Analizë

Evans Drishti: Nxënësi që kërkon një moto

Pse të mos nxisim një iniciativë të këtillë, ku nxënësve elitarë t’u japim mundësinë të kultivojnë në mendjen e tyre parimet e jetës nën sloganin “Kjo është motoja ime!”?

Kishte kaluar një kohë e gjatë që mësonte intensivisht, i shoqëruar padyshim nga një ego e ndërthurur me një ambicie aspak ironike, e cila sa vinte dhe bëhej edhe më e dukshme në raportin e tij me veten dhe atë ç’kërkonte. 

Çdo ardhje e tij në shkollë, qoftë në mëngjeset dimërore të egra apo edhe në ato pranverore përkëdhelëse ndiqej nga një dëshirë e zjarrtë në arritjen e një qëllimi që sublimen e kishte përvetësuar ndoshta më shumë se ç’duhej. Nuk reshte së lexuari, jo vetëm librat që nënkuptonin materialet  shkollore, që në një farë mënyre dukej sikur i përpinte, por veçanërisht librat e ashtuquajtura “jashtëshkollore”, që për hir të së vërtetës, akoma s’e kish kuptuar domethënien e kësaj “jashtëshkollore”-je, pasi gjithçka që lexohej në kërkim të “leximit” nënkuptonte një angazhim serioz në shfletimet e përditshme… 

Koha sikur po afrohej me nxitim për në “finalen” e shumëpritur, ku do të merrte pjesë në një konkurs që në fokus kishte leximet, e që në pamje të parë sapo e gjykoje s’ishte për t’u anashkaluar për nga rëndësia, pasi kërkonte një investim të dukshëm përsa i përket “krijimtarisë”. 

Ishte tejet i suksesshëm në të gjitha lëndët mësimore, ku nuk diskutonte aspak notën e shkëlqyer, që për një pjesë të mirë të mësimdhënësve meritonte diçka më shumë se dhjeta. E karakterizonte një mprehtësi e dukshme ideore dhe logjike në shpjegimet dhe argumentimet që u bënte temave mësimore. Kjo e kishte çuar në të mësuarit e çështjeve që në klasë dhe si i tillë tregohej tejet i vëmendshëm kur shpjegohej dhe s’ia falte vetes ti ikte qoftë edhe një frazë e vetme nga ato që mësimdhënësi trajtonte. Të kuptohemi këtu që këtë mprehtësi ia kish dhënë vetë “leximi” pasi ai e kuptonte atë për çfarë flitej… 

Puna individuale rritej dita – ditës për t’u plotësuar mirëfilltazi që të ishte i gatshëm të shkëlqente në atë konkurs, që për të ishte jo thjesht “konkurs”, por shumëçka. Mendonte gjithnjë se suksesi ishte i garantuar, e vërtet ashtu rezultonte. Kjo përsa i përket asaj me të cilën përkushtohej brënda përbrënda shkollës. Fotoja e tij qëndronte përherë në të ashtuquajturën “Tabelë nderi” dhe për të cilën kishte arritur tashmë të kuptonte se ajo fotografi s’duhej të ngelej thjeshtë dhe vetëm “e ngulur” aty si në fajësim, përkundrazi kërkonte medoemos t’i shmangej atyre kornizave që vërtet silleshin “si shqetësuese” për natyrën e tij. Tani kjo kërkesë llogarie rritej edhe më shumë, pasi pjesëmarrja tashmë përjashta do ta evidentonte atë për ato specifika që zotëronte prej kohësh. Çdo gjë kaloi me shumë sukses dhe me një bindje të fortë në vetvete për një rezultat aspirues. Dhe ashtu ndodhi. Rezultati ishte pozitiv, por seç mungonte diçka!... 

