Dr.Natasha Shuteriqi Poroçani: Shkatërrimi i shkollës është qëllim, jo aksident
Në Shqipëri kemi që më1990-ën që kopjojmë sistemet: italian, spanjoll, anglez, pak japonez, e tani së fundmi u desh dhe një sapllake turke. Dhe asnjëherë, kurrë nuk na u tha: mor zot, ku ishte e keqja e madhe e sistemit që patëm?
TË SHKATËRROJMË SHKOLLËN DHE TË JETOJMË TË LUMTUR
Cilido që e ndien se shkolla sot ka një diferencë të dukshme me modelin e saj deri në vitet 2000, duhet ta konsiderojë këtë fakt dëshirë dhe vendim të shoqërisë në zhvillim.
Ky nuk është një problem thjeshtë shqiptar, por një politikë që ka marrë shtrirje globale, duke u kthyer në shqetësim vetëm për atë pjesë të popullsisë dhe intelektualëve të cilët kanë reminishenca të një sistemi arsimor të frytshëm dhe që, përtej nostalgjisë, kanë prekur rezultatet e këtij sistemi, sikurse ne sot po prekim dhe vuajmë rezultatet e një sistemi të shkatërruar sistematikisht.
Në vitin 2017 alarmin të parët e dhanë 600 pedagogë universitarë në Itali, të cilët deklaruan publikisht: “Studentët nuk dinë italisht.” (https://www.corriere.it/scuola/universita/17_febbraio_04/gli-studenti-non-sanno-l-italiano-denuncia-600-prof-universitari-3db50faa-eb16-11e6-ad6d-d4b358125f7a.shtml)
Kjo gjendje sot duhet të jetë thelluar, për aq kohë sa nuk shohim politika specifike të Komunitetit Europian (së paku), të cilët të ndërhyjnë në formë dhe mënyrë radikale për të shmangur pasojën katastrofale që do të sjellë fakti.
Problemi është se sa e interesuar është shoqëria dhe politika për ta ndryshuar këtë realitet.
Sot ky alarm ka zbritur në nivelet e shkollave të mesme, të cilët për të justifikuar gabimet dhe vakumet në hapësirat e tyre e pasojnë fajin në arsimin e mesëm të ulët dhe ky e përcjell më poshtë ende, për t`ia lëshuar topin e ping pongut familjes, që nga ana e saj godet shoqërinë dhe shkollën që po i prish nxënësit, si të ishte e vetëpërjashtuar nga ky rreth vicioz, i cili jo vetëm se nuk e shmang përgjegjësinë por, ndërsa rrotullohet e kthen atë në një ortek. Ne na ka zënë orteku.
Profesor De Tiullio, një nga pedadogjistët më të spikatur në botë, pak para se të largohej nga jeta konstatonte: Goditjet që i janë dhënë shkollës janë të shumta, por ata që mendojnë se bëhet fjalë për aksidente në rrugëtimin e saj, janë naivë. Në shoqërinë likuide anarko-kapitaliste edukimi është një e keqe që duhet eliminuar.
Në fakt askush nuk po habitet sot nga ky alarm, i cili ka gjetur të papërgatitur vetëm analfabetët funksionalë.
Nuk e kam kuptuar kurrë se përse në programet dhe tekstet shkollore duhet të punohet me metoda qasjeje mekanike, kur dallimin mes analizave dhe argumentimeve e bën vetëm arsyetimi i thellë dhe i argumetuar.
Siç nuk kam kuptuar se përse që nga viti 2005 e këndej të gjithë sistemet arsimore në Europë kanë rrëmuar e gjetur pasaktësi te kurrikulat e njëri-tjetrit, që më pas të kopjojnë kurrikulat e njëri-tjetrit, në kaotizëm të plotë e papërgjegjshmëri.
Në Shqipëri kemi që më1990-ën që kopjojmë sistemet: italian, spanjoll, anglez, pak japonez, e tani së fundmi u desh dhe një sapllake turke. Dhe asnjëherë, kurrë nuk na u tha: mor zot, ku ishte e keqja e madhe e sistemit që patëm?
Pse duhej tì hiqnim shkollës boshtin llogjik? Pse duhej të dërrmonim shkencën dhe ta quanim të panevojshme për arsimin e mesëm të lartë, aq sa ta linim në dëshirën e adoleshentëve nëse do ta zgjidhnin apo jo? Pse duhej të hiqnim dorë nga gjuhësia aplikative duke iu kthyer pafundësisht gjuhësisë tradicionale dhe postsosyriane? Pse e larguam nxënësin nga procesi i të lexuarit dhe iu kthyem metodave historiciste, të cilat, për aq kohë sa lidhen me formimin e kombeve, nuk janë më utilitare në kushtet e botës globale pa kufij.
