INTERVISTË MBI LETËRSINË PËR FËMIJË

Luan Rama: Nuk mund të ketë letërsi të madhe, pa ekzistencën e një letërsie për fëmijë

Luan Rama, fitues i çmimit "Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letarare për fëmijë" me romanin "Udhëtim drejt Planetit Arbër", vjen në një intervistë për Portalin Shkollor Albas.

- Çfarë përfaqëson për ju letërsia për fëmijë?


Letërsia për fëmijë është ajo letërsi që do të mbijetojë gjithnjë, pasi është një letërsi që ka gjithnjë të ardhme. Të gjithë letrarët e mëdhenj të botës apo artistët nuk kanë lindur vetvetiu. Pothuaj të gjithë shkrimtarët e mëdhenj në kujtimet e tyre flasin për heronjtë e fëmijërisë, të cilët i rrëmbenin dhe i çonin në një botë tjetër, duke u përpjekur t’u përngjanin. Pra, nuk mund të ketë një letërsi të madhe e mbresëlënëse pa ekzistencën e një letërsie për fëmijë. Të gjithë ne kemi patur heronjtë tanë të dashur, që nga përrallat e vjetra e gjer tek letërsia e shkruar kombëtare e letërsia botërore. Ja pse në intervistat e tyre shkrimtarët flasin gjithnjë për librat që kanë gjurmë të thella në shpirtrat e tyre dhe i kanë fryëmëzuar ata.



- Cilat janë ato vlera universale që ngërthehen në krijimin tuaj?


Në të gjitha llojet e letërsisë për fëmijë apo të rritur, në të gjitha llojet e arteve ajo që ka rëndësi parësore veç talentit është karakteri i tyre universal, me një fjalë karakteri i tyre humanist, ajo çka i shërben shoqërisë njerëzore dhe që prek njëherësh si një fëmijë shqiptar, një ballkanas, një europian ashtu dhe një latino-amerikan apo fëmijët e ishujve të Paqësorit. Princi i vogël i shkrimtarit francez Ekziperi është një libër që është përkthyer në gjuhë të shumta të botës dhe është një nga romanet më të parapëlqyera të fëmijëve. Ja pse në veprat më të mira të letërsisë botërore, ajo që i bën ato të pëlqyeshme dhe të dobishme është universaliteti, lufta për progresin, solidariteti, lufta e së mirës kundër të keqes, anti-militarizmi, përsosja e njeriut. 


Romani "Udhëtim drejt planetit Arbër", është një roman ku mplekset realja e përditëshme e fëmijëve tanë dhe imagjinarja, pasi në qendër janë një grup i vogël shkollarësh të cilët janë të apasionuar pas astronomisë, botës qiellore, galaksive, kërkimit të astronauteve për të gjetur planetë të tjerë të banueshëm në morinë e miliona konstelacioneve të hapësirës kozmike. Siç dihet në janar, Akademia e Shkencave të Shqipërise caktoi sipas kërkesës së instancave botërore mbi hapësirën qiellore emrin e një planeti të largët, i cili tashmë do të quhet në të gjitha hartat botërore me emrin Arbër. Eshtë një planet i largët prej 634 vjetësh i cili vërtitet rreth yllit që tashmë quhet Illyrian. Dy emra që i grishin këta katër fëmijë për të njohur botën qiellore dhe të fshehtat e saj të shumta, jetën e yjeve dhe kometave, misionet e NASA-s dhe sakrificat e mëdha njerëzore, siç janë përpjekjet e astronautëve për të shkuar në Hënë dhe tashmë në Mars. Dhe udhëtimi imagjinar i këtyre fëmijëve është plot me të papritura… 


Ajo që është universale në këtë rast është që këta fëmijë, qoftë dhe në imagjinatë duan të ecin në gjurmët e atyre njerëzve që donin të njihnin enigmat e botës, fenomenet tokësore e jashtëtokësore, siç ishin Galileo, Xhordano Bruno e shumë të tjerë që ishin shembuj të gjallë të vetmohimit për shkencën, që e vërteta dhe dijet të triumfojnë, që njeriu t’i njohë fshehtësitë e tokës dhe të qiellit, për t’i zotëruar ato në dobi të tij, të jetës, të së ardhmes së njerëzimit, pra të vetë ekzistencës njerëzore. Sot qendrat spaciale në hapësirë na japin mundësinë të parashikohen katastrofat e mëdha, të vëzhgohen ndryshimet klimatike, të parashikohen ciklionet, cunamet apo rënia e asteroidëve në tokë në mënyrë që ato të përballohen…



- Sa motivues është çmimi që sapo keni marrë?


Çmimet zakonisht janë shumë motivues për shkrimtarët e rinj që ata të krijojnë akoma më mirë dhe të përkushtohen akoma më shumtë në artin e krijimit, duke eksploruar tema interesante të botës fëminore. Që herët, letërsia për fëmijë ka qenë shumë e dashur për mua, edhe pse sot peshën më të madhe të krijimeve të mia e zenë poezitë, romanet, libri historik apo esetë mbi artin. Pikëtakimi im i parë me letërsinë për fëmijë ka qenë kur në Kinostudio shkruaja skenarë për filmat vizatimorë për fëmijë, çka ishte shumë pasionante pasi i shikoje personazhet e krijuara në lëvizje, në film, tek flisnin dhe përjetonin aventura të ndryshme. 12 skenarë filmash ishin një përkushtim jo i pakët. Por ka disa vjet tashmë që në sajë të bashkëpunimit me Rita Petron dhe ekipin e mrekullueshëm të saj në ALBAS, kam shkruar një mori librash si: Udhëtimnë botën e ngjyrave, Legjenda shqiptare, apo shumë libra të tjerë në kolanën Më quajnë siç janë librat e botuar Më quajnë Skënderbeu, Më quajnë Ismail Qemali, Më quajnë Onufri, Më quajnë mbretëresha Teuta, Më quajnë Aleksandër Moisi e po kështu librat për Tefta Tashkon, Ibrahim Kodrën Eqrem Cabej… Janë libra që shpalosin jetën e këtyre personazheve të historisë dhe artit tonë, përpjekjet dhe përkushtimet e tyre për Shqipërinë.



