Kërkimet shkencore, mblidhen në Tiranë përfaqësues të arsimit të lartë të vendeve të BE
Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini: “Erasmus Plus, hap universitetet ndaj perspektivave dhe informacioneve të reja në auditorë dhe laboratorë të kërkimit shkencor”.
Rreth 250 përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë nga shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar dhe krijuar partneritete në mënyrë që të rritet sasia dhe cilësia e aplikimeve të përbashkëta në kuadrin e programit të shkëmbimit “Erasmus+”. Qëllimi i këtij seminari është rritja e numrit të aplikimeve brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor për propozime “Erasmus +” duke ofruar mundësi konkrete për rrjetëzim. E pranishme në hapjen e këtij seminari të radhës ishte Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini, e cila së bashku me Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca, i uruan mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja Shahini duke nënvizuar kontributin që sjell programi “Erasmus+”, u shpreh se në thelb të tij qëndron shkëmbimi i studentëve dhe pedagogëve që detyrimisht çon te hapja e universiteteve ndaj perspektivave dhe informacioneve të reja në auditorë dhe laboratorë të kërkimit shkencor. Ndër të tjera, Ministrja Shahini u ndal edhe tek protesta e studentëve vitin e kaluar.
Pasi theksoi rëndësinë e tyre, ajo u shpreh se shumica e shqetësimeve kanë marrë tashmë zgjidhje teksa përmendi disa prej tyre: “Ne filluam të zbatojmë politika të reja për të mbështetur universitetet dhe ndërtuar kapacitete kërkimore. Pra, kemi shumë grante të reja për infrastrukturën kërkimore. Kemi siguruar qasje në bibliotekën digjitale për të gjithë studentët dhe akademikët në Shqipëri. Ata kanë mundësi të përdorin miliona artikuj dhe revista akademike falas. Kjo mënyrë i ndihmon universitetet, studentët dhe komunitetin akademik për të çuar më tej kapacitetet e tyre kërkimore”- tha Ministrja Shahini.
(Portali Shkollor)
Marina Kërçeli: Unë studentja e “vrarë”...
Komiteti merr vendimin: Hapen auditorët për konsultime dhe provime
Një risi në Universitetin e Tiranës dhe jo vetëm