Jam dhe vazhdoj të jem në krye të mendimit se gjërat duhet të ndryshojnë dhe të përshtaten me kushtet e reja në të cilat po hyn shoqëria. Absolutisht dakord me rivlerësimin, hapjen, përvijimin e koncepteve të reja; në krye të diversitetit edhe programor, edhe tekstual; në ballë të përfshirjes së mendimit të ri shkencor dhe teknologjik në të gjitha dijet shkencore, por ama, jo të shkatërrojmë gjithë sistemin, duke e degraduar atë, duke mos ruajtur vlerat që ne vetë i patëm. Në këtë kontekst po i referohem sistemit arsimor shqiptar, se personalisht kam qenë aktore e disa prej ndryshimeve që kanë përfshirë atë, për të cilën nuk shmang veten nga asnjëpërgjegjësi profesionale.
Por ndryshimet nuk ndodhën vetëm në Shqipëri. Ishin globale. Në fillim shkollës i hoqën arsyen dhe e zhvendosën atë në dosje kompjuteri, i cili nxori jashtë loje enciklopeditë dhe format codex. Me këtë nuk dua të shmang dhe as të anashkaloj vlerën e madhe të internetit, por dua të anatemoj zhvleftësimin që vetë sistemi i bëri librit, fjalës së shkruar në mënyrë faktike; fjalës së mbetur e cila është e tillë edhe për t`u vlerësuar, por edhe për t`u kritikuar (literalisht kjo e fundit). Të kaloj te tekstet e përkthyera? Lëre se ajo do një artikull më vete.
Më pas u vijua me zhvleftësimin e mësuesit e pedagogut, duke i ulur fillimisht pagesën, e duke ia kamufluar me sloganin se mësuesi/pedagogu punon për pasionin, për vlerë, edukim, heroizëm, etj, sikur ky individ të mos kishte nevojë të ulej bashkë me familjen çdo ditë (tri herë në ditë) në tavolinën e ushqimit. Dhe nëse sot, reflektimet e mëvonshme e kanë standardizuar rrogën e mësuesit (duhet të jemi të drejtë dhe të themi që mësuesit paguhen mirë në hierarkinë e pagesave), kjo nuk ka më asnjë lloj vlere: dëmi është bërë në ndërgjegjen e mësuesit, por edhe në vlerën morale të tij përballë nxënësit.
Në emër të të drejtave të njeriut, u abuzua në marrëdhënien mësues-nxënës, duke e transferuar tolerancën në liberalizëm dhe rregullin në konservatorizëm. Kjo dëmtoi më së pari vetë nxënësin dhe devijoi punën e një mësuesi. Nxënësi u bë zot dhe mësuesi hija e tij (dhe e sistemit).
Jo më larg se dy muaj më parë, m`u desh të relatoja nëpërmjet një artikulli shkencor mendimin e një rrethi prej 15 mësuesish të vendeve të ndryshme të Europës, në pavarësi nga njëri-tjetri, dhe fatkeqësisht aty kuptova se disa emërues të përbashkët të mësuesve,le të themi europianë, nuk dallonin nga kërkesat dhe ankesat e vazhdueshme të kolegëve të tyre shqiptarë: shumë burokraci, shumë letra dhe pak kohë për punë. Një tjetër shpikje e sistemit për sistemin. Letra, letra, pyje të shkuar dëm. Po punë?
Por ajo ku dua të ndalem është një plagë që na u shfaq tani së fundmi e gangrenizuar: dhuna në familje, abuzimi, përdhunimi, përbaltja edhe brenda gjakut. Një rast i përdredhur i Gregor Zamzës, po në thelb i njëjti denatyralizim marrëdhëniesh. Nuk dua të nis xhiron e ping-pongut për të gjetur fajtorin, por dua të them me bindje se s`ka më qytetari. Dëmet e sistemit të shkatërruar prej 30 vitesh, po i prekim tani me dorë. Shkolla nuk edukon më. Shkolla ka pushuar së qeni vendi formimit dhe edukimit.
Janë pasoja, nuk janë shkaqe. Në shkollë është rrudhur ora e edukimit qytetar me 1 orë në javë. Në rastin më të mirë mësuesit (që s`janë më pak fajtorë brenda sistemit), i bëjnë orë mësimore, sepse jo pak raste zëvendësohen me matematikë, gjuhë, deri dhe fizkulturë, por qytetari jo, sepse ne jemi tashmë qytetarë. Ja dhe pak, sa të na pranojë Europa.
Po përse ndodh kjo?
Jo rastësisht Orëell tregoi në distopinë e tij shkatërrimin e shkollës si një mjet qeverisjeje. Një nga tre sloganet e romanit të tij ishte "Injoranca është forcë".
Përgjigja nga ku duhet të kthejmë sytë duhet të jetë fjala e Antonio Gramshit:
“Edukohuni sepse do të na duhet gjithë inteligjenca jonë”.
P.S Argumentet e autoritetit janë referuar nga: https://www.enzopennetta.it/2017/02/la-distruzione-delle-scuola-e-un-obiettivo-non-un-incidente-di-percorso/?fbclid=IwAR2JVccwKgXSx5U2Hv73eFO8-qa9-19muXdG26Og7vdAt0-lOOFrDU_CAqo
Nga Dr. Natasha Shuteriqi Poroçani
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit
Mësuesi dhe roli i tij i rëndësishëm në edukimin e fëmijëve