Reflektim

Etleva Kondakçiu: Pushimet e mësuesve! E vërtetë apo mit?

Mësuesit dëgjoj që kanë një mal me shkresurina për të plotësuar. Nuk di kur dhe ku e bëjnë këtë pjesë të punës! Në klasë? Vështirë. Në sallë? A janë ende sallat e mësuesve si dikur, me kondicionerë në vend të sobave? Po tani në kulmin e vapës, sa çlodhen ata? Sa arrijnë të shkarkojnë ngarkesën e 10-12 muajve?

- Ku e çove vajzën me shkollë?

- Mësuesi. Është rehat. Në 1 apo 2 mbaron punën, shkon në shtëpi, si zonjë. Tre muaj në verë pushime, çfarë do më shumë?


Ndonjëherë, në ato orët e bukura dhe të ëmbla të fëmijëve, e mendoj edhe unë "Sa rehat janë këta mësuesit vërtet!". Pastaj, vijnë shumë shpejt momentet kur nga 5 fëmijë që jam duke parë, më duket sikur bëhen 15 e sikur më duhet ndonjë mikrofon i fuqishëm (se thuprës i ka ikur moda) për t'i bërë që të pushojnë dhe të dëgjojnë.


E pastaj mendoj një klasë të tërë me 30 a 35 vetë, ku pjesa më e madhe, në mos të gjithë, e dinë veten princër dhe princesha të lindur nga prindër që në rastin më të mirë kanë pasur fatin t'i trashëgojnë ca prona nga gjyshe e gjyshër, e në rastin më të zakontë, vazhdojnë të jetojnë me qira ose të shlyejnë kredinë e shtëpisë.


Dikur, i njihnim mësuesit nga toni i zërit. Kaloje korridoreve dhe pa qenë nevoja ta vije veshin te dera, dalloje mësuesin e matematikës (më duket mua, apo ata kanë pasur gjithmonë zërin më të lartë), mësuesen e gjuhës, atë të gjeografisë, të anglishtes, të fizkulturës jashtë te oborri apo te fusha sportive. Ndonjëherë të binte rasti të çoje apo të merrje diçka edhe në sallën e mësuesve. Dimrit zakonisht theknin ndonjë copë bukë, me pak gjalpë e djathë e merrnin një të ngrohtë te soba me dru. I shihje lart e poshtë me regjistra në dorë. Oh, ata regjistrat! Si tani i mbaj mend ato kutizat që i shihnim ndonjëherë fshehurazi nga salla te klasa dhe u tregonim gjithë klasës. Aksesi në regjistër ishte pushtet. 


Po sot? Nuk e di a përdorin ende regjistra si ata. Di që çantat janë plumb, që gjithë shtëpia mbushet me fleta të fotokopjuara dhe që shpesh kemi aksion për të gjetur fletën që mungon. Mësuesit dëgjoj që kanë një mal me shkresurina për të plotësuar. Nuk di kur dhe ku e bëjnë këtë pjesë të punës. Në klasë? Vështirë. Në sallë? A janë ende sallat e mësuesve si dikur? Me kondicionerë në vend të sobave? 


Po tani në kulmin e vapës? Sa çlodhen mësuesit? Sa arrijnë të shkarkojnë ngarkesën e 10-12 muajve? Sa kohë u duhet të mendojnë dhe ndoshta edhe të ulen e të përgatiten për planet mësimore të vitit të ardhshëm, për detyrat e shtëpisë e të klasës që duhet t'i gjejnë e t'i përshtatin? A u duhet edhe të punojnë për ndonjë shpenzim që tejkalon rrogat e ngritura? Po kurse private për të përgatitur ata që kërkojnë më shumë sesa mësimi në klasë apo për ata më të tërhequrit e të turpshmit që nuk angazhohen mjaftueshëm? Sa u duhet të punojnë online, ndërkohë që jo gjithmonë e kanë një "klasë" apo një cep të qetë, me një kompjuter të shpejtë, me kufje të mira që të mos u shurdhohen veshët nga zhurma në shtëpinë apo telefonin e nxënësit apo ulërimat e kalamajve të vet që nuk e kuptojnë dot rëndësinë e përqendrimit.


Sa energji munden mësuesit të fitojnë gjatë verës? 



Nga Etleva Kondakçiu, përkthyese 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

6,344 Lexime
9 muaj më parë