Arsimohuni vajza

Duhet të investojmë në shkollimin e vajzave si e vetmja mundësi për të mos qenë të nënshtruara

Ambra Hysa, gazetare në profesion sjell për portalin Albas, një shkrim ndryshe nga ajo çfarë jemi mësuar të lexoni zakonisht. Në fokus të shkrimit të saj qëndron figura e vajzës, si dhe sfidat që kalon çdo vajzë gjatë jetës së saj, ja se çfarë shkruan ajo.

Bazë e një shoqërie të shëndoshë është vetë gruaja.


Gratë nuk do të ndryshojnë sepse ne shkruajmë në rrjetet sociale, gazeta apo website, gratë do të ndryshojnë kur prindërit të ndryshojmë mendësinë e tyre.

Ditët e sotme një diplomë është kthyer në çështje biznesi dhe jo gjithmonë ajo peshon vlerën e saj të vërtetë, ama është çelës për t’i krijuar një mundësi gruas drejt pavarësisë sociale.

Prindërit duhet të ndryshojnë mendësinë, vetëm kjo mund të sjellë diferencën. Duhet të investojnë në shkollimin e vajzave si e vetmja mundësi për të mos qenë të nënshtruara.


Gratë durojnë, gratë nuk kanë përkrahje, ulin kokën, nuk mund ta ngrejnë zërin…sepse gratë nuk kanë mbështetje financiare.

Është kaq e thjeshtë, thirrjet tona sado frymëzuese dhe ngacmuese të jenë nuk sjellin para dhe vetëm kjo e fundit mund të bëjë diferencën në jetën e tyre.

"I dua gratë që solidarizohen dhe mbështesin njëra-tjetrën, por fatkeqësisht fotot tona bardh e zi nuk do të ndryshojnë fatin e errët të gruas e cila në shumicën e rasteve nuk ka asnjë mundësi kontakti me shkrimet frymëzuese dhe fotografitë tona".


Kjo sfidë instagrami është për ne, nuk është për gratë që vuajnë në heshtje dhe në pamundësi.

Ekonomia dhe shkollimi do të mbeten faktorët të cilët ndikojnë në mbarëvajtjen e këtij zinxhiri.

Një grua e shkolluar, jo vetëm që do të mendojë ndryshe por do të ketë mundësi të punësohet, të krijojë stabilitet financiar, të mbështetet vetëm tek vetja e saj dhe mbi të gjitha…do të ushqejë me mendime cilësore fëmijët e saj, përgjegjësit e së ardhmes.

Vetëm nëse rrisim djem të shkolluar dhe vajza të shkolluara, ky fenomen do të ndryshojë.

Një libër më shumë, një vrasje më pak.



Nga: Ambra Hysa, gazetare

Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,392 Lexime
3 vjet më parë