Të lexojmë me Albas

“Koni, Pauli dhe problemet me shoqërinë”

Shtëpia Botuese Albas, në kuadër të projektit “Takohemi për një libër”, realizoi një aktivitet kushtuar librit për fëmijë, në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare “Ramazan Jarani” në qytetin e Tiranës.

Shoqëria është diçka fantastike! Me shokët dhe shoqet mund të kalohet koha mjaft mirë, të bëhet shaka, të ndërmerret diçka, mund t’u besosh sekrete, të ndash dëshirat, të bësh kifle dhe shumë e shumë gjëra të tjera.

Por çfarë ndodh kur një shoqe ose një shok ka nevojë për ndihmë, sikurse Pauli në këtë libër? Ai ka ndjesinë, sikur të gjithë i janë hedhur kundër dhe po i zënë frymën. Prandaj ai mbyllet në vetvete dhe do vetëm që talenë të qetë. Nga dëshpërimi nuk arrin ta kuptojë që të tjerët duan veçse ta ndihmojnë.

Për fat të mirë Koni dhe shoqet e saj i qëndrojnë pranë dhe kujdesen për të. Në fund të fundit, shoqet dhe shokët për këtë janë po jo? - shkruan Dagmar Hobfeld, autorja e aventurave të Konit dhe shokëve të saj, serisë së librave për fëmijë, të cilët janë sa edukues po aq edhe të bukur për t’u lexuar dhe pasur në bibliotekat e shtëpive dhe shkollave tona.

Shtëpia Botuese Albas, në kuadër të projektit “Takohemi për një libër”, realizoi një aktivitet kushtuar librit për fëmijë, në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare “Ramazan Jarani”në qytetin e Tiranës.

Me ftesë të drejtorit të shkollës Ilirjan Kalemasi dhe mësueseve të departamentit të gjuhës dhe leximit ne shkuam në shkollën “Ramazan Jarani”, ku u takuam me nxënësit e pasionuar pas letërsisë, në bibliotekën e shkollës. “Libri dhe leximi, gjithmonë do të jenë drejtuesit tanë më të mirë, kah rruga e dijes dhe së bukurës, pasi është libri ai që na zbulon botën, dhe na mundëson kuptimin e shumë pyetjeve që ne i ndërtojmë vetes në marrëdhënie me shoqërinë”, - u theksua nga nxënëset e kësaj shkolle, të cilët kishin përgatitur edhe një kolazh me poezi të Nënë Terezës, dhe poetit Dritëro Agolli.

Ajo që na bëri përshtypje ishte pasioni dhe dashuria me të cilën ata flisnin për librat dhe mesazhet e përcjella prej tyre. Nxënësit nën drejtimin e mësueses Rudina Xhamxhiu e realizuan këtë aktivitet letrar pikërisht për të na uruar mirëseardhjen dhe njëkohësisht për të na dëshmuar, lidhjen e tyre të fortë me botën e librit.

Pas interpretimit të pjesëve të zgjedhura prej tyre, nxënësit kaluan menjëherë tek leximet, pyetjet dhe diskutimet në lidhje me problemet sociale që seria e botimeve të Konit, të shkrimtares gjermane për fëmijë, Dagmar Hobfeld nga shtëpia botuese Albas, u mundëson fëmijëve të sotëm, duke i drejtuar ata kah rëndësia e vlerave sociale dhe edukative të këtyre librave.

“Shoqëria, ashtu si në librin “Koni, Pauli dhe problemet me shoqërinë”, është diçka fantastike! Me shokët dhe shoqet mund të kalohet koha mjaft mirë, të bëhet shaka, të ndërmerret diçka, mund t’u besosh sekrete, të ndash dëshirat, të bësh kifle dhe shumë e shumë gjëra të tjera”, - u shpreh një prej nxënëseve e cila po ashtu kishte shkruar një ese me temën “Miqësia”, të cilën ne së shpejti do ta kemi edhe në rubrikën e shkrimeve të krijuara nga nxënësit për Portalin Shkollor Albas.

Albas në kuadër të projektit “Shqipëria Lexon” do të vijojë me leximet e librave për fëmijë në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar publik dhe privat.

(Portali Shkollor)

4,053 Lexime
7 vjet më parë