
“Libri që përktheva”, aktiviteti i Albas-it në Panairin e Librit të Prishtinës: Një udhëtim në shpirtin e fjalës shqipe
Në Panairin e Librit në Prishtinë, ALBAS organizoi një panel me përkthyes të njohur, si: Anna Kove, Primo Shllaku, Sokol Çunga e Granit Zela. Ata folën për sfidat dhe kënaqësinë e përkthimit të veprave botërore në shqip, duke sjellë jo vetëm fjalët, por edhe shpirtin e autorëve.
Nga Nanila Allkja Biçaku
Në Pallatin e Rinisë, në zemër të Prishtinës, një aktivitet kulturor mblodhi përkthyes të njohur shqiptarë nën kujdesin e shtëpisë botuese ALBAS, e cila këtë vit feston 25 vjet të përkushtimit ndaj fjalës, përkthimit dhe botimit. Në një atmosferë të ngrohtë e reflektuese, u zhvillua takimi “Libri që përktheva”, një bisedë e hapur mes përkthyesve dhe lexuesve, një rrëfim për përkthimin si art, sfidë dhe pasion.
Moderatorja Rita Petro, botuese dhe vetë një zë i fuqishëm i letrave shqipe, hapi aktivitetin me ndjeshmëri e vlerësim për kontributin e përkthyesve, të cilët, sipas saj, “sjellin jo vetëm fjalët, por edhe ndjesitë, ritmin dhe shpirtin e autorëve botërorë në gjuhën shqipe”.

“Unë ndihem shumë e nderuar si Rita, por edhe shumë e vlerësuar si Shtëpi Botuese Albas, që na keni nderuar dhe jeni bashkë me ne sot në një panel përkthyesish të njohur...” – theksoi ajo, duke përmendur emrat e Anna Koves, Sokol Çungës, profesor Primo Shllakut, dhe Granit Zelës.
Me shumë respekt, ajo foli edhe për mikun e panelit, Ag Apollonin, këtë herë jo si shkrimtar, por si studiues dhe njohës i thellë i letërsisë: “...më vjen mirë që pranë meje është Ag Apolloni, por këtë radhë jo si botues dhe shkrimtar, por si studiues, si profesor i letërsisë dhe që e njeh aq thellë letërsinë e sotme bashkëkohore botërore dhe atë klasike.”
Petro theksoi rëndësinë e përkthimeve që ALBAS ka sjellë ndër vite, duke i cilësuar “ngjarje” të mëdha kulturore për bibliotekat shqiptare. Një vëmendje e veçantë iu kushtua ribotimit të “Don Kishotit”, me dy vëllime të përkthyera nga Bajram Karabolli, si një moment i rrallë dhe historik në përkthimin shqip: “Ne mundemi të sjellim kryevepra të tilla, si ‘Don Kishoti’, që vjen pas 100 vjetësh në përkthimin tonë... një pasuri e madhe që krijon Shtëpia Botuese Albas për bibliotekat, qoftë ato personale, qoftë ato shtetërore.”
Ag Apolloni, me stilin e tij reflektues, solli një thënie të George Steiner:
“Pa përkthimin, ne do të ishim shumë provincialë.”
Ai theksoi rëndësinë e përkthimeve cilësore si formë e domosdoshme për të qenë pjesë e letërsisë dhe kulturës globale. “Letërsia imponohet vetëm me dashuri... dhe përkthimet, sidomos të autorëve botërorë, janë shumë të rëndësishme për të ardhur ashtu siç kanë ardhur në shqip.”

Duke folur për autorët klasikë, ai shtoi: “Pse e përkthejmë Aristotelin? Sepse ai di më shumë se ne të gjithë së bashku. Është një mendje gjeniale, me rëndësi enciklopedike. Ne kemi nevojë për të.”
Fjalën më pas e mori përkthyesi i njohur Primo Shllaku, i cili ka sjellë në shqip disa nga veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore, të botuara nga ALBAS si, "Lulet e së keqes" nga Charles Baudelaire, "Metamorfoza" nga Franz Kafka, "Xha Gorioi" nga Honoré de Balzac, "Katedralja Shën Mëria e Parisit" nga Victor Hugo, dhe "Zonja Bovari" nga Gustave Flaubert.

