Proverbat në shkollë

Luan Stafasani: Si i përdorim fjalët e urta e shprehjet frazeologjike gjatë procesit mësimor edukativ

Jam përpjekur të përzgjedh të paktën 108 fjalë të urta, shprehje frazeologjike të cilat i kam ndarë në tre tematika: procesin, mësimin, edukimin.Personalisht jam përdorues i rregullt i tyre madje me një lloj fanatizmi dhe ju referohem atyre në çdo situatë ku përfshihem, sidomos gjatë mësimdhënies.

Fjalët e urta ose proverbat janë mendime të mprehta e të plota të shprehura me fjalë, në të cilat populli dëfton urtësinë e eksperiencën jetësore. Ato e gjallërojnë gjuhën e i japin hijeshi dhe tregojnë të vërtetat në jetën e përditshme me anë të kuptimeve figurative, shprehin mendime e arsyetime për dukuri a e çështje të ndryshme. Arsyetimet e fjalëve të urta janë përftuar nga praktika shekullore e jetës dhe e përditshmërisë së popullit.


Shprehjet frazeologjike janë përdorimet e ngurosura të një fjale e shfaqen si tërësi e thënieve a shprehjeve të qëndrueshme të një gjuhe, riprodhohen në të folurën e përditshme si njësi të gatshme e i japin bukuri ligjërimit të folur e të shkruar.


Fjalët e urta dhe shprehjet frazeologjike për shkak të përkufizimeve të mësipërme përdoren gjerësisht në jetën e përditshme nga mosha e profesione të ndryshme e sa herë ne nuk ju përmbahemi atyre, themi me vete e të tjerë se s'ka pas faj ai i vjetri që ka thënë...dhe citojmë fjalën a shprehjen sipas rastit.

Edhe në procesin mësimor edukativ edhe po të duam e kemi të pamundur t’u shmangemi fjalëve, proverbave, shprehjeve frazeologjike apo aforizmave, sidomos në lëndën e Gjuhës shqipe, ku pasi i përdorim, i komentojmë, qartësojmë e i lidhim me situatën. Kam vënë re se shumicën e tyre arrijnë t'i memorizojnë. Personalisht jam përdorues i rregullt  i tyre madje me një lloj fanatizmi dhe ju referohem atyre në çdo situatë ku përfshihem.


Jam përpjekur të përzgjedh të paktën 108 fjalë të urta, shprehje frazeologjike të cilat i kam ndarë në tre tematika: procesin(menaxhimin), mësimin, edukimin.


Procesi


1 –“Është më mirë të parandalosh sesa ta rregullosh një situatë”. Këtë thënie e zbatoj në qëndrimin pranë klasës kujdestare në çdo pesë minutësh.

2 – “Mund të mos jemi përgjegjës për situatën ku gjendemi, por do të bëhemi n.q.s nuk bëjmë asgjë për ta ndryshuar”. Kuptimi i kësaj thënie është se duhet të bëjmë çmos për të dhënë më të mirën në punën tonë.

3 – “Ndërgjegjja është zëri autentik i Zotit”. E përdor për t'i thënë vetes e të tjerëve se vetëm ndërgjegjen time konsideroj si ballafaquese me punën time.

4 – “Komunikimi është diçka pa të cilën marrëdhëniet nuk mund të funksionojnë”. Si thënie e përdor në çdo hap të veprimtarisë sime si mësues.

5 – “Edhe diell të jesh, s'mund t'i ngrohësh të gjithë njerëzit”. Kuptimi dhe përdorimi: Sado mësues i mirë të jesh do gjendet dikush të të kundërshtojë. 

6 – “Asgjë s'është absolute, çdo gjë është relative”. E përdor si zgjerim i argumentit të mësipërm.

7 – “Askush nuk është në gjendje t'i kënaqë të gjithë njerëzit”. Kjo fjali më shërben për t’i vënë pikën mbi “i” thënieve me nr.5 dhe 6.

8 – “Ky stan këtë bulmet ka”. E përdor për t'ju thënë mësuesve të rinj e vetes se puna e mësuesit e ka të pashmangshme vështirësinë e punës me nxënësit.

9 – “Fëmijët ta bëjnë kësulën me hi”. Përdoret për të shpjeguar faktin se mësuesit thinjen shpejt.

10 – “Çfarë bën mend në shtëpi, nuk del në pazar”.E përdorim në rastet kur ndodh diçka që s'është planifikuar pre nesh.

11 – “Mishi të piqet, helli të mos digjet”. Thuhet për punën që duhet bërë pa shkaktuar dëme.

12 – “Duhet të ecësh majë tehut të briskut e tehu të mos thyhet”. Kjo thënie ka të njëjtën kuptim e përdorim me paraardhësen.

