GUXIMI QË U DUHET LUMENJVE

Emmanuelle Favier në Shqipëri, takon lexuesit në stendën e “Albas”

Erdhi në Shqipëri për herë të dytë. Kjo vizitë e dytë iu dedikua Panairit të Librit dhe Shtëpisë Botuese “Albas”, ku u botua edhe libri i saj “Guximi që u duhet lumenjve”.

Erdhi në Shqipëri për herë të dytë. Kjo vizitë e dytë iu dedikua Panairit të Librit dhe Shtëpisë Botuese “Albas”, ku u botua edhe libri i saj “Guximi që u duhet lumenjve”. Fjala është për Emmanuelle Favier, autoren franceze e cila qëndroi për disa orë në stendën e “Albas” për të takuar lexuesit e saj e për të marrë përshtypje për romanin e saj.

E surprizuar që takoi shumë të rinj që kanë interes për ta pyetur lidhur me “burrneshën” e “Guximi që u duhet lumenjve” (Le courage qu’il faut aux rivieres – nga origjinali), Emmanuelle Favier thotë se nuk e kishte menduar ndonjëherë që do e shkruante këtë libër.


“Është shumë emocionuese për mua, nëqoftëse do ta kisha ditur disa vite më përpara kur fillova të shkruaja këtë libër, që do të botohej, ose që do të përkthehej në shqip dhe do të isha e ftuar në Panairin e Librit, as që më shkonte ndër mend. Por ndodhi, dhe është diçka e jashtëzakonshme, e pabesueshme që jam këtu në Panair.  Jam shumë e impresionuar nga të gjithë këta lexues që vinë, sidomos nga të rinjtë që na vizitojnë në panair. Gjithashtu jam impresionuar nga numri i njerëzve që flasin frëngjisht. Jam e habitur që frëngjishtja ka akoma kaq shumë vend në zemrat e shqiptarëve, dhe shpresoj që numri i tyre të jetë gjithnjë e në rritje.”


Lidhur me historinë e romanit të saj “Guximi që u duhet lumenjve”, autorja shprehet: “Historia rrotullohet pas një personazhi. Është Manushja, një virgjëreshë e betuar, jeta e së cilës do të ndryshojë pas një takimi që do të bëjë me personazhin tjetër.  Gjithashtu është edhe një histori rreth Shqipërisë, rreth traditave të saj, që unë i kam njohur dhe më kanë bërë shumë për vete. Kam studiuar dokumente, libra, studime rreth këtij fakti. Në të njejtën kohë , është një histori dashurie, një histori e kërkimit të vetes, e qënies njerëzore, kush jemi, çfarë jemi, ku po shkojmë e kështu me radhë.”


Manushja është betuar të bëhet burrneshë. Që nga dita kur i presin shkurt flokët e artë, që ia djegin para kuvendit të burrave në një zjarr ku hedhin pajën e qepur për tri vite rresht, ajo vesh tirqit e burrave, vë qeleshen mbi kokë dhe të gjithë burrat e respektojnë dhe e konsiderojnë të barabartë me ta. Por ardhja e Adrianit, një krijesë me të shkuar enigmatike dhe vështrim magjepsës, do t’i zgjojë dëshira të ndaluara, duke i kujtuar se femra që ka ndrydhur brenda vetes është ende gjallë. 

Realiteti i maleve merr ngjyra poetike në këtë roman magjepsës, që përcjell me forcë përplasjen e miteve të lashta me realitetin.

Emmanuelle Favier, për këtë roman ka marrë një seri çmimesh, mes të cilëve: “Zbulimi i vitit”, “Libri i preferuar i gjimnazistëve”, “Libri i preferuar” apo çmimi “Poulet-Malassis”, Alençon.


Nëse doni ta blini mund ta porosisni këtu 

(Portali Shkollor)

1,952 Lexime
5 vjet më parë