Menaxhimi në arsim

Fiqiri Çifliku: Stafi, fuqia e vërtetë e drejtuesit

Përgjegjësi i Sektorit të Burimeve Njerëzore, Shërbimeve dhe Statistikës në DPAP, Fiqiri Çifliku, sjellë nëpërmjet këtij shkrimi disa nga praktikat kryesore që ndihmojnë në menaxhimin e burimeve njerëzore në arsim në mënyrë efektive dhe etike.

"Liderët bëhen të mëdhenj, jo për shkak të fuqisë së tyre por për shkak të aftësisë së tyre për të fuqizuar të tjerët"- John Maxwell


Menaxhimi i burimeve njerëzore në arsim është thelbësor në drejtimin e institucionit arsimor në qelizë, pasi përfshin tërheqjen, zhvillimin dhe mbajtjen e stafit sa më të kualifikuar për shkollën. Cilësia e mësimdhënies dhe të nxënit, kulturës, klimës organizative, kënaqësisë dhe performancës së punonjësve është e lidhur ngushtë me menaxhimin e burimeve njerëzore nga lideri, drejtori i shkollës. Disa nga praktikat kryesore që ndihmojnë në menaxhimin e burimeve njerëzore në arsim në mënyrë efektive dhe etike i shtjellojmë më poshtë.


Përcaktimi i qartë i vizionit dhe qëllimeve


Menaxhimi i burimeve njerëzore në arsim varet shumë nga mënyra se si e përcaktojmë vizionin dhe qëllimet e shkollës dhe si i përafrojmë ato me nevojat dhe pritshmëritë e palëve të interesuara, nxënësit, prindërit, mësuesit dhe anëtarët e komunitetit. Vizioni dhe qëllimet duhet të pasqyrojnë filozofinë, vlerat dhe prioritetet arsimore dhe të ofrojnë një drejtim të qartë për vendimet dhe veprimet me burimet njerëzore. Pa burime njerëzore nuk ka shkollë dhe në këtë kuptim nuk mbivlerësohet aspak roli i mësuesit në shkollë. Për të pasur sukses vizioni dhe qëllimet duhet t’u komunikohen stafit në radhë të parë duke i përfshirë ata në procesin e planifikimit dhe zbatimit. Vetëm kështu arrihet të nxitet një ndjenjë pronësie dhe përkushtimi nga ana e tyre.


Rekrutimi dhe zgjidhja punonjësve arsimorë më të mirë


Rekrutimi dhe përzgjedhja e njerëzve më të mirë për shkollën, bazuar në kriteret dhe standardet që përputhen me vizionin dhe qëllimet është një sfidë më vete e cila ndikon drejtpërdrejt në realizimin e qëllimeve dhe objektivave të shkollës. Aktualisht faza e parë e procesit të rekrutimit kryhet nëpërmjet Portalit “Mësues për Shqipërinë” duke vendosur piketat për një proces të drejtë, transparent dhe rigoroz duke u mbështetur tek trinomi Merite-Preferencë-Transparencë. Shumë pak rol ka drejtuesi i shkollës në këtë fazë të procesit, pasi mirëpret në staf mësuesit e punësuar nga zyrat vendore sipas renditjes së portalit. Në këtë moment drejtuesi dhe pjesa tjetër e stafit, nxënësve dhe prindërve luten të kenë fat, por në vijim gjatë periudhës së provës drejtuesi duhet të përdorë metoda të shumta vlerësimi, të tilla si mbikëqyrje, intervista, vlerësimi i portofolit profesional, vëzhgime të orëve të mësimit, komunikimi dhe vendosjen në situata demonstrimi konkrete me grupet e nxënësve, kolegëve dhe prindërve. Vlerësimi përfshin jo vetëm stafin e rekrutuar rishtazi por përfshin në mënyrë periodike gjithë stafin e shkollës, mësues ose jo dhe duhet të jetë i drejtë për gjithsecilin. Një vlerësimi drejtë sjell perspektiva të reja dhe përvoja të ndryshme në shkollë duke i dhënë mundësi arritjes së qëllimeve të paravendosura së bashku.