13 – “Personaliteti i mësuesit vlen më shumë sesa dijet që ai jep”. Këtë jua them nxënësve duke ju shpjeguar se shumica e tyre me kalimin e kohës do harrojnë se ç'ju kanë mësuar mësuesit në lëndët që kanë dhënë, por nxënësit do kujtojnë personalitetin e mësuesit, mënyrës se si vishej, sillej, fliste e menaxhonte orën e mësimit. 

14/15 – “E keqja mundet me të mirë” ose “Tjetrin vrite me pambuk”. E them shpesh për të përforcuar idenë se e mira triumfon mbi të keqen.

16 – “Trupi pyll e mendja fyell”. I themi me shaka një nxënësi apo dhe fëmijëve tanë që rritjen fizike duhet ta shoqërojnë edhe me rritjen mentale.

17 – “E di luga se ç'ka vorba”. Mësuesit e përdorin si thënie për të treguar se e dinë sa vlejnë nxënësit e tyre.

18 – “Shtëpia me rregulla, çatia me tjegulla”. Shumë herë përdoret për t’u bërë me dije nxënësve rregulloren e klasës e të shkollës.

20 – “E vërteta mësohet nga fëmijët”. Si thënie na ndihmon të kuptojmë ç'ka ndodhur gjatë mungesës sonë.

21 – “Me njërën dorë e mbaj me tjetrën i bie”. E përdor kur dua të kritikoj një nxënës. Në fillim i them një të mirë që ka, pastaj i numëroj të metat.

22 – “Njëra dorë lan tjetrën, të dyja fytyrën”. Shërben si ndërgjegjësim për nxënësit, të cilët duhet të jenë bashkëpunues me mësuesit në mënyrë që procesi mësimor të realizohet.

23 – “Mua po më ndizet mjekra, t’i thua ndalu të ndez duhan”. Jua themi nxënësve kur problemi që ngrenë nuk është në koherencë me situatën në të cilën gjendemi.

24– “Si plaka mes dy bukëve kemi ra”. E themi kur gjendemi para një situate që s"dimë kujt t'ia prishim e kujt t'ia ndreqim.

25 – “Të udhëheqësh do të thotë të mos u ngatërrohesh të tjerëve nëpër këmbë”.K ëtë e kam thënë për ndonjë drejtues të "zellshëm" me të cilin më ka pjekur puna.

26/27 – “Mos bëj si bëj unë, po bëj si them unë” dhe “Udhëheqësi thotë më ndiq, drejtori thotë bëje”. E adresoj për drejtuesit e shkollave që nuk duhet vetëm të caktojnë orët e kualifikimit të brendshëm, po duhet të jenë edhe vetë lojtarë, jo vetëm spektatorë.

28 – “Është tjetri pas dere”. Është një thënie që piramida drejtuese jua thotë mësuesve të bazës, për t'ju kujtuar se kërkesat për tu punësuar në arsim janë të mëdha.

29 – “Qeverisë i lind djali 20–vjeç”. Këtë thënie e përdor për të shpjeguar me kolegët habinë që shkakton ndër ne emërimi jashtë normave e kritereve i një drejtuesi institucioni arsimor.


Mësimi


30 – “Kur të vijnë mendtë, të kanë ikur dhentë”. Është thënia që përdorin të gjithë ata që ju bie mendja për të mësuar pasi kanë përfunduar shkollën.

31– “Arsimi është arma më e fortë për të ndryshuar botën”. E përdorim për të treguar rëndësinë që ka arsimi në çdo kohë që kalon shoqëria njerëzore.

32 – “Fëmija është si një letër e bardhë, varet se çfarë do të shkruash në të”. I mëshojmë si thënie për të treguar se nëse me fëmijët punohet paralelisht si në shkollë edhe në shtëpi,rezultatet nuk do të mungojnë.

33– “Kur s'ke mend, ke këmbë”. Theksohet në situata ku është shmangur rëndësia e tij.

34 – “Dituria në rini bëhet flori në pleqëri”. Shërben si inkurajim për të investuar në dije, investim që nuk do të shkojë dëm.

35 – “Nuk është turp të pyesësh, turp është të mos dish”. E përdorim për të nxitur nxënësit që të lidhen sa më shumë me diturinë.

36 – “Vetëm dritë e diturisë do na shpjerë përpara”. Si thënie vlerësohet aq me rëndësi sa e shkruajmë në vende të dukshme në shkollë.

37 – “Shit kalin e shkollo djalin”. Shpreh sakrificën që bëjnë prindërit për t’u krijuar kushte sa më të mira shkollimi fëmijëve të tyre.

38– “Përsëritja është nëna e dijes”. Përdoret aq dendur sa dikujt ju vra veshi e u kujdes t'i shtonte edhe babën si thënie.

