
“Gjëja që s’thotë asgjë”, reflektim mbi zbrazëtinë e fjalës në publik
Reflektim i Gjergj Nikollës mbi zbrazëtinë e shprehjes publike: fjalë si 'gjëja' përdoren si mbushëse që nuk thonë asgjë, duke varfëruar gjuhën. Autori na rikujton se shqipja është e pasur me fjalë të sakta e me nuanca, të cilat duhen përdorur për të folur bukur e me kuptim.
Besoj që edhe ju e keni vënë re një fakt: Disa intelektualë të mirënjohur, artistë, këngëtarë, analistë ekranesh, reporterë terreni e deri në shefa të zakonshëm, po përdorin në masë një fjalë që duket sikur është shpëtim për çdo kontekst të bisedave. Ajo fjalë për ta nënkupton shumëçka tjetër, duke mos qenë asgjë, por duke e bërë autorin e të shprehurit bukur disi qesharak para të tjerëve.
“Kjo gjëja,” – thotë njëri me pompozitet dhe diksion vibrant, gjoja sikur po shprehet bukur, ndërsa zgjat pa kuptim ca “ëëëëëë” të ndërsjella si një tingull mbushës, për të dalë nga situata… – “është një kryevepër e artit.” Për shumë teleshikues ose dëgjues të rastësishëm, ai jep idenë sikur di gjithçka, por në të vërtetë nuk di as për veten e tij.
“Ajo gjëja nuk i besohet kujtdo,” – thotë tjetra, teksa zgurdullon sytë përballë kamerës, pa mundur të buzëqeshë, sepse “ajo gjëja tjetër” që i ka futur buzëve dhe fytyrës nuk e lë të qeshë natyrshëm.
Para ca kohësh kam shkruar për urimin “shekullofsh” – një fjalë që sot, për fat të keq, gjen vend edhe tek ata që janë mësues gjuhe. Kemi po të njëjtit individë që tani po sjellin “këtë gjënë e re”, duke e ndërkallur kudo, vend e pa vend, dhe që në fakt nuk sjell asgjë të mirë në dobi të të shprehurit bukur.
Shqipja është gjuhë e lëngshme, dhe s’ka nevojë të kthehet në një gjuhë lëngaraqe. Ajo ka një shtrat të pasur për fjalë të reja, që lindin natyrshëm nga vetë evolucioni i gjuhës në brendi; për ata që dinë t’i sjellin me kujdes, jo për ata që flasin bukur duke mos thënë asgjë prej gjëje.
Në vend të kësaj ose të asaj “gjësë”, gjuha jonë na jep aq shumë sinonime, po aq përzgjedhje me nuanca kuptimore e shprehëse, ku secili prej nesh ka se çfarë të kërkojë dhe, për pasojë, çfarë të thotë. Kurse “gjënë e tepërt”, le ta lëmë në gjënë e saj, që të shekullohet!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Emrat asnjanës dhe gabimet tona me ta
Irida Xhura: “Em dash”, shenja e pikësimit që po na e imponon ChatGPT-ja
Keqpërshtatja e ndajshtimit me gjymtyrën që përcaktohet