Festat janë kohë gëzimi dhe jo gjumi, janë mundësi që na bëjnë të identifikohemi dhe të zhvillohemi
Ditët e festave pushim janë të rëndësishme për të reflektuar dhe shfrytëzuar kohën dhe mundësinë për të dalë përtej kornizave që ofron përditshmëria, me qëllimin final “gjetjen” dhe “zbulimin” e risisë nëpërmjet “leximit”, “kuptimit”, “arsyetimit”, “angazhimit”, “përkushtimit”, “devocionit”...
“Mëzi pres të vijë ajo ditë pushimi, që të fle edhe më shumë”…
Është një frazë, e cila dëgjohet shpeshtazi nga të rinjtë e sotëm, të çfarëdo klase qofshin. Si të mos mjaftonte “përgjumja” që sjell ndjekja “me rigorozitet” i mjeteve të teknologjisë bashkëkohore, e cila “natyrshëm” ka sjellë një distancim të dukshëm edhe me “librin” dhe “të lexuarit” për “të kuptuar”, tanimë ka një pritshmëri akoma më të madhe edhe për “ditët e festave”, të cilat padyshim që kanë dhe duhet të kenë një “organizim të mirëfilltë” në përkujtim të tyre.
Ja që edhe në këtë periudhë të 2022 qëlloi të kemi tri të hëna resht në përjetim të gëzimeve dhe emocioneve që sjellin festat fetare tashmë si: Pashkët Katolike, Pashkët Ortodokse dhe Bajrami i Ramazanit.
Gjatë vitit shkollor jemi mësuar të përjetojmë atmosfera të gëzueshme dhe të hareshme gjatë festimeve të ndryshme si: 28 – 29 nëntori, 8 Dhjetori, 7 – 8 marsi, 1 maji, 5 maji, 1 Qershori etj.
Në secilin rast agjenda e shkollës mbetet e ngjeshur nga organizime të ndryshme që risjellin në memorien e brezit tëri rëndësinë e përcjelljes së këtyre festimeve dhe forcimin e lidhjeve miqësore që duhet të intensifikojmë në shoqërinë tonë.
Përtej një kolazhi poetik, këngëve e valleve, si pjesë tanimë e pandarë e këtyre “organizimeve” mbetet me rëndësi që të përfshihemi më thellë në kontekstet dhe obligimet që kemi dhe duhet të kemi në praktikën e mesazheve që përcjellin të tilla festime.
Edhe në rastin aktual ku ndodhemi, përjetimet dhe përcjelljet e atmosferëve të festave fetare përbëjnë një element kyç në formimin dhe zhvillimin intelektual të brezit të ri.
Në të tilla raste marrin një rëndësi parësore diskutimet dhe bashkëbisedimet që mund dhe duhet të organizohen në institucionet arsimore dhe kulturore në lidhje me festimet tradicionale të këtyre rasteve, ku një tjetër peshë dhe vlerë marrin edhe pyetje të tilla si:
- Cila është festa që ju pëlqen më shumë? Tregoni arsyet tuaja. A e dini historikun e festës?
- Si i festoni festat kombëtare apo fetare?
- Ju pëlqejnë organizimet e mëdha apo ato në rreth të ngushtë miqësor? Pse?
- Cila ka qenë festa më e bukur që keni bërë me shokët dhe shoqet? Po me familjen?
- Flisni për veshjet që përdorni për çdo festë? Cilat janë më të bukurat?
- Përmendi sa më shumë gatime festive. Cilat prej tyre janë më të pëlqyerat prej jush?
- A mendoni se mënyra e të festuarit ka ndryshuar në kohë?
- A duhet t’i festojmë të gjitha festat? Pse? A ndani të njëjtat mendime? …
Secila prej këtyre pyetjeve pret përgjigje relative, të cilat rrjedhimisht do të vijnë të plotësueshme për sa kohë që ky brez do të përjetojë të tilla atmosfera të larmishme gjatë periudhave të zhvillimit të tij.
Vizita në vende të ndryshme
Është detyrë dhe domosdoshmëri jo vetëm për institucionet arsimore, si pjesë e kurrikulës edukative – arsimore, por mbi të gjitha e familjeve dhe e shoqërisë në përgjithësi, që të organizojnë sa më shumë vizita dhe ekskursione të larmishme në vende historike, kulturore, fetare dhe artistike në mënyrë që fëmijët e brezit të ri të kuptojnë identitetin e tyre dhe vendin në të cilin jetojnë dhe zhvillohen.
Kështu, një vizitë në kalanë e qytetit, në shtëpitë muze, në një rrugicë të vjetër të qytetit apo të fshatit, në një urë historike, në një teatër, në një kinema,në një treg historik, në një xhami apo në një kishë, në një lëndinë, në një mal apo bregdet … janë pika referuese të qenësishme që brezit të ri u krijon mundësinë e formimit të imazheve të qarta dhe konkrete të vendit ku jeton dhe zhvillohet.
Le t’u shmangemi sa më shumë momenteve “dëshpëruese”, ku fëmijëve “u imponohet” qëndrimi në një kafene jo thjesht për pak minuta, por për orë të tëra vetëm për t’u plotësuar “qefet” e përkohshme të familjarëve. Natyrshëm që çdo ambient ka një vlerë të posaçme për integrimin dhe zhvillimin e një vendi, por a nuk është me vend dhe a nuk mbart një vlerë më vete alternimi dhe krijimi i alternativave të shumta këtij brezi që edhe ata të kuptojnë në ç’mënyrë merr formë zhvillimi mendor dhe intelektual i individit?
