Intervistë me Ardian Cergën për romanin e ri "Let It Be...": "Ëndrra ishte pikërisht liria"

Në romanin “Let It Be...”, botuar nga Albas, Ardian Cerga rikthen Shqipërinë e viteve ’70 përmes historisë së një brezi mes ëndrrave, dashurisë dhe mungesës së lirisë. Në këtë intervistë, autori rrëfen kujtimet dhe personazhet që formësuan librin.


Një brez i rritur mes ëndrrave për lirinë dhe kufijve të një kohe që nuk i la të zgjedhin. Një histori rinie, dashurie, kujtese dhe humbjesh, që rikthen në vëmendje Shqipërinë e viteve ’70. Në romanin e tij më të ri, “Let It Be...”, botuar së fundmi nga shtëpia botuese Albas, shkrimtari Ardian Cerga ndërton një rrëfim ku përvojat intime të personazheve ndërthuren me realitetin historik dhe shoqëror të një periudhe të trazuar. Përmes Ronit dhe njerëzve që e rrethojnë, autori sjell jo vetëm botën e një adoleshenti që kërkon të kuptojë veten dhe të tjerët, por edhe portretin e një brezi që u gjend mes shpresave të një kohe dhe zhgënjimeve të asaj që pasoi.




Në këtë bisedë për Portalin Shkollor, Ardian Cerga ndalet te ngjarjet dhe personazhet e romanit, te kujtesa personale që ushqen rrëfimin, te vendi që zë liria në jetën e brezit të tij, por edhe te marrëdhëniet njerëzore, dashuria dhe përplasjet mes brezave. Një bisedë për librin, por edhe për një kohë që, ndonëse i përket së shkuarës, vazhdon të jetojë në kujtesën e atyre që e përjetuan.




Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku

Me kontributin e Artemisa Bushit, redaktore e librit.





Titulli “Let It Be...” lidhet natyrshëm me një këngë dhe me një shprehje që mbart idenë e pranimit. Çfarë kuptimi ka ky titull për ju dhe çfarë lidhjeje ka me thelbin e romanit?


Nuk duhet harruar se bëhet fjalë për një kontekst dhe një kornizë historike, mbi të cilën është mbështetur e gjithë vepra. “Let It Be...” në vitet ’70, përveç kuptimit që mbart vetë shprehja, ishte edhe një lloj simboli për adoleshencën dhe rininë e atyre viteve. Nuk duhet të harrojmë se, ashtu siç edhe nis romani, ai u dedikohet të gjithë lexuesve, pa dyshim, por i referohet veçanërisht gjeneratës sime, brezit tim, i cili kaloi nëpër tri periudha nga më të çuditshmet të historisë.


Ishte një brez që u rrit paralelisht me zhvillimet e pas Luftës së Dytë Botërore, me ato që ndodhën brenda ish-kampit socialist. Deri diku, deri rreth viteve ’70, pati një lloj “bumi”, një lloj “mirëqenieje” në të gjitha aspektet. Brezi im e kaloi fëmijërinë pikërisht në këtë fazë, por papritur, pas Plenumit të famshëm të vitit 1973 dhe më pas me zhvillimet që pasuan, përfshirë edhe grupin e gjeneralëve, ndodhi bllokada totale e Shqipërisë.


Kështu që termi “Let It Be...”, përveç të tjerave që përmenda, mbart edhe thelbin e vet, atë që simbolizonte dhe përcillte në atë kohë.


Në faqet e para, Roni shfaqet si një i ri që, ndonëse ndodhet mes shokëve, duket i tërhequr në botën e vet, i mbushur me pikëpyetje dhe pasiguri. Sa nga vetja juaj ka në këtë personazh? Sa është kujtesë personale dhe sa trillim letrar në roman?


Nuk mund të krijohet një vepër artistike pa emocione e mbresa, pa pasur të ruajtur në kujtesë, madje edhe në fotografi fizike, një periudhë të historisë që i përket pikërisht adoleshencës së atyre viteve.


Ngjarjet janë të trilluara. Kuptohet, është një vepër fiksionale (të trilluar). Është e pamundur t'u shmangesh elementeve biografike, jo vetëm për faktin se rrëfimi zhvillohet në vetën e parë, sepse kjo nuk do të thotë se gjithçka është autobiografike. Por është edhe fakti tjetër se bëhet fjalë për përvoja që ti vetë i ke kaluar në jetë dhe, do apo s'do, në një moment të caktuar ato materializohen në kujtesën tënde, por edhe në kujtesën e gjithë mjedisit që të rrethon. Kështu ndodh konkretisht edhe në këtë roman. Pra, nuk kemi të bëjmë thjesht me një trillim, por me një vepër të mbështetur në kujtesën emocionale të atyre viteve.



Personazhet e romanit kanë karaktere të ndryshme, por i bashkon një realitet që nuk u ofron shumë mundësi për të zgjedhur të ardhmen e tyre. Cili prej tyre ju ka sfiduar më shumë gjatë procesit të shkrimit?