- Gjuha e veprës letrare për fëmijë ndryshon nga gjuha e veprës për të rriturit. Si është paraqitur në veprën tuaj stili artistik, figurat stilstike, tematika?


Sigurisht, gjuha në letërsinë për fëmijë është një gjuhë specifike, e lidhur me moshën e fëmijës, stadin e zhvillimit, etj, e megjithatë kërkesat letrare janë të mëdha: duhet talent, kulturë në të shkruar, aftësia për të hyrë në botën fëminore, pasi një fëmijë nuk flet si një i rritur dhe as nuk mendon si një i rritur, marrëdhëniet janë të tjera. Ja pse duhet ruajtur një lloj naiviteti që është i natyrshëm sipas moshave, pasi ata ende nuk i kanë bërë të tyret dijet, njohjen e enigmave të botës, çka në fund të fundit i jep tharmin një vepre letrare. Pra duhet të zgjedhësh temat e preferuara të fëmijëve. Kjo të mundëson që dhe ti të krijosh një stil të veçantë përmes figurave artistike dhe shprehjes së personazheve, ku e bukura qëndron kur operohet me të papriturën në tregim, çka krijon dhe emocione.



- Letërsia për fëmijë ndryshe quhet letërsi e magjisë apo e fantazisë. Çfarë vendi zenë në krijimtarinë tuaj elementët e fantastikes?


Elementet e fantastikes duhet të jenë parësore në letërsinë për fëmijë. Kam parasysh se në botën e tyre fëmijët që kur lozin me kukullat, ata flasin me to, u japin shpirt, i bëjnë bashkëudhëtarë të tyre në rrugën e jetës, në problemet e tyre familjare apo shoqërore, madje dhe në dëshirat e ëndrrat e tyre. Fëmijët shqetësohen kur kukullat janë “sëmurë”, kur ato përplasen diku, kur u humbin dhe i rigjejnë, kështu objekteve dhe kafshëve ata u japin karakteristika njerëzore, ata flasin, vuajnë si vetë fëmijët, marrin pjesë në aventurat e tyre, pra bëhen frymorë, hyjnë në botën fantastike, siç ka qenë shembulli i Pinokut që la aq gjurmë në botën tonë fëminore e që vazhdon gjithnjë e po kështu nëse kujtojmë aventurat e Princit të Vogël apo Cufon e Gaqo Bushakës që ka krijuar një botë më vete… Ja pse në letërsinë për fëmijë pëlqej fantastiken. Ndoshta dhe nga përrallat që dikur më tregonte gjyshja, të cilat nuk i kam harruar, pasi gjithnjë ato mbartnin një mësim për jetën, për dashurinë ndaj njëri-tjetrit, ndihmën. Ishin shprehje të filozofisë së popullit. Përmes fantastikes idetë transmetohen tek lexuesi akoma më fuqishëm se një letërsi prozaike, e zhveshur nga fantastikja.



- Dhe së fundi: a ndryshon gjendja e të shkruarit kur i kushtoheni letërsisë për fëmijë në krahasim me llojet e tjera të letërsisë si poezitë, romanet, libri historik që keni lëvruar aq shumë, ç’ndodh me procesin krijues?


 Mendoj se gjini të ndryshme kërkojnë një lloj predispozicioni të ndryshëm, të paktën për mua dhe kjo varet nga natyra e autorëve, pasi secili ka origjinalitetin e vet gjatë proçesit krijues. P.sh. poezitë shpesh i shkruaj kur jam në lëvizje, në metro, tren, tramvaj apo shpesh dhe në avion. Nuk arrij ta shpjegoj pse, por kjo shkëputje nga qetësia më çon në një gjendje poetike, në një meditim poetik. Librat historik i kam shkruar përgjithësisht në bibliotekën që kam afër shtëpisë. Aty jam i rrethuar mes librave, në ato libra që në fund të fundit përbëjnë jetën dhe kujtesën njerëzore. Romanet apo esetë për artin shpesh i shkruaj në kafenenë poshtë shtëpisë. E njëjta gjë më ndodh dhe për letërsinë mbi fëmijët. Megjithatë, idetë fillestare shpesh më vijnë në mbrëmje vonë e pikërisht para se të mbyll dritën e abazhurit. Një ide që shpejt e hedh në letër, madje dhe kur kjo ide më në çastet e para të gjumit. Pastaj kësaj ideje i kthehem të nesërmen dhe filloj ta përpunoj. Kështu më ndodhi dhe mbrëmë: në prag të gjumit më erdhi në mëndje ideja e një tregimi për fëmijë Pasqyra e vjetër… M’u duk interesante. Rashë të flija dhe në mendje imagjinoja skena të kësaj historie gjersa rashë në mjegullat e përgjumjes. Të shpresojmë. Pasqyrat flasin. Ato kanë kujtesë!...



Intervistoi Parajsa Shtini

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,463 Lexime
3 vjet më parë