Është gjithashtu “dëshpëruese” teksa lexon disa “punime me shkrim” të realizuara në një orë mësimore, ku nxënësit në përgjigje të një teme në lidhje me një ndodhi apo ngjarje apo një ditë të gëzueshme, ata “me plot kënaqësi” rrëfejnë një ditë që mund të kenë shkuar në një qendër tregtare, madje duke shkuar edhe më tutje, teksa rrëfejnë edhe pizzat dhe pijet freskuese që kanë konsumuar, dhe nuk lexon në ato “punime” fjali të tilla si: “Ishim në një kopsht zoologjik…” apo “shkuam me familjen në një pikë turistike historike ….” apo “…pamë nga afër traditën dhe kulturën e mrekullueshme të x vendit …”
Mos të ankohemi “Ah ky telefoni!...Na i mori në qafë fëmijët”
A keni menduar ndonjëherë ç’alternativë u krijuam fëmijëve në momentin kur ua heqim nga duart telefonin?
A u përpoqëm të kuptojmë “botën magjike” të internetit dhe me se po “identifikohen” fëmijët tanë, nxënësit tanë, e ardhmja e shoqërisë sonë?
Provoni të krijoni sa më shumë alternativa si:
- Dilni me fëmijën në një xhiro me biçikleta në një unazë qyteti apo në një hapësirë të mundshme aty ku jetoni apo edhe diku më larg,në mënyrë që fëmija të zhvillojë perceptimin e tij jo vetëm për sportin, por edhe për natyrën dhe të forcojë ndjesinë e “imazhit”.
- Shkoni bashkë me fëmijën tuaj në një kala, buzë një kodre apo ngjituni edhe një mali, në mënyrë që fëmija të zhvillojë ndjesinë dhe perceptimin e “harmonisë” së ngjyrave të natyrës.
- Bëni hulumtime bashkë me fëmijën nëpër vende të bukura që gjenden në vendin tuaj, mbani në shënime data të caktuara, emërtime institucionesh, emra njerëzish figura që kanë bërë histori etj.,në mënyrë që fëmija të zgjerojë “memorien” e tij kulturore dhe historike për traditën dhe zakonin.
- Provoni me fëmijën të bëni gatime të thjeshta, pa shumë shpenzime dhe dilni me të në një hapësirë të gjelbër apo edhe një vend ku të konsumoni këto gatime dhe të shijoni bukurinë e atij vendi, në mënyrë që fëmija të kultivojë tek vetja domethënien e të vepruarit “bashkërisht”.
- Uluni me fëmijën tuaj në një vend të hapur dhe diskutoni me të për tema apo personazhe të ndryshme nga librat e ndryshëm, por mos u merrni me thashetheme që s’ju hyjnë në punë, në mënyrë që fëmija të zhvillojë në vetvete “kontekstin” e çasteve që përbëjnë lumturinë e jetës.
- Tregojini fëmijës në mënyrë të vazhdueshme çaste dhe momente të fëmijërisë suaj dhe të farefisnisë ku bëni pjesë, madje duke bashkëbiseduar edhe anëtarë të kësaj farefisnie, në mënyrë që fëmija të zhvillojë në veten e tij ndjenjën e “nostalgjisë” për të shkuarën.
Secili preokupim kërkon kohën e vet dhe një angazhim serioz dhe cilësor që në pamje të parë mund t’ju duket “i lodhshëm”, por më pas do e kuptoni se sa shumë kënaqësi ju ka dhuruar juve dhe fëmijës tuaj dhe për rrjedhojë keni arritur edhe “objektivin” tuaj që fëmija “të shkëputet” qoftë edhe për pak kohë nga “telefoni”.
Ashtu sikurse pesë gishtat e një dore s’janë të njëllojta ashtu edhe intelekti dhe formimet e individëve brenda një grupimi shoqëror s’janë dhe s’mund të jenë të njëjta. Prandaj institucionet shkollore nga njëra anë dhe familja nga ana tjetër përbëjnë dy shtyllat bazë, ku fëmijët e brezit të ri gjejnë mbështetje dhe përkrahje për zhvillimin dhe integrimin e tyre.
Këto ditë festash s’duhet të kalojnë në përgjumje deri në orët e vona duke përfunduar më pas nëpër kafenetë e qytetit apo të zonës ku jetojmë si një “rrugë shpëtimi” për t’iu shmangur “llogarisë”.
Përkundrazi, të tilla ditë festash janë të rëndësishme për të reflektuar dhe shfrytëzuar kohën dhe mundësinë për të dalë përtej kornizave që ofron përditshmëria, me qëllimin final “gjetjen” dhe “zbulimin” e risisë nëpërmjet “leximit”, “kuptimit”, “arsyetimit”, “angazhimit”, “përkushtimit”, “devocionit”, “orientimit”, “përftimit”… deri të kuptojmë se “S’mund të jetë i njëjtë ai që di me atë që s’di” dhe se “Më i fituari është ai që s’i ka dy ditë të njëjta”…
Nga Evans Drishti
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
"Për Aftësinë e Kufizuar dhe rolin e mësuesit ndihmës në shkolla" nga Fiqiri Çifliku
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)