Të shumta kishin qenë takimet me profesorin e tij në kërkim të kësaj “arritjeje” e gjithçka kalonte për mrekulli. Por ja që ajo “mrekulli” ngelej e kufizuar vetëm aty, në ambientin e klasës dhe të shkollës, ne takimet konfidenciale me profesorin apo edhe në bisedat miqësore të zakonshme. Nuk njihej dhe nuk identifikohej më tepër se aq. E mira dhe suksesi kishin ngelur të heshtura diku aty dhe s’ecnin më tutje… Sillej tejet modest në këtë drejtim, pasi ashtu e kishte natyrën, por përse mungonte “stimuli” për evidentimin e një “elite” që padyshim përbënte “një të ardhme” të sigurtë për një shoqëri aspiruese?!... 



Të suksesshmit duhen afirmuar 


Është e zakonshme që në përgjithësi nëpër institucionet tona arsimore të vihen re ca tabela ku në krye shkruhet “Më të dalluarit” apo “Shembuj për t’u ndjekur” apo “Krenaria e shkollës” … emërtime këto që marrin ngjyresa të ndryshme dhe të larmishme e ku më pas vihen fotot e atyre që janë “më të përzgjedhurit”, zakonisht “një nga çdo klasë”. 

Sot më shumë se kurrë është koha të shfaqim dhe të nxjerrim në pah “elitat” që përbëjnë edhe boshtin kurrizor të një institucioni arsimor dhe jo vetëm, përbëjnë shtyllën kurrizore të një shoqërie të tërë. 

Jemi mëse të vetëdijshëm se arritjet e një nxënësi s’mund të jenë vetëm notat e shkëlqyera që merr në procesin mësimor. Përkundrazi çdo angazhim i tij në projekte të ndryshme kurrikulare dhe ekstra kurrikulare, konkurse të ndryshme, veçanërisht përtej institucionit arsimor ku edukohet dhe zhvillohet, projekte trajnuese që nxjerrin në pah cilësitë dhe aftësitë e tij intelektuale dhe menaxhuese … përbën një mundësi reale për një afirmim të tij si në aspektin e vlerave njerëzore ashtu edhe në atë të formimit të tij. 

A mund të jetë një rrugë e vetme “prezantimi” i një nxënësi të suksesshëm vetëm nëpërmjet një fotoje në muret e shkollës duke e lënë kategorish të mbyllur aspiratën e tij në ndërtimin e një të ardhme vërtet ndryshe? 

A e keni pyetur ndonjëherë nxënësin tuaj të suksesshëm se cila është “motoja” e tij që përcakton edhe një linjë të së ardhmes? 

Sa janë të gatshëm këta elita nxënësish të jenë konkurrues në profesione apo zanate të ndryshme duke sjellë një revolucion në ndërtimin e një shoqërie sa më bashkëkohore? 



Ka gjithnjë një rrugëzgjidhje për t’i afirmuar dhe për t’i nxjerrë më në pah të tilla modele që padyshim përbëjnë edhe “elitën” jo vetëm të një institucioni arsimor, por edhe të mbarë shoqërisë sonë: 

Kështu: 

  • Le të organizojmë sa më shumë tryeza të rrumbullakëta në lëndë të ndryshme me tematika të ndryshme, ku në fokus të jetë pikërisht “leximi” dhe “identifikimi” i nxënësve të suksesshëm. Nxënësit gjejnë më shumë liri dhe hapësirë të shfaqjes së mendimeve të tyre apo të paraqitjes së leximeve apo shpjegimeve tërheqëse dhe domethënëse në fusha të ndryshme të jetës. 
  • Le të zhvillojmë sa më shumë takime mes nxënësve të grupmoshave të ndryshme të institucioneve të ndryshme arsimore, ku evidentohen akoma më mirë elitat që kërkohen si dhe aty ku nxënësi gjen terrenin e duhur të një shprehësie të mendimeve duke u përballur me një atmosferë shumë më të gjerë se ajo që has në përditshmërinë e tij. 
  • Mbart një rëndësi të posaçme ideja që vetë drejtoritë e institucioneve arsimore të organizojnë takime të ndryshme me grupin elitar të shkollës për të qenë sa më bashkëpunues në mbarëvajtjen e një procesi edukativ që padyshim është në shërbim të brezit të ri. 
  • Le të ushqejmë tek nxënësit prodhimin e ideve të ndryshme dhe të larmishme sipas lëndëve përkatëse duke i afruar nxënësit më tepër me leximin si dhe njohjen e veprimtarive të ndryshme jetësore. 
  • Është detyrë e qeverisë së nxënësve dhe përgjegjësve të saj që të paraqesin struktura të ndryshme arkitekturore dhe vizionare, ku mendja dhe dora e të shkëlqyerve bashkuar me shpirtin e tyre të dlirë të dalin përtej kufirit të shkollës duke bashkuar në një pikë tradicionalen dhe bashkëkohoren si e vetmja motorinë që sjell vetëm energji te reja dhe largpamëse. 