39 – “Punën e sotme mos e lër për nesër”. Flet për rëndësinë e bërjes së detyrave e mësimeve çdo ditë.

40 – “Do punuar koka që të prodhojë toka”. Vetëm duke mësuar do të aftësohemi për jetën.

41 – “Gurë gurë bëhet murë”. Me punë të vazhdueshme me mësimet rezultatet nuk do të mungojnë.

42 – “Kush nuk lexon, edhe atë që di e harron”. Parashtron rëndësinë e të lexuarit.

43/44 –“Pranvera me një lule nuk vjen” dhe “Nuk e sjell një qyqe verën”, ja themi ndonjë nxënësi dembel që rrallë e përmall kujtohet për të mësuar.

45/46– “Ç'të mbjellësh do korrësh” dhe “Si të shtrosh do të gjesh”, lidhen me gatishmërinë që shfaqin nxënësit në të mësuar e sjellur.

47 –“ Mësuesi të hap derën por brenda duhet të hysh vetë”. Jua themi nxënësve se të mësuarit në fund të fundit është merr–jep ose më jep të jap.

48 – “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”. Zbërthehet para nxënësve se problemi i tij përkon më së paku me angazhimin e tij.

49 – “Një ujë që ecën pihet”. E përdorim për të treguar se të mësosh duhet edhe të shëtisësh e të vëzhgosh.

50 – “Se ke vënë ujët në zjarr”. Përdoret kur nxënësi edhe pse i porositur ta kryejë një detyrë të caktuar e ka neglizhuar atë.

51 – “Me punë arrihet gjithçka”. Situata ku përdoret është se nëse mësojmë, rezultatet nuk do të mungojnë.

52 – “Delja që ndahet nga tufa e ha ujku”. Ja themi ndonjë nxënësi që preferon të rri veçuar.

53 – “Shite diturinë me pakicë edhe blije me shumicë”. Nënkupton që më shumë duhet të dëgjosh e të flasësh veç kur i detyruar je.

54 – “I dituri që nuk krijon ,është si reja që shi nuk lëshon”. Ua përsërisim nxënësve që dinë të shkruajnë e të shprehen, por përtojnë.

55/56 – “Mendo, kujto, fol e mos gabo” dhe “Mendo 7 herë e fol një herë”. Vetëkuptohet se çdo të thotë.

57– “Sheh fiku fikun edhe piqet”. Kuptimi, nxënësit mësojnë prej ndërveprimit.

58 – “Një dru i shtrembër prish gjithë stivën e druve”. Përdoret kur sjellja e një nxënësi problematik cenon performancën e të gjithë klasës.

59 – “Ndryshimi në mes diturisë e pasurisë është se dituria na ruan ndërsa pasurinë duhet ta ruajmë”. Si thënie përdoret për rëndësinë e diturisë.

60 – “Shikojeni në fytyrë tjetrin kur flet e kushtojini kohë të dëgjuarit të tij”. Shpreh kompetencën minimale qytetare që çdo nxënës duhet ta ketë.

61 – “Të mësuarit në pleqëri është si të shkruarit në rërë, të mësuarit në rini është si të gdhendurit në gurë”. Më pëlqen ta përdor për të nënvizuar kohën optimale që kanë nxënësit në dispozicion për të mësuar.

62 – “Ekziston vetëm një e mirë, dituria dhe një e keqe, injoranca”. Synoj të nxis nxënësit kah vlerat e diturisë.

63/64 – “Kush lexon mendon, kush mendon arsyeton” dhe “Ekzistoj sepse mendoj”. I shoh të pandara si thënie ,i përdor për të nxitur mendimin kritik të nxënësit.


Edukimi


65/66 – “Mirësjellja nuk kushton asgjë por blen gjithçka” dhe “Sjellja e mirë e zbukuron njeriun”. Plotësojnë njëra–tjetrën dhe përdoret për të treguar se sa me rëndësi është të pajisurit me normat qytetare të sjelljes.

67 – “Edukata është më e vlefshme se floriri”.

68 – Çdo njeri i edukuar është njeri i fituar.

69 – “Njeriut nuk i hahet mishi por marifeti(takti)”.

70 – “Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen”.

71 – “Të mësosh fëmijët të jenë të ndershëm është fillimi i edukatës”.

72 – “Kush fëmijë se dëgjon nënën del në rrugë e thyen këmbën”.

73 – “Uthulla e fortë plas enën e vet”.

74 – “Gjuha kocka s'ka e kocka thyen”.

75 – “Pas çdo fëmije pa edukatë qëndron një prind i dështuar”.

76 – “Edukata merret në shtëpi, nëse nuk e merr aty, bota ta mëson me dhunë. E qartësoj si thënie për nxënësit e paedukatë për të bërë me dije se krahas edukimit, shkolla ka dhe funksion detyrimi, pra ta mëson edukatën me"forcë" përmes organizmave disiplinorë që ka ngritur.

