Gëzuar ditëlindjen, Sabri Hamiti – Mjeshtër i fjalës shqipe!

Sabri Hamiti, një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, feston sot ditëlindjen. Në këtë ditë simbolike, botohen tri vepra të reja që shtojnë dritë në një krijimtari të gjerë e shumëplanëshe, që përfshin poezinë, kritikën, dramaturgjinë dhe mendimin letrar shqiptar.

Sabri Hamiti (Dumnicë, 10 maj 1950) është shkrimtar, studiues, profesor letërsie dhe akademik shqiptar nga Kosova. Ai është një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe bashkëkohore dhe një zë origjinal në poezinë, kritikën dhe mendimin letrar shqiptar.


Më 10 maj 2025, Hamiti feston ditëlindjen e tij, duke shënuar një tjetër vit në një jetë të përkushtuar ndaj kulturës kombëtare. Me një karrierë që shtrihet në dekada, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në fushat e poezisë, kritikës letrare, dramaturgjisë dhe studimeve kulturore.


Një bashkëpunim i frytshëm me Shtëpinë Botuese Albas


Që prej fillimit të viteve 2000, Sabri Hamiti ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i Shtëpisë Botuese Albas, duke kontribuar në hartimin e teksteve shkollore të gjuhës dhe letërsisë për Shqipërinë dhe Kosovën. Një nga veprat më të rëndësishme në këtë bashkëpunim është "Letërsia moderne shqiptare", që përbën një nga kontributet e para të autorit jo vetëm me këtë shtëpi botuese, por edhe për vetë Albas-in në fushën e letërsisë.

Ky bashkëpunim është zgjeruar edhe në botimin e veprave artistike si:

  • "Kukuta e Sokratit", përmbledhje me thellësi filozofike,
  • "Naim Frashëri", një studim mbi poetin kombëtar,
  • "Anton Pashku", analizë e veprës së një prej shkrimtarëve më modernë të Kosovës,
  • "Zef Pllumi", reflektim mbi shkrimtarin e burgosur të ndërgjegjes shqiptare.



Tri botime të reja: një ngjarje kulturore


Në ditëlindjen e tij, është dhënë lajmi se Shtëpia Botuese Albas ka botuar tre libra të rinj të Sabri Hamitit:


Prishtina mon amour” – një antologji poetike kushtuar Prishtinës, që pasqyron dashurinë e thellë të autorit për qytetin e tij.


Maja” – një dramë në tri akte mbi luftën për çlirimin e Kosovës, në vazhdën e krijimtarisë dramatike të Hamitit.


The Literary Canon” – një përmbledhje në anglisht e veprave të tij kritike të shekullit XXI, e shoqëruar me ligjëratën “Letërsia shqipe në shekullin XXI” në shqip, frëngjisht dhe sllovenisht.

Me këtë rast, botuesja dhe mikja e tij prej vitesh, Rita Petro, i ka përcjellë një urim të ngrohtë: “Me këta tre libra botuar së fundi nga ALBAS i uroj profesor Sabri Hamitit ta gëzojë përvjetorin! Është shumë e rrallë lidhja jonë si miq e bashkëpunëtorë. Sabri Hamitit i shkon shumë ajo shprehja e Hegelit se ‘Njeriu është seria e veprave të veta.’”


Një jetë e përkushtuar ndaj letërsisë dhe kulturës


Sabri Hamiti ka një karrierë të pasur si shkrimtar dhe studiues. Ai ka botuar një sërë veprash të rëndësishme, duke përfshirë përmbledhje poetike si "Njeriu vdes i ri" (1972), "Thikë harrimi" (1975) dhe "Trungu ilir" (1979), si dhe studime kritike si "Arti i leximit" (1983) dhe "Vetëdija letrare" (1989).


Përveç veprimtarisë letrare, Hamiti ka qenë aktiv edhe në jetën publike dhe akademike. Ai ka shërbyer si profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës dhe është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës . 




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

338 Lexime
6 ditë më parë