë të urta, epitete e figura të bukura letrare.


Nuk e teprojmë aspak, nëse themi se përrallat e Vëllezërve Grim nuk janë të bukura vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit, që duan të përjetojnë botën e përrallave kur ishin fëmijë dhe filozofinë e tyre. Duke ngritur lart të bukurën, të ndershmen, të hijshmen, të vërtetën dhe të virtytshmen, dhe duke ndëshkuar ligësinë, djallëzinë, dashakeqësinë, makutërinë, Vëllezërit Grim përcjellin ende sot vlera edukative, duke e bërë të pavdekshme dhe triumfuese të mirën dhe të ndershmen. Duke pasur në dorë këtë libër me mbi 200 përralla të Vëllezërve Grim, fëmijët e shohin veten jo vetëm si lexues, por edhe si heronj, me një shpirt të pasur, heroik dhe me mendje inteligjente e plot fantazi.


“Kjo është arsyeja përse ne me përmbledhjen tonë me përralla nuk donim t’i bënim vetëm një shërbim historisë së poezisë dhe mitologjisë, por kishim si pikësynim që vetë fantazia, që këtu është e gjallë, të ndikojë që ky libër të shërbejë edhe si një libër edukativ”, shprehen Vëllezërit Grim.


Nëse jeni të interesuar për ta bërë këtë libër pjesë të bibliotekës tuaj ju ftojmë ta porosisni online duke klikuar këtu.

(N.Allkja Biçaku, Portali Shkollor)

2,150 Lexime
4 vjet më parë