77 – “Më jepni prindër të mirë dhe do t'ju jap një botë më të mirë”. Konteksti ku përdoret: mësimi dhe prindërimi i mirë, shkojnë paralel.

78/79 –  “Po se the fjalën në shesh mos e thuaj në vesh” dhe “Fjalët e veshit dalin sheshit”. I përdor në një situatë kur jemi duke diskutuar mësimin dhe dalloj dy nxënës që i flasin në vesh njëri–tjetrit.

80 – “Dardha bie nën dardhë”. Jua themi nxënësve të mirë që vijnë nga prindër të mirë.

81 – “Mos u ndal në çdo të lehur të qenit sepse rruga është e gjatë”. Synon të edukojë nxënësit që nuk duhet të reagojnë ndaj çdo ngacmimi të vogël që mund tu vijë ngado e kushdo.

82 – “Qeni le të lehë, karvani të ecë përpara”. Si thënie shkon me paraardhësen.

83 – “Mos e bëj si lopa e mirë e mirë që mbush kusinë me qumësht e pastaj i bie me këmbë dhe e derdh”. Përdoret kur një nxënës bën një punë të mirë për një kohë të gjatë e në fund e prish pa arsye.

84/85 – “Çfarë të bën fëmija s'ta bën perëndia”, “Fëmija të ngre lart e po ai të fundos”. Synon të ndërgjegjësojë nxënësit se nëse duan lumturinë e prindërve të tyre duhet të mësojnë e të sillen sa më mirë.

86 – “I ka marrë koka erë”. Përdoret për dikë që nuk është në rrugën e duhur.

87 – “Mos i shih gunën por punën”. Situata ku përdoret: Mos e gjyko dikë nga dukja po nga aftësia.

88 – “Le të jetë oxhaku shtrembër,tymi të shkojë drejt”. E themi në rastet kur nuk duhet të shqetësohemi si na shohin të tjerët,e rëndësishme është përmbushja jonë.

89 – “S'lidhet kali me pe”. Parasheh situatën kur dikush ka nevojë për masa shtrënguese.

90 – “Hekuri rrihet sa është i nxehtë”. Përdoret për treguar se problemi do trajtuar në kohë reale.

91/92 – “Kush shkon ngadalë shkon larg”, “I duruari i fituari”. Japin mesazhin e maturisë e durimit në çdo hap që hedhim.

93/94 – “Kush ka nënë e motër në shtëpi ta lidhë gojën me shami”, “Kush ka xhama në shtëpi nuk duhet të gjuajë në dritaret e tjetrit”. Këto thënie i përdor për të ndërgjegjësuar djemtë në kujdesin që duhet të tregojnë ndaj vajzave.

95/96 – “Fjalët e para nuk na prishin” dhe “Të hidhurat në fillim, të ëmblat në fund”, përdoren kur mësuesi do të qartësojë kërkesat ndaj lëndës e vetes.

97 – “Ti fus këmbët në një këpucë”.

98 – “Qesh mirë kush qesh i fundit”.

99 – “Kam dhe gurin dhe arrën në dorë”.

100 – “Dardha e ka bishtin prapa”.

101 – “Koka bën, koka pëson”.

102 – “I jep gishtin, të merr dorën”.

103 – “Po e kërkon me tym(kandil)”.

104 – “Mbaje vath në vesh”.

105 – “I thua shëndet i duket plaç”.

106 – “Njeriu lidhet me fjalë, kafsha me litarë”.

107 – “Hem dhi e zgjebosur hem bishtin përpjetë”.

108 – “Ta vë kufirin te thana”.


Shprehjet nga nr 97–108 përdoren në situata që e kapërcejnë vijën e kuqe, e me sjelljet, qëndrimin e komunikimin e nxënësit cenojnë  autoritetin e mësuesit.


Në përfundim dua të them se përvoja është udhë e gjatë e shkollë jo e lirë dhe dituritë e mëdha qëndrojnë në fjalët e shkurtra, ndaj nuk duhet ta kursejmë dhënien e një këshille përmes fjalëve të urta e shprehjeve frazeologjike apo aforizmave në një situatë të ngrohtë e mirëkuptuese. Jeta është e shkurtër për t'i vërtetuar të gjitha vetë njeriu, ndaj duhet të mësojmë nga eksperienca e të parëve tanë e fjalën e mirë duhet ta ruajmë si xhevahir e fjalën e vjetër tua transmetojmë brezave që do të vijnë.

"T’i referohesh një autori është plagjaturë, t'u referohesh shumë autorëve është punë kërkimore"



Përgatiti Luan Stafasani

© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

11,042 Lexime
2 vjet më parë