Për sa u përket personazheve të romanit, nëse i referohemi pyetjes suaj se cili prej tyre më ka sfiduar më shumë, padyshim që përgjigjja është personazhet femra, si Tina dhe mamaja.


Nuk duhet të harrojmë se bëhet fjalë për një periudhë kur, në Shqipëri, realisht nuk ishte e zakonshme të shihje një femër të ulej në një lokal, të pinte një cigare apo thjesht të kalonte kohën në një ambient të tillë. Pra, ishte një problem shumë i madh. Përveç kësaj, nuk duhet të harrojmë se edhe në mentalitetin shqiptar, sot e kësaj dite, figura e femrës nuk vlerësohet gjithmonë siç duhet dhe aq sa duhet. Këto përbënin vështirësinë kryesore në ndërtimin e personazheve dhe në përcaktimin e qëndrimit ndaj tyre.



Një nga temat që përshkon romanin është liria, e parë përmes syve të të rinjve që ëndërrojnë të jetojnë ndryshe. A ishte kjo ndjesi e mungesës së lirisë një nga përjetimet më të forta të brezit tuaj?


Po, pa dyshim. Siç e shpjegova edhe në fillim, jetuam në një periudhë të caktuar historike. I referohem pikërisht ngjarjeve konkrete të romanit, të cilat zhvillohen në vitin 1976. Bëhet fjalë për një adoleshencë që e kishte kaluar fëmijërinë në një lloj “lirie”, e cila ndihej në rrugë, në mënyrën se si jetonim, në mbrëmjet e vallëzimit dhe në muzikën që dëgjohej lirisht.


Madje, në vitet ’70 u vendosën edhe përforcues për antenat, me qëllim kapjen e valëve televizive dhe mundësinë për të parë “Rai”-n. Është e vërtetë se jo të gjithë kishin shansin dhe mundësinë të kishin televizor, por një pjesë e shoqërisë e kishte këtë mundësi.


Dua të them se, pasi ishim rritur me këto lloj “lirish”, ajo që ndodhi papritur, vetëm pak vite më vonë, ishte përtej çdo pritshmërie. 


Pa dyshim, ëndrra ishte pikërisht liria, sepse ajo u privua.



Në roman shfaqen Beatles, The Doors, Woodstock, muzika perëndimore dhe shumë simbole të tjera të një bote që për të rinjtë shqiptarë ishte pothuajse e paarritshme. Çfarë përfaqësonte Perëndimi për atë brez?


Për sa i përket botës së muzikës, Beatles, The Doors, Woodstock-u etj., jo vetëm ne, por e gjithë bota i kishte kthyer sytë nga Perëndimi. Le të mos harrojmë se revolucioni kulturor nisi në Amerikën e viteve ’60, me lëvizjet për ndryshim, me luftën për të drejtat civile dhe figurën e Martin Luther Kingut, me shfaqjen apo daljen në modë të minifundit dhe me lëvizjen e famshme të grave të atyre viteve në Amerikë.


Ajo që, le të themi, i vuri kapakun gjithë kësaj ishte Woodstock-u, ku njerëzit u zhveshën në të gjitha kuptimet e fjalës: u zhveshën nga dhuna psikologjike, nga dhuna e luftërave dhe nga njëra pasojë e rëndë e tjetrës. Woodstock-u u kthye në simbolin real të asaj që quhej demokraci, liri dhe, mbi të gjitha, të mënyrës se si duhej të ishte vetë jeta.



Njohja me Tinën shënon një kthesë në botën emocionale të Ronit. Dashuria e tij lind me gjithë pasigurinë, idealizmin dhe vrullin e një moshe kur gjithçka përjetohet për herë të parë. Çfarë keni synuar të zbuloni përmes kësaj marrëdhënieje?


Njohja me Tinën shënoi një kthesë në kohën tonë, pa dyshim. Sot, marrëdhëniet djalë-vajzë kanë marrë një zhvillim tjetër, kanë një orientim dhe një qasje tjetër. Në ato vite, një marrëdhënie e tillë ishte e ndaluar, ishte pothuajse një sakrilegj. Marrëdhënia e një djali me një vajzë zhvillohej gjithmonë në mënyrë klandestine dhe, sipas opinionit të kohës, ose duhej të përfundonte në martesë, ose në të kundërt duhej të merreshin masa.


Për më tepër, në rastin e personazhit kryesor, nuk duhet të harrojmë se kemi të bëjmë me një trillim artistik, por edhe me një lloj të panjohure, e cila, në fund të fundit, përbën fillin që përshkon gjithë romanin. Kemi të bëjmë me thelbin e mënyrës së të menduarit të këtyre adoleshentëve. Po flasim për tre adoleshentë që përfaqësojnë një pjesë të mirë të të rinjve të asaj kohe, të ardhur nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. Secili prej tyre shfaq mënyrën e vet të të jetuarit, të menduarit dhe të qenit, gjë që, kam përshtypjen, nuk mungon në roman.