Zhvillimi dhe mbështetja e stafit


Nuk mund të ketë sukses nëse burimet njerëzore në arsim nuk zhvillohen profesionalisht dhe kjo mund të realizohet duke mbështetur stafin mësimdhënës apo pjesën tjetër të stafit të shkollës, duke u ofruar mundësi të vazhdueshme për zhvillim profesional në bazë shkolle krahas atij individual. Duke krijuar një kulturë të zhvillimit dhe përmirësimit, inkurajohet stafi të rrisë njohuritë, aftësitë dhe kompetencat e tyre dhe të ndajë praktikat dhe risitë e tyre më të mira me të tjerët. Për këtë duhet t’i sigurohen stafit burime, mjete dhe kushte të përshtatshme, që u mundësojnë të kryejnë rolet e tyre në mënyrë efektive dhe efikase, si dhe të arrijnë qëllimet e tyre personale dhe profesionale. Rrjetet profesionale dhe koordinimi në nivelin e zyrës vendore është një mundësi shumë e mirë e cila duhet përdorur me efikasitet duke mos u kthyer në një rutinë por duke u kthyer në qendra të komunikimit pse jo shkencor dhe pedagogjik.


Vlerësimi dhe shpërblimi i stafit


Vlerësimi dhe shpërblimi i stafit ndikon drejtpërdrejt në menaxhimin e suksesshëm të burimeve njerëzore në arsim, duke përdorur metoda të drejta, të vlefshme dhe të besueshme vlerësimi, që matin performancën dhe ndikimin e tyre në procesin e të nxënit dhe në rezultatet e përgjithshme të shkollës. Theksoj pjesën e vlerësimit të rezultateve në punë dhe arritjet e stafit pasi pjesa e shpërblimit monetar nuk mund të aplikohet për shkak të mungesës së pavarësisë financiare dhe hapësirave të kufizuara ligjore për të siguruar forma të shpërblimit monetar si instrument nxitës. Stafi duhet të jetë i përfshirë në hartimin dhe zbatimin e sistemit të vlerësimit dhe në këtë pikë duhet të sigurohemi që ai të jetë në përputhje me vizionin dhe qëllimet e institucionit, si dhe pritshmëritë dhe standardet përkatëse. Rezultatet e vlerësimit lidhen me vendimet dhe veprimet e drejtimit për promovimin, shpërblimin, njohjen apo mbajtjen e stafit. 


Angazhimi dhe fuqizimi i stafit


Shume e rëndësishme në arsim por jo vetëm, është angazhimi dhe fuqizimi i stafit, duke krijuar dhe nxitur një mjedis pune pozitiv dhe bashkëpunues, që vlerëson dhe respekton zërin, kontributin dhe autonominë e secilit. Duke promovuar një qasje të përbashkët të udhëheqjes, duke i shpërndarë rolet dhe përgjegjësitë mes stafit, i lejojmë ata të marrin pjesë në proceset e vendimmarrjes dhe zgjidhjes së problemeve. Duke krijuar një klimë besimi dhe raporti pozitiv njerëzor dhe institucional me stafin do mundemi t'i trajtojmë shqetësimet dhe çështjet e tyre menjëherë dhe në mënyrë sa më efektive.


Menaxhimi i ndryshimit dhe konfliktit


Menaxhimi i ndryshimit dhe konfliktit, duke parashikuar dhe duke iu përgjigjur faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm që ndikojnë në shkollë, si ndryshimet e politikave, ndryshimet e buxhetit, ndryshimet demografike, risitë teknologjike apo tendencat sociale është një sfidë më vete. Drejtimi dhe lehtësimi  i nismave për ndryshim, që përputhen me vizionin dhe qëllimet e institucionit, e përfshijnë stafin dhe palët e interesuara në procesin e planifikimit dhe zbatimit të tij duke garantuar sukses. Shumë e rëndësishme është të parandalohen dhe zgjidhen situatat e konfliktit, që mund të lindin midis ose nëpërmjet stafit, duke përdorur aftësitë efektive të komunikimit, negocimit dhe ndërmjetësimit.


Një drejtues i mirë duke përdorur fuqinë e njerëzve krijon një organizatë të shëndetshme ku secili ndikon dhe punon në favor të arritjes së qëllimit dhe objektivave për të bërë realitet vizionin e shkollës që drejton.



Nga Fiqiri Çifliku, Përgjegjësi i Sektorit të Burimeve Njerëzore, Shërbimeve dhe Statistikës në DPAP


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,054 Lexime
6 muaj më parë