MOTOJA E NXËNËSIT 


Është shumë me rëndësi që nxënësi të ketë një moto të tij, e cila do ta udhëheqë atë në çdo hap që ndërmerr, i lehtë apo i vështirë qoftë. Sikurse jemi të gjithë në dijeni, motoja ka të bëjë me një parim, ide ose parullë që nxit ose udhëheq dikë në jetë a në veprimtarinë e tij, qëllimi apo synimi i diçkaje, motoja e jetës. 

Nisur nga kjo, nxënësit që kanë përvetësuar njohuri të ndryshme në lënde të ndryshme tashmë janë në gjendje të krijojnë ide apo mendime të larmishme që padyshim do përbëjnë edhe një udhërrëfim për përcaktimin e rrugëtimit të tij. 


A nuk është ky edhe qëllimi i këtij edukimi dhe arsimimi në jetë? 


Pse të mos nxisim një iniciativë të këtillë, ku nxënësve elitarë t’u japim mundësinë të kultivojnë në mendjen e tyre parimet e jetës nën sloganin “Kjo është motoja ime!”? 


Le të prezantojmë elitat e institucioneve tona arsimore sipas grupmoshave të ndryshme, pse jo edhe sipas lëndëve përkatëse, nga ku sjellim një vizion të qartë mbi arritjet dhe sukseset e brezit të ri në lëmi të ndryshme të jetës sonë. 


Le t’u japim mundësinë këtyre elitave të krijojnë dhe ideojnë parimet e tyre të jetës, pasi që në këtë moshë ata gjejnë mundësinë të hedhin themelet jo vetëm në ndërtimin e një karakteri dhe identiteti të fortë dhe të qëndrueshëm, por edhe në ndërtimin e aspiratave personale për të kuptuar më qartë se ç’mund të bëjë më mirë në jetën e tij dhe ku do të jetë i aftë të kontribuojë për të realizuar ëndrrat e veta.

 

Nisur nga të gjithë këto që parashtruam themi se nxjerrja në pah e grupeve elitare të nxënësve së bashku me motot e tyre përkatëse do i hapë rrugë formimit të strategjive të reja, që natyrshëm nuk ndikojnë vetëm individualisht, por zhvillojnë edhe një shoqëri të tërë. 


Mos nguroni mësimdhënës të nderuar të prezantoni më të mirët e punës tuaj pasi në këtë mënyrë padyshim keni prezantuar edhe veten! Mos nguroni të evidentoni vlera të larta njerëzore të fushave të ndryshme pasi në këtë mënyrë edhe kënaqësitë që do merrni do jenë më të mëdha! 


Sot më shumë se kurrë është koha të reflektojmë dhe të pasqyrojmë kategorinë e më të mirëve që na janë gjendur më pranë dhe na kanë kuptuar përpjekjen dhe përkushtimin për t’u dhënë më thelbësoren! 


Janë kjo kategori që quhet “elitë” që meriton të depërtojë në labirintet e qytetërimeve për t’u ngjitur hapësirave kulturore për të kuptuar thelbin e ekzistencës! 



Nga Evans Drishti 


 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

2,569 Lexime
2 vjet më parë