Paralelisht me historinë e dashurisë, Roni përjeton edhe ndarjen e prindërve. Marrëdhënia e tij me të atin është një prej linjave më të ndjeshme të romanit. Përmes saj shfaqet edhe konflikti mes dy brezave, por edhe nevoja e një djali për dashurinë, mirëkuptimin dhe praninë e babait. Pse i keni dhënë një rëndësi të veçantë kësaj linje të romanit?


Është një zgjedhje e autorit dhe nuk është aspak e rastësishme. Kjo linjë përbën pikërisht thelbin e së tërës. Ka një thelb ekzistencialist. Le të themi se, përveç faktit që historia është një spirale që përsëritet vazhdimisht, por asnjëherë nuk puqet, ekziston edhe një element tjetër shumë i rëndësishëm: konflikti dhe kontradikta që krijohen në një botë krejt të panjohur për një individ të asaj moshe, në ato kushte specifike.


Ndërkohë, atij i ndodh e kundërta e asaj që po bën: ai po rifillonte një jetë, por, në të njëjtën kohë, po mbyllej një tjetër. Ky ka qenë thelbi i zgjedhjes së autorit, kjo ka qenë ajo që dëshiroja të përcillja, sidomos në raportin me babain.


Siç e thashë edhe më parë, marrëdhënia me të ëmën është krejt ndryshe nga ajo që ka me babain. Kam përshtypjen se sot kjo marrëdhënie nuk funksionon më në të njëjtën mënyrë: babai është më i lidhur me vajzën sesa me djalin. Kjo ishte një zgjedhje e autorit dhe sapo shpjegova edhe arsyen.



Personazhi i Vollodias sjell një histori tjetër, të mbushur me dhimbje, humbje dhe zhgënjim. Përmes tij, Roni fillon të kuptojë se vuajtja nuk është vetëm pjesë e përvojës së tij. Çfarë roli luajnë personazhe të tilla në pjekurinë e protagonistit?


Personazhi i Vollodias përfaqësonte fatin tipik të intelektualëve, të asaj shtrese të shoqërisë që pas luftës solli në Shqipëri atë që përfaqësonte pjesën më të përparuar të shoqërisë së asaj kohe në botë dhe në Europë. Ata sollën dijen, mendimin dhe formimin e tyre, të fituar në universitetet europiane.


Nuk duhet të harrojmë se bëhet fjalë për studentët e viteve ’60, të sapodalë nga periudha e pasluftës. Në të njëjtën kohë, ky ishte edhe fati i një pjese të madhe të këtyre intelektualëve që u përballën me realitetin e asaj kohe.



Gjatë leximit bie në sy pasuria e përshkrimeve: peizazhet, atmosfera e plazhit, miniera, lokalet, rrugët dhe ambientet e kohës. Sa rëndësi ka për ju rikrijimi i atmosferës historike dhe deri në ç'masë përshkrimi ndihmon në ndërtimin e botës së personazheve?


Ky libër është një lloj kujtese historike e një realiteti, sado absurd, që përfshinte jetën sociale, morale, ekonomike dhe fizike të atyre viteve. Kam dashur të ruaj në kujtesën historike të Tiranës ato pamje që tashmë nuk ekzistojnë më, si rrugët dhe ambientet ku ka lëvizur personazhi.


Ky është, në fund të fundit, edhe qëllimi përfundimtar: që këto vende dhe pamje të mbeten në kujtesën historike.



Përfundimi i romanit lë vend për reflektim mbi fatin e personazheve dhe brishtësinë e jetës. Çfarë keni dashur të përcillni përmes këtij përfundimi?


Për fundin nuk dua të flas, sepse ai lidhet, le të themi, me dedikimin në fillim të romanit: me brezin tim, i cili njihet ndryshe edhe si brezi i humbur; një gjeneratë e djegur, një gjeneratë e përpëlitur nga fatet e historisë së atyre viteve.



Megjithëse romani trajton një periudhë historike të caktuar, shumë prej dilemave të personazheve duken universale. Çfarë mendoni se mund të gjejnë te Roni dhe shokët e tij lexuesit e rinj të sotëm, të cilët jetojnë në një realitet krejt tjetër?


Romani trajton pikërisht këtë: zhvillohet brenda një kornize të caktuar historike, por shumica e dilemave nuk kanë si të mos jenë universale. Në fund të fundit, ekzistenca, në çfarëdo pozicioni që të ndodhet një shoqëri, mbetet e njëjtë në raport me kërkesat e momentit.


Sa i përket asaj që një brez i sotëm duhet të përpiqet të gjejë te këta personazhe, mendoj se është krijimi i një identiteti, i një personaliteti të aftë për t'u bërë zot i mendimit dhe i jetës së vet.



© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

46 Lexime
21 orë më parë