Ai rrëfeu se kishte punuar për një periudhë 50-vjeçare mbi përkthimin e Luleve të së Keqes në gegnisht dhe se kur ia propozoi botueses Rita Petro, ajo nuk hezitoi. Shllaku theksoi edhe rëndësinë e madhe të përkthimit në dialektin e veriut, si pasurim në kulturën e përkthimit të shqipes. Gjithashtu ndau përvojën e tij me përkthimin e Zonjës Bovari, të cilin e cilësoi si një sfidë, për shkak të përkthimit të mëparshëm që kishte qenë i mirë. Për Shllakun, ripërkthimi i klasikëve ka ardhur tani në mënyrë të plotë, çka e bën këtë proces tejet të rëndësishëm.
Në lidhje me këtë, Rita Petro theksoi se nxënësit në shkolla kanë nisur t’i lexojnë më shumë këta tituj klasikë, jo vetëm për shkak të programit shkollor, por edhe falë përkthimit mjeshtëror që ka bërë Shllaku.

Granit Zela, i njohur për përkthimin mjeshtëror të tetralogjisë “Lepur Herri Engstrëmit” nga John Updike dhe veprës “Zonja Osmond” të John Banville nga Albas-i, rrëfeu për sfidat estetike që sjell përkthimi letrar.
Moderatorja Rita Petro vlerësoi mjeshtërinë e tij, duke iu drejtuar me një pyetje interesante: “Skena erotike unë nuk kam lexuar nga autor me një virtuozitet të tillë, si një sinfoni… Si ke arritur ta realizosh në shqipen tonë një sinfoni të tillë, që fillon fjalia dhe ka një pasuri e një elegancë të jashtëzakonshme?”

Zela, i cili ka fituar edhe çmimin si përkthyesi më i mirë i vitit 2020 për titullin “Lepur vrapo” nga tetralogjia e sipërpërmendur, u përgjigj me thjeshtësi: “Besoj nga leximet që kam bërë prej një periudhë 20-vjeçare, leximet e përkthimeve në gjuhën shqipe dhe leximet e autorëve shqiptarë.”
Sokol Çunga solli një moment të veçantë duke lexuar nga përkthimi i tij më i fundit, “Sapfo”, vepër që vjen për herë të parë në shqip nën përkujdesjen e ALBAS.

Përveç kësaj, Çunga është edhe përkthyes i veprave themelore të letërsisë antike, si: Poetika e Aristotelit, Antigona dhe Edipi mbret nga Sofokliu dhe Antologjisë Palatine.
Përkthimi i këtyre autorëve, siç theksoi Ag Apolloni, është një domosdoshmëri kulturore: “Duhet ta mësojmë atë gjuhë të vdekur, ta kthejmë në një gjuhë të gjallë. Dhe këtë na e ka mundësuar Sokoli.”
Anna Kove, një nga përkthyeset më të vlerësuara nga gjermanishtja, ndau ndjesitë e saj për përkthimin e autorit nobelist Günter Grass: “Përkthimi i Günter Grass-it është vërtet nga ato dashuri që më ka lodhur, më ka mundur, por si rrallë dashuritë, edhe ma ka shpërblyer.”

Me mbi 30 vepra të përkthyera, ajo shpjegoi se puna me trilogjinë e “Dancingut” ishte një përvojë sfiduese dhe e thellë. Rita Petro kujtoi çmimin që Kove fitoi në Panairin e Librit “Tirana 2023” për “Daullen prej llamarine”, duke e përmendur me krenari.
Kove u shpreh: “Po, por jo vetëm për hir dhe thjesht të çmimit, por edhe për kënaqësinë e madhe që më ka sjellë përkthimi i një libri të tillë.”

Ajo falënderoi shtëpinë botuese Albas për mbështetjen e vazhdueshme dhe vlerësimin për përkthyesit:
“Na është krijuar komoditeti për të qenë përkthyes shumë të vlerësuar. Fakti që jemi këtu është një shenjë vlerësimi që kjo shtëpi tregon për punën tonë.” Duke përfunduar: “Ishte koha që Günter Grass të vinte në shqip, dhe pata fatin të jem unë përkthyesja e kësaj vepre.”

Ky aktivitet i ALBAS-it, i kthyer tashmë në një traditë kulturore, nuk ishte thjesht një festim i përkthimit, por një dëshmi e gjallë se si gjuha shqipe, në duart e përkthyesve të përkushtuar, vazhdon të jetojë, të pasurohet dhe të reflektojë vlerat më të larta të letërsisë botërore. Në një kohë ku fjala është më e nevojshme se kurrë, “Libri që përktheva” ishte një thirrje për t’u kthyer te libri, për të ndier thellësinë e përkthimit dhe për të vlerësuar punën e heshtur, por thelbësore të përkthyesve tanë.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
Albas fiton Çmimin për Vepër Kapitale në Prishtinë me kolanën e Petro Markos
Albas organizon panel të veçantë të përkthimit në Panairin e Librit në Prishtinë, më 12 qershor