Sugjerime librash

Librat që duhet të lexoni këtë dimër, sugjeruar nga ALBAS

Këta janë disa prej librave idealë për t'u lexuar gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Vijnë të sugjeruar nga Shtëpia Botuese Albas.

Stina e dimrit bëhet e dashur kur brenda shtëpisë tuaj koha kalohet ngrohtë dhe bukur, duke lexuar një libër të mirë. Shoqëruar me një filxhan çaji a kafeje, librat që ALBAS sugjeron do t’ju mbërthejnë me realitetin për jetën, filozofinë, absurdin, teksa do ju mbushin me ndjenjën më të veçantë pasi t’i keni lexuar; ide dhe botëkuptime të reja. 



“Shtatë të çmendurit” nga Roberto Arlt (Përktheu ne shqip Erion karabolli) 

Shtatë të çmendurit është vlerësuar unanimisht prej kritikës si kryevepra e Roberto Arlt-it. Në të, autori prek dhe shtjellon disa nga problemet e shtruara prej ekzistencializmit filozofik. Çështjet morale, vetmia, ankthi përballë pakuptimit të jetës dhe trishtimi ndaj vdekjes janë tema që përsëriten në arkitekturën metafizike të personazheve të romanit. Është një kritikë e mprehtë shoqërore e Argjentinës së viteve njëzet. Romani është i mbushur me monologë, që i shtyjnë personazhet në disa përsiatje, njëherazi të lajthitura dhe të mençura, në të cilat shtrohet çështja e çmendurisë absolute të shoqërisë, mizorisë së kapitalizmit, ftohtësisë së industrializimit dhe teknologjisë, duke i vënë ato në kontrast me dobësinë dhe brishtësinë e njeriut të vdekshëm që i ka krijuar. Autori depërton në vramendjet metafizike universale, çka e bën veprën t’i kapërcejë hendekët kohorë. Shtatë të çmendurit përbën pjesën e parë të dilogjisë së jashtëzakonshme, që përmbyllet me romanin Flakëhedhësit. 



“Një tjetër det” nga Claudio Magris (Përktheu në shqip Mimoza Hysa)

Me një rrëfim të përkore dhe të mprehtë, të ritmuar prej peshës së fakteve, përmes një shkrimi epik dhe thelbësor, Magris tregon historinë e një dashurie për jetën, që natyrshëm të çon në pamundësinë e të jetuarit, një parabolë që sjellë në kujtesë odisenë e ikanakëve të tjerë të mëdhenj të letërsisë dhe të kulturës moderne. 



“Kukulla mbretëreshë” nga Carlos Fuentes (Përktheu në shqip nga Bajram Karabolli) 

Kjo vepër thelbësore e letërsisë meksikane përmban shtatë tregime, të cilat demaskojnë dobësitë dhe cinizmat, ku puqen dëshira dhe dashuria, incesti, tradhtia bashkëshortore dhe takimet e shthurura; midis tyre “Kukulla mbretëreshë”, “Dy Elenat” dhe “Një shpirt i kulluar”.



“Heshtja” nga Don DeLillo (Përktheu në shqip Anxhela Cikopano) 

Është e diela e finales së Kampionatit të Futbollit Amerikan, Super Boël 2022. Pesë njerëz, darkë, një apartament në lindje të Manhatanit… Profesoresha e fizikës në pension, i shoqi dhe një ish-student i saj po presin t’u bashkohet një çift, pas atij që shndërrohet në një fluturim tronditës nga Parisi. Biseda luhatet mes një teleskopi studimor në qendër të veriut të Kilit, një marke të preferuar uiski dhe “Dorëshkrimit të Teorisë Speciale të Relativitetit”, të shkruar nga Ajnshtajni më 1912. Pastaj diçka ndodh dhe lidhjet digjitale që na kanë tjetërsuar jetën, shkëputen.



“Teposhte” nga Herta Müller (Përktheu në shqip Anna Kove) 

Vëllimi me tregime Teposhte është vepra e parë e nobelistes Herta Müller. Këto tregime janë kryesisht autobiografike, të bazuara në fëmijërinë e autores në fshatin rumun Banat. Vepra mban emrin e tregimit më të gjatë të përmbledhjes, por, në të njëjtën kohë, Teposhte mund të kuptohet edhe si shthurje morale e vetë personazheve. Në këto tregime thyhet idili i familjes rurale, kur na tregohet për një fëmijëri pa gëzim, shpesh edhe brutale, si dhe për epshin, alkoolizimin dhe lakminë e të rriturve. Përmes një ndërthurjeje të realitetit dhe të fantazisë, të maktheve dhe të qeshurave “të errëta” na zbulohen përshtypjet e një fëmije për jetën, si dhe jeta e trazuar në diktaturën e Çausheskut në Rumani.




Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

991 Lexime
1 vit më parë