Botim i ri

“Gjallimi i skërkave” nga Zhaneta Barxhaj

“Gjallimi i skërkave- tregime të zakonshme shqiptare” i shkruar nga Zhaneta Barxhaj është botimi më i ri i Shtëpisë Botuese Albas. Tregimet janë rrëfime artistike të ngjarjeve dhe të episodeve, që ndodhin në një zonë të caktuar, për të mos thënë në një fshat të vetëm.

Në këtë botim, autorja sjell për lexuesit një mënyrë të rrëfyeri ndryshe. Tregimet janë rrëfime artistike të ngjarjeve dhe të episodeve, që ndodhin në një zonë të caktuar, për të mos thënë në një fshat të vetëm. Gjithçka të lë përshtypjen e strofave të një poeme të trishtuar në skërkat e humbura të një vendi të humbur po aq. Gjuha, më së shumti, është kryemjeti që “vesh” artistikisht çdo karakter. Duket sikur autorja ka “shtrydhur” paq traditën më të mirë të rrëfimit letrar në shqip. Spikat përdorimi i fjalëve të rralla, shpesh edhe turqizma të shqipëruar e të përdorur me aq kolorit e natyrshmëri në të folmen e zonës së Tepelenës, nga vjen autorja. Në çdo paragraf e dialog vërshon një densitet i jashtëzakonshëm i dialektalizmave. Qëllimi i autores është që, nëpërmjet gjuhës së përdorur, të vërë në pah tipizimin, gdhendjen e pashoqe të dhjetëra karaktereve në episode të ndryshme. Në tablonë e punuar mjeshtërisht, spikat grija e thellë e dhimbjes, aty-këtu edhe penelata të lehta, të çelura, ku simbolizohet megjithatë jeta edhe me episodet e saj të bukura, si përshkënditje çasti në një qiell të mugët që të djegë oksigjenin. Është një dhimbje që ia ushqejnë njerëzit e vegjël, të një bote të vogël, mbetur e vjetër, e harruar si një parcelë eksperimentale. 


Në përshkrimin e saj ndërmerr një terapi që i kapërcen kufijtë e skërkave dhe e shtrin efektin duke operuar në një territor më të madh, që na shkon në mend se është vetë atdheu ynë. Gjithë ndodhitë që ngërthejnë tregimet, me zakonshmërinë, me përditshmërinë e përnatëshmërinë vijnë si kompozim i një rrëfimi të vetëm. Autorja ka ngjizur një tregim për gati çdo aspekt të jetës së përditshme të një province që nuk përfshihet në asnjë hartë. Në këtë këndpamje, tërë mozaiku vjen për lexuesit si një sagë e dashur, mbuluar me dhimbje që herë-herë merr edhe trajta shpotie dhe ironie me thelb dhembshurinë për fatet e njerëzve. Në këto tregime të lë mbresë mjeshtëria e rrëfimit, vendosja e personazheve në mjedise dhe në raporte që në ndërveprim thellojnë kontrastin e ngjarjeve dhe të njerëzve që i shkaktojnë dhe i përjetojnë ato. Në to dallohet lehtë zhbirimi i hollë psikologjik që realizohet paradoksalisht, mjeshtërisht po aq, me mjete të thjeshta, në dukje arkaike artistike. Sipas mendimit tim, maja e gërshetimit të gjithë arsenalit artistik në funksion të realizimit të një ngjarjeje të vetme, është tregimi “Ndjesa fatale”. Vdekja e bartësit të një lufte të madhe me veten, për shkak të një keqkuptimi, vjen si një alarm i frikshëm i bjerrjes së moralit njerëzor të kohës ku jetojmë. Gjuha e përdorur, në pamje të parë, mund të na shpjerë gabimisht në përfundimin e përciptë se kjo është kultura gjuhësore e autores, por nuk është aspak kështu. 


Në botimet e mëhershme të autores, poezitë e saj janë të një natyre krejt tjetër gjuhësore, gati sintetike e në ndonjë teprim gati akademik. Po kështu romani “Fëmijëri e thinjur” karakterizohet nga një sens mase i përsosur kryqëzimi i gjuhës së qëruar dhe asaj pastorale të personazheve që jetojnë në qytet, por që origjinën e afërt e kanë në fshat. Kjo tregon më së miri se autorja është njohëse dhe manifestuese shumë e aftë e gjuhës si mjet artistik. Dhe se kemi të bëjmë me një shkrimtare “të ardhur si brumë i mirë”, që s’ka pritur botimet për t’u maturuar, por këtë proces ka nisur ta kryejë në heshtje, në akumulimin e përditshëm të shkrimtarit. Me këtë përmbledhje tregimesh duket sikur autorja e ka shtruar hapin në rrugën pa fund të letërsisë, që e ka nisur me hap të madh. Por, sigurisht, në një nivel të lartë artistik. Zhaneta Barxhaj është në mëngjesin e krijimit. Sigurisht që stadet e mëtejshme kanë nivele të reja, vështirësi të reja, befasi të reja që urojmë të na i sjellë të bukura!



Nga Arben Bllaci, redaktor 


Shënim: Librin e gjeni në libraritë fizike Albas (Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Preshevë) dhe online në këtë link; gjithashtu shumë shpejt edhe në Panairin e Librit.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

969 Lexime
6 muaj më parë